Itali, 24 qershor 2014 – Një 37 vjeçar nga Bullgaria, por që jetonte prej vitesh në Itali, rezulton të jetë personi që aksidentoi për vdekje një fëmijë 3 vjeç, para syve të familjes së tij.
Bullgari aksidentoi vogëlushin Gionatan, në hyrje të qytetit të Ravenës në Itali dhe menjëherë u larguar nga vendngjarja, pa i dhënë ndihmën e parë fëmijës që i mori jetën tragjikisht.
37 vjeçari u ndalua, pasi policia studioi me vëmendje pamjet e një sërë kamerash të sigurisë në zonën ku ndodhi aksidenti.
Megjithëse bullgari nuk e pranoi se ishte ai shkaktari i aksidentit, prokurorët gjetën poshtë makinës së tij shenja të qarta që flasin për tërheqjen prej disa metra të trupit të fëmijës së gjorë.
Sipas hetuesve, e njëjta makinë ishte sinjalizuar edhe më parë nga qytetarë të ndryshëm për manovrat mjaft të rrezikshme që bënte në rrugë.
Vlen të përmendet se për gjetjen dhe arrestimin e autorit të aksidentit të së dielës në mbrëmje pati një angazhim dhe sensibilizim të madh të përdoruesve të rrjeteve sociale, mes të cilëve edhe këngëtarja e famshme italiane, Laura Pausini.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





