Itali, 27 qershor 2014 – Sa herë që mediat e vendeve fqinjë shkruajnë për fenomene negative që ndodhin aty bëhen krahasime me Shqipërinë dhe realitete të ngjashme shqiptare. Prestigjozja Reuters, pak ditë më parë kishte një shkrim për dhënien e gradave shkencore falso në universitetet private serbe dhe menjëherë bëhej krahasimi me Shqipërinë.
Prej dy ditësh në shumicën dërmuese të mediave të shkruara dhe elektronike italiane, por edhe te huaja si fjala vjen e famshmja “Bloomberg” ka një seri lajmesh mbi shpërdorimet e parave të buxhetit të shtetit italian të dhëna për partinë Lega Nord, të drejtuar nga Umberto Bossi. Në këto shkrime flitet për rreth 40 milion euro të taksapaguesve italianë të përdorur nga Bossi për të paguar fatura private gjoja si shpenzime partiake. Ndër shpenzime të tilla përmenden pagesat e gjobave të automjeteve të djemve të Bossit, pagesa për veterinerin që kujdesej për qenin e njërit prej djemve të Bossit, çeqe për blerje dhuratash dasme etj. etj.
Një zë i veçantë i këtyre shpenzimeve familiare të Umberto Bossit, të mbuluara nga paratë publike të alokuara nga shteti italian për Lega Nord, është edhe shpenzimi për të pajisur me një diplomë falso Renzo Bossin, djalin e Umbertos. Renzo Bossi, i njohur me nofkën tallëse “Trotta-trofta”, që mund ta shqipërojmë si “Qoftja”, ka një histori tashmë të njohur për t’u pajisur me diplomë false shqiptare.
Në mediat italiane rihapet edhe një herë historia e diplomimit të “Qoftes” Bossi në Universitetin Kristal në Tiranë. “Qoftja”, pa ardhur asnjë ditë në Tiranë, pa dhënë asnjë provim, ishte gdhirë i diplomuar në këtë universitet. Avokatët shqiptarë të “Qoftes” madje i ishin drejtuar me anë të letrave Ambasadës Italiane në Tiranë për të siguruar njohjen nga autoritetet italiane si të vlefshme për këtë diplomë të blerë në Shqipëri. E reja në këtë marrje të diplomës false të “Qoftes” së Bossit është shifra e paguar nga paratë e taksapaguesve italianë.
Plot 77 000 euro janë paguar për ta pajisur me diplomë djalin e Bossit pranë universitetit “Kristal”. Në këtë shumë përfshihet blerja e diplomës nga Universiteti “Kristal”, shpenzimet e noterëve, avokatëve dhe sekserëve shqiptarë, përfshi edhe shpenzimet për aplikimin në Ambasadën Italiane në Tiranë për konvaldim (njohje) të kësaj diplome falso shqiptare me diplomat përkatëse të lëshuar nga universitetet italiane.
Pas kësaj eksperience ja vlen që shprehja korçare e krijuar në vitet e Luftës së parë botërore: Ja shiti si frëngut pulën, të zëvendësohet me shprehjen: Ja shiti si diplomën e Kristalit “Qoftes” së Bossit.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





