Brazil, 27 qershor 2014 – Eshtë njeriu më i pushtetshëm në botë. Eshtë ai që komandon thuajse gjithçka nga toka, por edhe nga ajri. Në bordin e të famshmit “Air Force One”, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shkëput për disa çaste nga hallet e vendit të tij, por edhe problemet ndërkombëtare, për të ndjekur siç duket nga fotot, ekipin amerikan që po humbiste me Gjermaninë. Si një tifoz i thekur, në shoqërinë e këshilltarëve e të gazetarëve, Obama po priste momentin që të ngrihej në ajër e të festonte me ulërima për golin, por kjo dhuratë nuk i erdhi nga ekipi i Klinsmann. Gjithsesi atmosfera ishte e zjarrtë në superavionin presidencial, ndërkohë që fluturimi drejt Minneapolis vazhdonte nën ritmin e futbollit, një sport që po fiton popullaritet vazhdimisht në Shtetet e Bashkuara. Batutat e rastit nuk munguan, kur Obama tha se amerikanët nuk janë ende si gjermanët, brazilianët apo argjentinasit, por gjithsesi po rriten e po e tregojnë fuqinë e tyre. Pastaj me të zbritur në Minneapolis, nën frymën e sloganit “Yes ëe can”, “Po ne mundemi”, shefi i shtëpisë së bardhë, me një optimizëm të jashtëzakonshëm, ndoshta të tepruar për një moment, përgëzoi ekipin amerikan për kalimin me sukses në raundin tjetër.
“Duhet ta nis duke uruar ekipin amerikan të futbollit për avancimin në raundin tjetër të Kupës së Botës. Ndodheshim në të ashtuquajturin “Grupi i Ferrit”. Edhe pse nuk fituam në këtë ndeshje, kemi kaluar grupin më të vështirë, kemi ecur përpara, pra kemi shansin për të fituar Kupën e Botës. Nuk mund të ishim më shumë krenarë për këta djem sepse dolën kundër parashikimeve, ndërsa ata të gjithë në skuadër duhet ta dinë se kanë mbështetjen tonë”.
Ka të drejtë Obama kur thotë se amerikanët kaluan një grup të fortë dhe me të drejtë duhen përgëzuar, megjithatë duhet të ketë parasysh se në raundin tjetër ndodhen Big-ët e historisë, si Brazili, Gjermania, Holanda, Franca, Uruguai etj. Një betejë gjithsesi deri tani amerikanët e kanë fituar, kanë tifozerinë më të madhe në Brazil me mbi 200 mijë bileta të shitura, më shumë se çdo vend tjetër, por sigurisht që pas vendasve brazilianë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





