Durrës, 21 qershor 2014 – Nëse Brazili krenohet me Pelen, Argjentina me Maradonën, ne shqiptarët kishim Panajotin tonë. I cili iku para kohe nga kjo jetë, në moshën 71-vjecare. Zemra e ka tradhtuar “lojtarin fluturues”, të cilin nuk kishte kundërshtar që ta markonte, pas një infarkti, duke na thënë të gjithëve “lamtumirë”. Legjenda shqiptare, më i njohuri në botë, Panajot Pano, është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. Panajot Pano është ndarë nga jeta më 19 janar 2010, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pasojë e një ataku kardiak, në moshën 71-vjeçare. Ai vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë. Jeta e tij ka qenë vërtet intensive dhe me shumë ngjarje, që nuk harrohen.
Ai u lind në një nga shtëpitë tradicionale durrsake, diku rrëzë kodrës së Vilës së Zogut, më 7 mars 1939, nga prindër të ardhur nga fshatrat e Delvinës, Leftohori dhe Kakaviqi. Babai i Panajotit kishte nuhatje dhe dinte ta zgjidhte mirë jetën kudo. Shumë shpejt la Durrësin për të ardhur në Tiranë. Gjatë gjithë jetës së tyre treguan shembullin më të mirë para fëmijëve të tyre dhe bënë më të mirën. I edukuan që në radhë të parë të tregonin respekt për të tjerët. Kur Pano çamarroku kishte filluar të dallohej në futboll, e motra e tij ishte ndër nxënëset e para të Teknikumit të Fiskulturës.Djaloshi Pano e nisi karrierën e tij si portier, por cilësitë e tij të rralla e shndërruan atë si sulmuesin më të madh me fanellën e Tiranës e Partizanit, përpos ndonjë ndeshje ndërkombëtare si i huazuar me Dinamon.
Dikush në Shqipëri e quan një “Pele shqiptar”, një tjetër një “Pushkash i vogël”. Një i tretë e konsideron magjistar përpara portës si një “Gerd Myler në versionin shqiptar”. I zbuluar nga “profesori pa diplomë”, Xhavit Demneri, Joti, katër herë kampion i Shqipërisë (1961, 1962-1963, 1963-1964) dhe pesë herë fitues i Kupë të Shqipërisë (1961, 1964, 1966, 1968, 1975), autor i mbi 100 golave ndërkombëtarë, e mbi 500 të tillë në 700 ndeshje gjatë karrierës së tij të gjatë futbollistike, u nda nga fusha e blertë 35-vjet më parë, në vitin 1975, por të qenë përjetësisht e lidhur me të. Nëse Panajot Pano ndoshta nuk mund të më kujtojë më, unë e kam parasysh atë gjithmonë”, – është shprehur dikur për shtypin gjerman “Kaizeri”, Franc Bekenbauer, legjenda e madhe e futbollit botëror dhe Gjermanisë, për atë performancë të jashtëzakonshme “Jotit” në ndeshjen e Shqipërisë kundër Gjermanisë në vitin 1971.
“I shpejtë si era, energjik, depërtues, i papërmbajtshëm, bomber i vërtetë”. Këto janë disa nga përcaktimet e bëra nga gazetarët dhe radiokronistët e kohës, për Panajot Panon, legjendën e futbollit shqiptar dhe ish-futbollisti i famshëm i Partizanit, që, gjatë karrierës së tij futbollistike, njeriun që ka luajtur mbi 700 ndeshje, 100 prej të cilave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato miqësore të klubeve dhe ekipeve Kombëtare dhe Olimpike. Pano ka luajtur dhe ka shkëlqyer kundër lojtarëve të mëdhenj nga Gjermania, Jugosllavia, Polonia, Turqia apo Bullgaria. Ish-sulmuesi i madh nuk mundi të luajë për asnjë ekip të huaj, edhe pse pati disa oferta nga vëzhgues nga Gjermania, Holanda, Danimarka, Zvicra, Irlanda e Veriut, apo Turqia, të ardhur së bashku me ekipet e tyre Kombëtare për llogari të klubeve të huaja. “Unë të them të drejtën kam pasur lidhje me shumë politikanë në atë kohë, anëtarët e byrosë që kanë qenë atëherë, me përjashtim të Enver Hoxhës, që nuk e kam takuar asnjëherë, por me të gjithë të tjerët si Ramiz Alia, Petrit Dume, Beqir Balluku, Adil, Çarçani e shumë të tjerë jam takuar shpesh, sepse ato vinin te klubi “Partizani” dhe luanin tenis. Ne shkonim dhe i shikonim, ndërsa ata na përkrahnin në të gjitha mënyrat për rritjen e cilësisë sportive në futboll”, – tha gjatë një interviste Panajot Pano, një vit para se të ndahej nga jeta.
Në nëntor të vitit 2003, me rastin e jubileut të UEFA-s, ai u shpall “Lojtari i artë” i Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vitin 2005, ai u shpall “Futbollisti i më i mirë i shekullit”, një listë kjo e publikuar nga FIFA me 100 sportistë nga një për çdo vend, ndërkohë që me rastin e 70-vjetorit të lindjes në vitin 2009, u nderua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me medaljen “Nderi i Kombit” – medalja e tij e tetë personale. “Panajot Pano nuk ka qenë vetëm një personazh brilant i sportit, por dhe një njeri shumë i respektuar, një njeri me të gjitha parametrat qytetare”, – u shpreh Topi, një ish-president nderi i Klubit të Futbollit “Tirana”. “Mjeshtri i Merituar i Sportit, Panajot Pano, mbetet sportisti më popullor në Shqipëri, një “Pele” shqiptar.
Karriera e legjendës së futbollit shqiptar
Zbulimet asnjëherë nuk i bëjnë trajnerët e njohur, se ata nuk janë në kontakt me fillestarët. Panajoti vlerëson Myftar Markun, mësuesin e fizkulturës tek “Hasan Vogli”: “Të gjithëve na pëlqente futbolli. Unë rrija gjithë ditën pranë fushës. Kur u mungonte ndonjëri, më fusnin edhe mua, shumicën e herëve si portier, sepse dihet që të gjithëve u pëlqente të luanin në sulm. Pastaj e provova edhe unë sulmin, provova dhe golin. Kur u rrita edhe pak, qendërmbrojtësi legjendar, Skënder Halili, që atëhere thirrej Skënder Merja, luante me të rinjtë e Punës së Tironës, më dërgoi tek ekipi i të rinjve. Xhavit Demneri ka qenë vërtet një profesor futbolli për seleksionime. Nga portier më kthen në mbrojtës të majtë, në një ndeshje miqësore me ekipin e parë të Spartakut të Tironës. Pjesën e dytë më thotë: Ti çun dil në sulm” shprehej Panajoti shumë vite më parë kur kujtonte fillimet e tij. E kështu, nga një dorë ustai, Panajot Pano kaloi në dorë të një ustai tjetër, Myslym Allës, i cili pa asnjë hezitim i dha atij vendin e duhur në formacion. Legjenda e tanishme e lidh atë çfarë ka dhënë në futboll me meritën që kanë pasur trajnerët e tij, vërtet me aftësi të veçanta profesionale, përmend të mëdhenjtë e stolit shqiptar, Rexhep Spahiun, Loro Boriçin, por edhe trajnerë të tjerë, po aq të njohur tek ekipet e tjera. Ishte merita e Xhavit Demnerit, i cili e gjeti djaloshit virtuoz pozicionin e sulmuesit te të rinjtë e “17 Nëntorit”, ku fitoi titullin kampion në vitin 1957 dhe u shpall golashënuesi më i mirë me të rinjtë. Një tjetër trajner, Myslim Alla, e thirri Panon shtatshkurtër (168 cm) në ekipin e parë (atëherë 17 vjeç), ku luanin atëherë emra të mëdhenj si Fatmir Frashëri e Skënder Halili, Naim Balla, Fred Rruxho, Stefan Pavli. Ylli i Panos shkëlqeu shumë shpejt dhe “Partizani”, ndaj të cilit shënoi dy golat për Tiranën në humbjen 4-2, duke shfrytëzuar edhe thirrjen për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak e rekrutoi në radhët e skuadrës së drejtuar nga trajneri Rexhep Spahiu, i cili i gjeti përfundimisht vendin e duhur golashënuesit të ri, si sulmues i djathtë, me të cilin fitoi edhe titullin e parë në kampionatin e vitit 1961. Legjenda e futbollit shqiptar, Loro Boriçi, ishte edhe trajneri që morri maksimunin nga Panajoti i vogël.
Partizani drejtohet nga Ilia Shuke, e më pas nga Refik Resmja, të cilët besuan shumë të cilësitë e jashtëzakonshme të Panajotit. Pano, i vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Pano është një nga 52 fituesit e çmimit “Golden Player” apo “Lojtari i artë” (të fituar nga një lojtar për çdo vend) dhënë nga UEFA në vitin 2003. Kjo listë me 52 lojtarët më të mirë të kontinentit u hartua me rastin e 50 vjetorit të qeverisë europiane të futbollit dhe nëeë tillë të mëdhënj si italiani Dino Xof, portugezi Eusebio, bullgari Hristo Stojçkov, gjermani Fritz Valter, hungarezi Ferenc Pushkash, anglezi Bobi Mur. Pano ka luajtur dhe ka shkëlqyer kundër lojtarëve të mëdhenj nga Gjermania, Jugosllavia, Polonia, Turqia apo Bullgaria. Ish-sulmuesi i madh nuk mundi të luajë për asnjë ekip të huaj, edhe pse pati disa oferta nga vëzhgues nga Gjermania, Holanda, Danimarka, Zvicra, Irlanda e Veriut, apo Turqia, të ardhur së bashku me ekipet e tyre Kombëtare për llogari të klubeve të huaja. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, “mjeshtri i topit” drejtoi për disa kohë si zëvëndëstrajner Partizanin, me të cilin fitoi në vitin 1979 titullin kampion, të cilin e përsëriti në vitin 1981, por edhe Kupën e Shqipërisë në vitin 1980. Golat kundër ekipeve të huaja janë të shumtë.
Në Kupën e Fituesve të Kupës në edicionin 1970-1971, Pano shënoi një gol kundër Atvitabergut suedez në raundin eliminator dhe dy gola kundër Vaker Insbrukut në 1/16. Paraqitja e parë ndërkombëtare e Panos në rang skuadrash kombëtaresh i përket kualifikueseve të Lojërave Olimpike 1964, më 2 qershor 1963, kur Shqipëria e drejtuar nga Loro Boriçi humbi në Tiranë me Bullgarinë 0-1, ashtu si në ndeshjen e kthimit në Sofje, po me rezultatin 1-0 (16.06.1963). Në kualifikueset e Lojërave Olimpike, Pano e shënoi golin e parë kundër Rumanisë, në atë humbje 1-2, më 26.05.1971 në Tiranë. Shqipëria ishte sërish nën urdhërat e Loro Boriçit, i cili e ndërtoi skuadrën përfaqësuese rreth Panos (24 ndeshje me fanellën kuqezi 24 ndeshje në periudhën 1963-1973). Pano ishte pjesë e skuadrës shqiptare në eliminatoret e Euro 1964, kundër Danimarkës (të humbur 4-0), më 29.06.1963, që ishte edhe takimi i parë i Shqipërisë në një Kampionat Europian. Midis ndeshjeve të tjera të paharrueshme për numrin 10 të Partizanit janë ato me Danimarkën në Tiranë, Shqipëria fitoi 1-0 (30.10.1963) pikërisht me golin e Panos në minutën e 3-të. Viti 1964 e rreshton Panon në dy ndeshje e humbura me rezultatin 2-0 kundër Holandës (24.05.1964 dhe 25.10.1964). Në vitin 1965, për eliminatoret e Kupës së Botës 1966, Zvicra shtohet në listën e Panajotit: dy humbje 0-2 në Tiranë dhe 1-0 në Gjenevë. Dhe po në këtë vit Shqipëria humbi 4-1 me Irlandën 4-1 (07.05.1965, goli i Robert Jasharit) dhe barazoi në Tiranë 1-1 (gol i Mehdin Zhegës). Kundër Gjermanisë (0-0, më 17.12.1967) së Helmut Shënit, Pano e nxorri jashtë loje mbrotjësin gjerman Villi Schulz, por dhe Gjermania nuk u kualifikua për Euro 1968. Viti 1971 solli një tjetër përplasje të madhe midis Shqipërisë e Gjermanisë. Lojtari që u ngarkua nga trajneri Helmut Shën për të bllokuar veprimet sulmuese të Panos, nuk ishte askush tjetër, por Franz Beckenbauer. Dikush në Shqipëri e quan një “Pele shqiptar”, një tjetër një “Pushkash i vogël”. Një i tretë e konsideron magjistar përpara portës si një “Gerd Myler në versionin shqiptar”. Një i katërt e konsideron futbollistin si një “viktimë të komunizmit”, që i mbylli rrugën drejt Beshiktashit të Stambollit. Por, Pano, deri në fund të jetës e quajti veten thjesht: një futbollist. Ndërsa ekspertët: një gjeni. Shifrat flasin vetë: më shumë se 350 gola të shënuar gajtë një karriere 23 vjeçare në futboll.
Kujtimet e fundit të Panos përpara largimit në Amerikë
Unë them se në qoftë se do të isha jashtë shtetit dhe të luaja futboll mund të kisha një vlerësim ndryshe nga ç’jam sot, por vlerësimet e mia gjatë gjithë karrierës sime sportive, pavarësisht nga regjimi i tillë që ishte, më kanë vlerësuar duke më dhënë satisfaksionin shpirtëror dhe moral, jo nga ana materiale, por nga ana shpirtërore. Një ndikim të madh kanë dhënë shokët e mi që kam luajtur krahas tyre duke më ndihmuar shumë, njëkohësisht dhe sportëdashësit më kanë dhënë dorë në rritjen e cilësisë sime sportive që sot e kësaj dite, ku kam 35 vjet që e kam lënë futbollin, të gjithë ato që më njohin kanë një respekt dhe një dashamirësi për t’u takuar me mua.
Për golat më të bukur që shënoi
Përafërsisht unë mund t’ju jam një shifër, kam shënuar gjatë gjithë karrierës sime sportive rreth 350 gola, kam bërë 115 ndeshje ndërkombëtare, 24 i kam bërë me emblemë dhe 91 i kam bërë me ekipe klubesh miqësore, kupë kampionesh, kupë kupash, ndeshje miqësore në Kinë. Unë kam shënuar gola shumë të mirë, por kam edhe gola të humbur. Golin e parë që kam shënuar, ku kam vendosur dhe emblemën e kampionit të kategorisë së parë në Shqipëri te Partizani në vitet 1951, ku unë shënova golin e vetëm dhe u ndërpre loja e futbollit që u quajt atëherë “golden goal”. Kam një gol tjetër me emblemën e ekipit kombëtar në vitet 64 me Danimarkën, për herë të parë që merrte pjesë ekipi ynë kombëtar në eleminatoret e Kupës së Kombeve këtu në stadiumin “Qemal Stafa”. Momenti më i bukur i imi ka qenë kur i bëra golin Danimarkës, vesha fanellën e ekipit kombëtar me emblemë. Kam edhe momente jashtëzakonisht jo të mira kur kam humbur gol duke e çuar topin në rrjetë, kam goditur topin, i cili ka shkuar jashtë këtej nga kodrat te sahati, me ndeshjen kundër Torinos në “Qemal Stafa”.
Krenaria për djalin që trashëgoi talentin për futbollin
Kur më lindi djali të them të drejtën unë kisha dëshirë që ta bëja një futbollist të mirë dhe me të vërtetë u bë, por disa kushte jo të tijat, por të drejtuesve të ekipeve kombëtare që kanë qenë në atë kohë nuk e kanë vlerësuar aq sa e vlerësoi një trajner i ardhur në ekipin kombëtar, Agron Sula, të cilin e futi në ekipin kombëtar dhe luajti me Austrinë në eleminatoret e Kampionatit Evropian dhe Botëror. Me ikjen e tij nga Partizani në Greqi në vitet ‘92-‘93 ai u quajt Platini i dytë dhe e cilësuan specialistët grekë dhe gazetarët grekë një nga futbollistët më të mirë të Greqisë në vitet ‘93 deri në vitin 2001.
Ekipet për të cilat bënte tifo
Unë me klube tifoz jam me Interin, kurse me ekipe kombëtare jam Gjermaninë sepse e kam pas simpatizuar shumë dhe të them të drejtën kam debutuar dhe kam qenë konkurrent kryesor kundër ekipeve gjermane si në Kupën e Kampioneve, ashtu edhe me dy ndeshjet e tjera që ne luajtëm me ekipin kombëtar në Dortmund dhe në Tiranë dhe më kanë vlerësuar në mënyrë të veçantë specialistët gjermanë.
Familja
Jam një familjar i mirë dhe nuk i kam hapur kurrë telashe shtëpisë sime. Unë familjes tani i kushtoj shumë rëndësi sepse jam në pension dhe dua të jem sa më pranë familjes për arsye se kur luaja futboll kam qenë larg shtëpisë sepse Partizani dhe Dinamo në atë kohë kërkonin gjithmonë titullin kampion dhe ishim të grumbulluar për ndeshjet e kampionatit tonë kombëtar.
Kanë thënë për Panajot Panon
Loro Boriçi (Mjeshtër i Punës, Mjeshtër i Merituar i Sportit): “Kur ke në skuadër futbollistë si Pano, të lehtësohet shumë puna dhe me pak kujdes mund të arrish në majat më të larta”.
Rexhep Spahiu (ish-trajner i Partizanit: “Më mirë një Pano me një këmbë në fushë, sesa një tjetër me dy”.
Xhavit Demneri (trajneri i parë i Panos): “Për një seleksioner, mendoj se është mjaft të thuash: kam nxjerrë Panajot Panon”.
Refik Resmja (Mjeshtër i Merituar i Sportit): “Pano luajti me një skuadër me emër të madh, me Partizanin me futbollistë cilësorë, por ai ishte supercilësor. Më i madhi mes të mëdhenjve”.
Myslym Alla (ish-trajner i Tiranës): “Në historinë e futbollit tiranas, më të shkëlqyerit kanë qenë Panajot Pano e Skënder Halili. Panon do ta krahasoja me një nga më të mëdhenjtë e Europës, si Krojfi”.
Zihni Gjinali (Mjeshtër i Merituar i Sportit, ish-trajner i Dinamos): “Nuk e kam drejtuar asnjëherë, por e kam parë në stadiume si trajner, futbollist e specialist. Do të thosha se është më i miri i vendit.”
Miço Papadhopulli (ish-futbollist i Partizanit, ish-president i FSHF-së): “Autoriteti sportiv, talenti dhe kontributi i Panajot Panos në futbollin shqiptar është shumë i madh dhe shumë i çmuar, që maten me emra të mëdhenj të fushave të tjera. Ne, që kemi luajtur me të, emocionoheshim, mahniteshim me virtuozitetin e tij. Ah! Sa dëshirë do të kisha që ta shihja përsëri duke luajtur në fushë”.
Mehdi Bushati (ish-futbollist i Dinamos): “Lojtarë si Pano i vijnë rrallë futbollit tonë. Nëse në ato vite kur luajti do të ishte mundësia e lëvizjes së lirë, me cilesitë e mira fizike e teknike, që ai zotëronte, me siguri mund të luante edhe me skuadrat e mëdha të Europës, si Milan, Juventus e deri te Real i Madridit. I tillë “prodhim” brilant i futbollit shqiptar ishte Pano. Ndoshta do të duhen dekada të tëra, që të lindë një tjetër futbollist si ai.”
Medin Zhega (ish-futbollist i Vllaznise dhe Dinamos): “Pano dinte gjithçka, që duhet të dinte një futbollist i klasit të lartë. Pano realizoi gjithçka, që mund të realizonte një futbollist i klasit të lartë në karrierën e tij”.
Mexhit Haxhiu (ish-futbollist i Flamurtarit dhe i Partizanit): “Të luaje me Panon ishte më tepër se një kënaqësi e dëshirë. Me Panon mund të luaje i qetë, pasi ta lehtësonte shumë lojën. Ai ishte kryefjala e futbollit shqiptar, duke realizuar të pabesueshmen, ishte i thjeshtë dhe joegoist, saqë asnjëherë nuk e përdori fjalën “Une”, “une gjuajta”, “unë pasova”, “unë shënova”… Kjo modesti ia rriti më tepër personalitetin”.
Fatmir Frashëri (ish-futbollist i Tiranës dhe i Partizanit): “Pano është një nga legjendarët e futbollit shqiptar, i pakrahasueshëm për kohën, kur luajti si sulmues. Spikaste për aftesinë e jashtëzakonshme me top, që do të ishte edhe arma kryesore e tij. Edhe kur driblonte kundërshtarin, e bënte në mënyrë origjinale, që mund të quhet “stili Pano”.
Panajot Pano në statistika
Trofe:
1957 – Kampion me të rinjtë e “17 Nëntorit”.
1960 – Golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1961 – Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1963 – Kampion kombëtar me Partizanin, medalje argjendi në turneun e Ushtrive të Vendeve Socialiste.
1964 – Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë.
1966 – Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1967 – Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1970 – Fitues i Kupës së Shqipërisë, fitues i Kupës Ballkanike midis klubeve, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1971 – Kampion kombëtar me Partizanin.
1973 – Fitues i Kupës së Shqipërisë.
5 herë fitues i anketës të “Sporti Shqiptar” (10 sportistët më të mirë të vitit),
2000 – Fitues i anketës “Sportisti më i mirë i shekullit”, fitues i anketës së gazetës “Sporti Shqiptar”: “11-shi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar”, “11-shi më i mirë i 50 dhe i 55 kampionateve kombëtare”.
1979 – Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
1980 – Fitues i Kupës së Shqipërisë, si zv/trajner i Partizanit.
1981 – Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
Dekoratat: Urdhri i Artë “Mjeshtër i Madh”, Urdhër Pune i klasit 2, Urdhri “Naim Frashëri i klasit 3,2,1″, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, medalja “Urdhëri i Meritës” për 100-vjetorin e FIFA-s.
I zgjedhur: Më 1999 president nderi i Partizanit, më 2002 president nderi i FSHF-së.
– Hobi: muzika popullore shqiptare dhe ajo greke.
– Idhulli: si futbollist, Pele; si skuadër, Gjermania.
– Karriera si futbollist: e filloi në vitin 1954 dhe e mbylli në maj 1975.
– Trajnerët që e kanë stërvitur: A.Karapici (në moshën 14-15 vjeçare), Xh.Demneri (16-17), M.Alla (18-19), R.Spahiu (trajneri i parë te Partizani), L.Boriçi, R.Resmja, K.Kraja, B.Birçe, I.Shuke, Z.Konçi (trajneri i parë me kombëtaren), Bolanesku (rumun).
– Ndeshja e parë zyrtare me të rinjtë e Tiranës: ndaj të rinjve të Peshkopisë, 18 korrik 1956, për kampionatin kombëtar.
– Goli i parë i karrierës me të rinjtë: ndaj Kukësit, 5 gusht 1956
– Ndeshja e parë me të rriturit: ndaj Besës, në vitin 1957, për Kupën e Shqipërisë, me fanellën e 17 Nëntorit (Tiranës).
– Ndeshja e parë në kampionatin kombëtar: me 17 Nëntorin, më 4 maj 1958, ndaj Dinamos (4-0). Pano shënon dhe golin e tij të parë.
– Ndeshja e fundit, si futbollist i 17 Nëntorit: ndaj Besës, më 9 dhjetor 1959 (4-2), ku ka shënuar golin e fundit për bardheblutë.
– Ndeshja e parë me Partizanin: më 14 shkurt 1960, ndaj Dinamos (3-0), ku dhe ka shënuar golin e tij të parë për të kuqtë.
– Ndeshja e parë ndërkombëtare me Tiranën: ndaj skuadrës sovjetike “Krahët e Sovjetëve” (Kujbishev), në vitin 1957.
– Ndeshje si përforcues me 17 Nëntorin: më 6 mars 1960, ndaj rusëve të Admiraltejec; më 28 gusht 1969, ndaj Standart Liezh (Belgjikë)
– Ndeshja e parë ndërkombëtare me Partizanin: mars 1960, ndaj Nojebrandenburg (e fituar 3-2), në turneun në RDGJ.
– Goli i parë i karrierës: ndaj Besës, më 1957, për Kupën e Shqipërisë.
– Goli i parë në takime ndërkombëtare: ndaj Moldava të Kishinjevit, në turneun e 17 Nëntorit në BS, në vitin 1958.
– Goli që i ka sjellë më shumë kënaqësi e sukses: ai i shënuar ndaj Dinamos, në vitin 1961, në finalen me dy ndeshje, që zgjati 242 minuta. Ky gol e shpalli Partizanin kampion, titulli i parë dhe për Panon.
– Goli më i bukur: i shënuar ndaj kombëtares së Danimarkës (1963).
– Më tepër gola në një ndeshje: 4 ndaj Vllaznisë së Shkodrës; në takimet ndërkombëtare, ka shënuar 3 gola ndaj Forverts të Berlinit, në turneun e Vietnamit.
– Hidhërimi më i madh: kur, nga një distancë fare pranë portës së boshatisur, nuk mundi të shënojë ndaj Torinos, në një ndeshje për Kupën e Kupave, në “Qemal Stafa” (1968)
– Gola nga distanca mbi 20 metra: ndaj Olimpikes bullgare, Vakerit, Advidabergut, ndërsa ndaj Vllaznisë mbetet ndër më të bukurit.
– Penallti të humbura: vetëm tri gjuajtje nga 11-metërshi.
– I përjashtuar nga gjyqtari: dy herë.
– Ndeshja e lamtumirës: Partizani -17 Nëntori, më 23 maj të vitit 1975.
– Titulli i parë kampion kombëtar: me Partizanin, në vitin 1961.
– Kupa e parë e Shqipërisë e fituar: me Partizanin, në vitin 1961.
– Numri i fanellës: 10.
– Ndeshja e parë me ekipin kombëtar: më 24 qershor 1963, me Danimarkën në Kopenhagen (0-4).
– Ndeshja e fundit me kombëtaren: më 7 nëntor 1973, ndaj përfaqësuese kineze.
– Më shumë gola në takime ndërkombëtare: në vitin 1963 (11).
– Gjithsej gola në takimet ndërkombëtare: 34
– Skuadra e huaj, me të cilën është ndeshur më tepër: me Fenerbahçen 7 herë (3 herë më 1961 me Partizanin, 2 herë me Dinamon në vitin 1962 dhe 2 herë me Partizanin në vitin 1967).
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





