Nga Bledi Mane
Bluaja në mendjen time të poshtër si do ta qëlloja. Llogarisja kohën, vendin, reagimet fillestare të njerzve, reagimet e mëpastajme. Kishim vite që njiheshim bashkë dhe e admiroja deri në cinizëm dhe zhelozi të tejskajshme. Sukseset e tij të një pas njëshme duket sikur ishin pjesë e një bekimi organik, të lindur bashkë me atë vetë. Ishte perfekt në komunikim, me humor të bardhë e të zgjuar, i shkathët, me sy inteligjentë të ngjyrosur mes një bojëqielli dhe jeshileje dhelpërake. Altruizmi i tij më dërmonte dhe nuk e pozicionoja dot se krah kujt rreshtohej: majtas a djathtas, kah zengjinit taze të ri depozitues apo kah një hallexhiu kredimarrës?
Sa herë i kërkoja ndihmë nuk përtonte.
-Dua kredi!-ia qaja hallin dhe buzëqeshte e më ndihmonte
-Dua një vend pune për një njeriun tim!-dhe shkelte syrin
-Dua reklamë për radion, gazetën, televizionin!-e nuk refuzonte
-Çfarë do bëjmë për një bursë studimi për fëmijët e mi?-e nuk përtonte
-Mos harro të më sponsorizosh librin, koncertin, evenimentin…
I kërkoja të bëhej deputet i partisë time por vetëm qeshte, i kërkoja të bëhej ministër i qeverisë time, dhe vazhdonte qeshtte. I lutesha për ambasador, këshilltar, guvernator…qeshte pa mbarim dhe nuk joshej aspak. Vazhdonte të më acaronte me qetësinë e tij, me ecejaket e tij i lirshëm rrugëve më këmbë, pa roje, pa eskortë, pa makinë të blinduar. Nuk më njihte vetëm mua, nuk më fliste vetëm mua, nuk më ndihmonte vetëm mua.
E qeshura dhe altruizmi i tij më skërmisnin shpirtin dhe ndjeja sesi përvëlohej cipa e mushkërisë time e ia përcillte rrufeshëm zemrës. Kjo frikacakja mbyllte aortat e saj e nuk pipëtinte pa i ardhur lajm prej brazdave të trurit. Unë ndjehesha i qetë sepse e njoh mirë mendjen e ndyrë të kokës time dhe pavarësisht se përgjigja vonohej vetëm pak sekonda, bëja sikur çlirohesha nga ankthi.
Torturat e mia nuk mbaronin me kaq por si çekanë të rëndë më godisnin kafkën e kokës pyetjet e poshtra, të mira:
-Po unë pse nuk jam ky?
-Po ky pse nuk është unë?
Pastaj nuk doja ta lija veten të qetë dhe me çekanët e rëndë godisja veten duke stimuluar dhjetëfish egon e sëmurë.
Pra, me një fjalë përvëlohesha e torturohesha sa herë shikoja dhe prekja sukseset e tij, ndihmën e tij, pasurinë e tij, qindra vende pune që hapte, kontributi për ekonominë dhe median shqiptare. Klithja së brendshmi dhe gulçoja sesi kaq i pasur, i famshëm e me pushtet e nuk bënte si kapo, nuk sillej rëndë, nuk kishte frikë, jetonte i qetë jo vetëm me veten por me miliona bekimet dhe urimet e të tjerëve.
Nxihesha çdo sekondë dhe brejtja e vuajtjes nuk më sillte në vete por më agravonte si kafshimi i një vampiri transilvan përcëlluar nga një diell i sëmurë ballkanas.
Orët kalonin dhe dilema më gjuante me shpulla fytyrës si një burrë kurvë. Përulesha i krusur e nuk ngrija dot krye. Koha trokiste në dyert e kalbura të logjikës time dhe më bërtistë:
-Ai ty të mund edhe kur fle gjumë, ai të mund në çdo frymëmarrje edhe sikur gjithë oksigjeni i planetit të depozitohet vetëm në hundët e tua…Ai nuk mund të jetë si ty edhe në vdekje!
-Edhe në vdekjeeeeee?-bërtita unë i zgjuar i lebetitur mëngjesin mbytës të së enjtes së fundit të qershorit 2014.
Ndaj nuk përtova dhe si burracak lokal u flaka nga krevati duke i dhënë besën e kalbur vetes time të kalbur e nën zë e me zë oshëtiva me tërë forcën e përroit tim psiqik:
-Sot do e testoj nëse do të më mundë edhe i vdekur!
U nisa vërtik çerek trim e treçerek i mpirë ta zhdukja pa u përshëndetur me askënd në zyrat e tij. E ndoqa i fshehur veshur në të zeza si skuth i përdalë jo vetëm, por me sejmenë kapedanë pa bukë në stomak, pa dhembshuri në shpirt, pa brekë në bythë, cinikë më keq sesa unë. E ndoqa derisa ia shkrehën vrerin e sëmundjes time bashkë me plumbat para se të përshëndetej me njerzit por si për dreq u plas në tokë me fytyrë nga shitësja fisnike e luleve, me fytyrë nga trëndafilat dhe jargavanët që dukej sikur vesën e mëngjesit po e ruanin për ta kthyer në lotë…
Edhe pse i iku kësaj jete, unë nuk ndjehem i qetë. Më duket sikur lulet të cilat panë gjithë skenën duhet ta kenë ditur që unë pagova vrasësit me lekët e kredisë që Ai mi dha për të ndihmuar veten time. Spiunojnë lulet vallë???
/Gazeta Bulevard/





