Tiranë, 27 qershor 2014 – I është dhënë lamtumira e fundit biznesmenit të njohur shqiptar Artan Santo, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, ndërsa u qëllua për vdekje nga dy persona të maskuar me motor, në momentin kur po hynte në bankën Credins, që drejtohej prej tij.
Në homazhet e organizuara për nder të tij morën pjesë jo vetëm familjarë dhe miq të biznesmenit të njohur, por edhe mjaft personalitete nga fusha e artit, kulturës, biznesit e politikës. Si rrallë ndonjëherë ishte parë të mblidheshin kaq shumë njerëz për të nderuar figurën e një njeriu të biznesit siç ishte Artan Santo.
Midis shumë figurave të njohura u pa edhe ish-kryeministri dhe ish-lideri i PS, Fatos Nano, i cili u shpreh se Artan Santo mbetet një personalitet i pazëvendësueshëm dhe se humbja e tij na lë me një boshllëk të madh.
Ish kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli u shpreh gjithashtu e tronditur nga ngjarja duke e quajtur vrasjen e tij si më të rëndën pas asaj të Azem Hajdarit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tha se kemi humbur një djalë që krijoi vetë institucionin e Crredins, dhe ndërtoi grupin e punës që e çoi përpara me shumë sukses.
Kreu i Kuvendit Ilir Meta premtoi se nuk do të rreshtim së kërkuari vënien para drejtësisë të ekzekutueseve dhe atyre që urdhëruan ekzekutimin. Nderime trupit të pajetë të Artan Santos iu bënë edhe nga lideri i PD-së, Lulzim Basha dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk preferoi të fliste para mediave.
“Ju falënderoj që më jepni mundësinë që të shpreh një vlerësim të merituar për një personalitet të pa zëvendësueshëm. Humbja e tij na lë me një boshllëk vështirësisht të kapërcyeshëm të mikut të jashtëzakonshëm Artan Santo. Mbetet kampion i shfrytëzimit të lirisë në dobi të të tjerëve dhe që diti të lartësojë veten duke mishëruar vlerat më të larta të humanizmit,” tha ish lideri i PS, Fatos Nano.
“Është një moment shumë i trishtueshëm për ti dhënë lamtumirën një personalitetit të shquar të shoqërisë, të ekonomisë, një prej pionierëve të modernizimit bankar në vendit tonë, një prej njohësve të ekonomisë. Natyrisht në këtë ditë trishtimi i shpreh ngushëllime familjarëve dhe kolegëve, nuk mund të rreshtim së kërkuari vënie para drejtësisë të ekzekutueseve dhe atyre që urdhëruan ekzekutimin. Pasi kjo është një dorë mizore, që ndau nga jeta në këtë moshë një njeri. Kjo do të do ti jap një mësim shoqërisë,” tha Ilir Meta.
“Të gjithë jemi të shokuar. Kjo është ngjarja më e rëndë, pas vrasjes së Azem Hajdarit. Do them ato fjalë që mendoj për zotin Santo. Impresionues që në takimin parë, inteligjent, njeri i shkolluar. Vlerësoj kontributin e tij. Ajo që ka ndodhur është më e rëndë nga çmund ta themi me fjalë. Ngushëllime familjes!,” tha zonja Topalli.
“Humbje e madhe për sistemin bankar, për mikun tonë kujtimet më të mira. Do na mungojë buza gaz e Tanit, i qeshur. Jeta vazhdon ta kujtojmë gjithmonë për të mira. Është një humbje për sistemin bankar, se ai e krijoi vet institucionin dhe e çoi para. Një institucion që i bëri ballë krizës bankare. Banka ka një staf të përgatitur i cili i motivuar me dhimbje por i motivuar për ta çuar duke i bërë respektin e fundit këtij djali për ta vazhduar punën e tij dhe për të pasur jo vetëm një institucion solid por një institucion të rëndësishëm për ekonominë shqiptare,” tha guvernatori Fullani.
Kjo vrasje ka tronditur thellë mbarë opinionin shoqëror, arenën politike, mediatike e biznesmenë në vend, pasiArtan Santo njihej si një biznesmen dhe bankier tepër i suksesshëm në Shqipëri dhe jashtë kufijve. Sot ai përcillet për në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës, për të lënë pas kujtimin dhe kontributin e paharruar të një biznesmeni të suksesshëm dhe mbi të gjitha tepër human.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





