Tiranë, 26 qershor 2014 – Zbardhet identiteti i dy personave të ndaluar nga policia në lidhje me vrasjen e biznesmenit Artan Santo. Mësohet se të ndaluarit janë: Klodjan Gjozi dhe Sajmir Gjozi. 

Në një reagim për “News24”, nëna e të ndaluarit Klodjan Gjozi thotë se motori i përdorur për vrasjen nuk është i djalit të saj. 

“Motori i publikuar nuk korrespondon me tonin. Duam të zbardhet vrasja e biznesmenit, ishte njeri.”– shprehet Xhevrie Gjozi. 

Ne te njejten kohe ajo deklaron se dy vite më parë djali i saj ishte akuzuar për një grabitje në Vorë, por më pas rezultoi se Klodjan Gjozi nuk kishte lidhje me ngjarjen. 

“Një gjë e tillë ka ndodhur dhe para dy vitesh. E akuzuan për një grabitje në Vorë. Ne kemi ardhur 2 vite më parë nga Greqia.”– deklaroi zonja Gjozi. 

Ndërkohë Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka urdhëruar ngritjen e një grupi hetimi të posaçëm për të hetuar vrasjen e biznesmenit Artan Santo.

Lajmi bëhet i ditur nga vetë Prokuroria e Përgjithshme përmes një njoftimi për shtyp, ku theksohet se organi i akuzës po bashkëpunon me policinë e shtetit për të zbardhur sa më shpejtë autorët e vrasjes dhe për ti nxjerrë para drejtësisë autorët. Në këtë kuadër janë vënë në dispozicion dhe logjistika speciale e institucionit të Prokurorisë.

Qytetarët ndezin qirinj në vendin ku u vra Santo

Qytetarë të shumtë ndalojnë për të ndezur një qiri, apo për të vendosur lule në vendin ku u vra Artan Santo, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Qytetarët kryejnë homazhe përpara fotografisë së biznesmenit të ndjerë, përkrah së cilës shkruhet “Mafia po na vret”. 

Mes qytetarëve ka pasur edhe personalitete të ndryshme që ndezën një qiri për nder të bankierit e biznesmenit të suksesshëm 

Këngëtari Frederik Ndoci shprehet: “A ka më siguri ky vend, pse ikin në këtë mënyrë autorët. Nuk duam ta politizojmë çështjen, por siguria në këtë vend lë për të dëshiruar”. 

Ndërsa Leonard Dedaj, kreu i shoqatës ‘Reago’ e cilëson këtë vrasje mafioze një kambanë alarmi për policinë. 
“Shteti të marrë masa, është e patolerueshme kjo që ndodhi sot. Kur vritet një figurë e madhe si zoti Santo imagjino çfarë mund ti ndodhë një qytetari të thjeshtë. Kjo është një kambanë alarmi”,tha ai. 

Homazhet nesër në orën 10.00

Për Artan Santon pritet të zhvillohen nesër rreth ores 10:00 homazhe nga familjarët, miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët e kushdo që e njohu dhe vlerësoi gjatë jetës. Homazhet do zhvillohen në Hotel Sheraton. Ndërkohë që rreth ores 16:00 të ditës së nesërme pritet t'i jepet lamtumira e fundit bankierit dhe biznesmentit të suksesshëm.

"Familja Santo falënderon të gjithë miqtë, të afërmit, koleget, të njohurit e Artanit, por edhe të gjithë shqiptaret për solidaritetin dhe ngushëllimet e ndjera në këtë moment kaq të vështirë. Ditën e nesërme, e premte 27 Qershor në orën 10.00 familja do të presë vizita dhe do të kryhen homazhe në nderim të Artan Santos në ambientet e Hotel Sheraton, ndërkohë që në orën 16.00 do të zhvillohet ceremonia funebre pranë varrezave të Sharrës",njofton familja e të ndjerit Artan Santo.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/