Tiranë, 14 qershor 2014 – Fakti që publikuam para dy ditësh mbi ofertën që zv/shefi i misionit amerikan i ka bërë Mehmet Shehut për të marrë pushtetin (duke vrarë Enver Hoxhën) dhe refuzimi i Mehmetit për ta bërë këtë, ka ngjallur shumë diskutime. Ka nga ata që mendojnë se ky fakt vërteton se Mehmeti ka qenë agjent i CIA-s. Në fakt, e vërteta është tjetër. Logjika më e thjeshtë është se një agjent i bindet urdhrit, nuk e diskuton atë. Në gjithë librin e Lucasit, i cili ka hulumtuar me kujdes dokumentet sekrete të kohës së luftës, nuk provohet një fakt i tillë. Me këtë rast ai sjell dhe një dëshmi tjetër të Nik Kukiçit, ku Mehmetit i përsëritet oferta.

Ndërkaq, në këtë pjesë të tretë të rrëfimit të Peter Lucasit, sjellim atmosferën e mbërritjes në Helmës të Skraparit të dy misionarëve ushtarakë sovjetikë, marrëdhëniet e komplikuara të Enverit me aleatët anglo-amerikanë dhe pse ai kërkoi largimin e disa misionarëve anglezë që kishin bashkëpunuar dhe ndihmuar ballistët dhe zogistët. Ja, pra se çfarë ka ndodhur 70 vjet më parë, sipas dokumenteve sekrete amerikane.

Kukiç: Shehu nuk donte t’i zinte vendin Hoxhës

Ja si e përshkruan këtë moment Lucasi:

Kukiçit i la shumë mbresa takimi me Shehun. Shumica e ushtarakëve aleatë u kishte bërë përshtypje Shehu. Kukiçi thotë, “Shehu ishte tepër i saktë dhe njerëzit i bindeshin atij. Ata kishin frikë nga Shehu”. Burrat dhe djemtë që përbënin ushtrinë partizane e respektonin Hoxhën, por ata i ndruheshin Shehut. “Ata ishin më të frikësuar nga Shehu se sa nga Hoxha. Çdokush ishte i frikësuar prej tij. Ai ishte një luftëtar. Ai kishte luftuar në Spanjë dhe dinte si të luftonte. Ai ishte i përgatitur. Ishte tepër i kualifikuar dhe fliste anglisht. Ai ishte një nga ata që kishte kryer shkollën e Fullcit. Ne nuk kishim nevojë për përkthyes”, thotë Kukiçi. “Ai ishte ushataraku i ushtarakëve”.

Kukiçi thotë se Shehu, guximtar në betejë, ishte në thelb një burrë i kujdesshëm kur kishte të bënte me politikë. Megjithëse një komunist i sprovuar, Shehu tregonte pak interes për çdo gjë që nuk kishte të bënte me çështjet ushtarake. Ai u shmangej bisedave mbi çështjet politike. “Por ai ishte një ithtar i vërtetë i komunizmit”, shprehet Kukiçi. “Ai donte të ishte një gjeneral sikurse ishte në të vërtetë. Unë nuk mendoj se ai donte të ishte në vendin e Hoxhës”.

“Kur unë desha ta njoh më mirë, i fola për marrjen e pushtetit nga Hoxha. Personalisht unë doja që pushtetin ta merrte Shehu. Unë i thashë: ‘Ju mund ta merrni pushtetin, nëse doni’. Dhe ai m’u përgjigj: ‘Niko, mos përmend me mua gjëra si ajo që the. Unë shkoj në xhehenem, vetëm larg nga ju.’ Shehu e dinte që Hoxha nuk ishte ushtarak edhe pse vishej si i tillë. Shehu e dinte se mund ta merrte drejtimin e vendit. Ai mund ta kishte vrarë Hoxhën. Por ai nuk i donte gjërat që kishin të bënin me politikën”, thotë Kukiçi.

Pas një bisedimi si ky, Shehu do të këmbëngulte që kur Kukiçi donte ta takonte, do ta takonte në qiell të hapur dhe jo në çadrën e komandës së tij. “Ai do të më bënte të ditur mua se sa gjermanë ishin vrarë atë ditë dhe informacione të këtij lloji të cilat unë ia dërgoja Barit”, rrëfen Kukiçi.

         Vlerësime kontradiktore për Mehmet Shehun

Le të shikojmë disa vlerësime që misionarët aleatë kishin për Mehmet Shehun.

Ndërsa Kukiçi e çmonte së tepërmi Shehun, disa oficerë të tjerë të aleatëve, konkretisht anglezët e SOE-s, kishin një opinion tjetër. Një nga misionarët më autoritarë anglezë në Shqipëri gjatë Luftës, është padyshim Rexhinald Hiberti, flet me shumë simpati për Mehmet Shehun. Hiberti e takoi Shehun gjatë betejës së parë për Dibrën në qershor 1944, shkruan, “Ai ishte qartaz një burrë i vendimit dhe i zgjidhjes ndaj dhe ne u përfshimë menjëherë në tërheqjen e tij në Maqedoni. Shpejtësia me të cilën ai veproi na befasoi pas aq muajsh mosveprimi nga çdo shqiptar që ne kishim takuar”. Mirëpo jot ë gjithë men donin si Hiberti.

Majori Peter Kemp, i cili u takua me Shehun në pranverë të vitit 1943, shkruante 15 vjet më pas: “Komandant i Brigadës ishte Mehmet Shehu, një ushtarak i ashpër, energjik dhe i zoti, i cili do të bëhej kryeministër i Republikës Popullore shqiptare. Ndryshe nga shumica e drejtuesve partizanë, ai kishte tashmë një përvojë praktike të luftimeve të rëndësishme, pasi kishte komanduar një kompani të Brigadave Internacionale në Spanjë; ai gjithashtu ndryshe nga shumica e tyre fliste mirë anglisht. Një njeri i hidhur e fjalëpak, me ambicie të pamëshirshme, kurajë të jashtëzakonshme dhe egërsi të neveritshme – ai personalisht kishte therur shtatëdhjetë italianë pas një beteje – ai admironte cilësitë ushtarake të [Major Billi] Maklinit dhe [Major Dejvid] Smajlit dhe çmonte ndihmën që ata i jepnin atij”.

Smajli, në kujtimet e tij të luftës të botuara në vitin 1984, përsërit disa nga ato që shkruan Kempi: “Mehmet Shehu ishte një burrë rreth të tridhjetave, i prerë, i ashpër, i ngrysur, verdhacuk, i cili rrallë buzëqeshte… Ai fliste mirë anglisht, ishte shumë i zoti dhe kishte shumë më tepër njohuri ushtarake se shumica e shqiptarëve të tjerë… Ai kishte famë për trimërinë, mungesën e mëshirës dhe egërsinë – ai mburrej se kishte therur me dorën e tij shtatëdhjetë karabinierë italianë që ishin kapur rob. Unë isha krahas tij në fillim, meqenëse si ushtarakë kishim ca gjëra të përbashkëta; por ai nuk e fshihte antipatinë për çdo gjë britanike, ndaj marrëdhëniet e mija me të u përkeqësuan”.

Që Shehu ishte një komandant i zoti, që kishte namin e të qënit i pamëshirshëm, që urrente anglezët dhe mund të fliste anglisht, është bukur shumë korrekte. Përveç Kempit, dhe Smajlit që rishkruan Kempin, nuk ka konfirmim që të ketë ndodhur një incident i tillë. Historia e Shehut i ngjan më shumë tregimit të Sterling Hajdnit për kolegët e tij serbë të udhëtimeve detare që vranë tridhjetë italianë të strukur në një shpellë.

Kukiçi tallet me përrallën e Kempit për Shehun.

Një nga arsyet kryesore që Kempi nuk e pëlqente Shehun buronte nga Lufta Civile e Spanjës. Vetëm pak vite para se të mbërrinte në Shqipëri, Kempi kishte luftuar si një vullnetar në anën e Monarkistëve (fashistëve) në Spanjë, ndërsa Shehu kishte luftuar në anën tjetër me Republikanët (komunistët). Tash Kempi ishte duke luftuar me komunistët shqiptarë kundër ish shokëve të tij – fashistëve italianë dhe nazistëve. Nuk ishte e çuditshme atëherë që Shehu jo vetëm e ktheu mbrapsht mospëlqimin e Kempit, por edhe nuk i besoi kurrë atij.

Mbërritja e misionit sovjetik

Ndërkohë që nuk po bëhej asgjë për t’i dhënë formën e kërkuar personelit të OSS-it në Helmës deri në kthimin e Stefanit, Hoxha ishte i pakënaqur. Ai nuk e pëlqeu përgjigjen e Fulcit. Një ditë ai e hoqi mënjanë Kukiçin dhe i tha se nuk do të tërhiqej në këtë pikë. “Jam unë ai që vendos se kush duhet të qëndrojë e kush duhet të shkojë”, i tha Kukiçit. “Askush tjetër. Amerikanët nuk do të më tregojnë mua se çfarë duhet të bëj, anglezët gjithashtu nuk më tregojnë dot se çfarë duhet të bëj. Askush nuk më tregon mua se çfarë të bëj”.10 Ai dukej tej mase i gëzuar kur u krijonte probleme Aleatëve në përgjithësi dhe anglezëve në veçanti. Duket se Hoxha e kaloi tërë muajin gusht të 1944-ës duke sajuar ngatërresa për Aleatët, në një kohë që Stefani ishte larg në Bari. Ai ankohej vazhdimisht për furnizimet që priteshin. Ajo që nuk merrej dot me mend ishte shkalla e pakënaqësisë së tij ndërkohë që muaji po kalonte. Ka të ngjarë, por që nuk mund të provohet, se sjellja jomiqësore në rritje e Hoxhës vinte nga fakti që Stefani nuk ishte atje që ta këshillonte të bënte ndryshe.

Hoxha dukej se i pengonte qëllimisht Aleatët nga sjellja e tij e hapur servile ndaj Bashkimit Sovjetik. Ai gjithashtu kërkonte të sfidonte anglezët duke i kërcënuar me kapjen e operativëve të SOE-s të cilët ishin ende me Abaz Kupin në veri.

Kur përfaqësuesit e Bashkimit Sovjetik mbërritën në Helmës më 11 gusht, Hoxha u soll sikur rusët të kishin dërguar një divizion të trupave të tyre speciale dhe jo vetëm dy oficerë, një Major që e quanin Ivanov dhe një toger që quhej Turin. O’Kifi thotë se atyre dyve iu bë “një pritje e jashtëzakonshme” pavarësisht se ata erdhën duarbosh. “Ne më vonë mësuam nga një bisedë me rusët se detyrat e tyre mbi të gjitha ishin të natyrës sekrete dhe se ata nuk kishin ndërmend të furnizonin partizanët në asnjë mënyrë”.

Kukiçi, në një mesazh të 19 gushtit për Fulcin, përshkruante mbërritjen e dy rusëve në këtë mënyrë: “Ata u pritën me ovacione të tilla saqë nuk kanë për t’u harruar kurrë nga asnjë prej Janki-ve të këtushëm. Ptz (partizanët) filluan të qëllojnë me të gjitha armët që ata kishin për dy orë rresht. Në ato momente menduam se lufta kishte mbaruar”.

Kukiçi thotë se Major Llajëni shtroi një drekë për dy rusët një ditë pasi ata kishin mbërritur, por nuk arriti të ftonte Enver Hoxhën ose Shtabin. Duket e tepërt të thuhet se Hoxha e bëri këtë si një fyerje tjetër ndaj anglezëve. Kështu, kur Kukiçi shtroi një drekë të OSS-it për dy rusët, Hoxha jo vetëm mori pjesë në të, por solli përkrah tij krejt stafin. Pavarësisht se nuk u bë asnjë diskutim politik, Kukiçi do të raportonte se Dr, Nishani bëri disa insinuata “të holla” për Major Llajënin mbi furnizimet e Aleatëve, të cilat ishin të gjitha amerikane. Llajëni u përgjigj, “Po, edhe uniforma ime është amerikane”, raportonte Kukiçi.

Kukiçi thotë se rusët, të cilët flisnin serbisht, ishin të shqetësuar që partizanët nuk kishin armë të mjaftueshme, edhe pse mendohej se ata ishin furnizuar me to. “Ai tha gjithashtu se ishte vepruar keq që robërit ishin vrarë”, rrëfen Kukiçi.

Kukiçi njoftonte gjithashtu se Hoxha ishte aq shumë i kënaqur me drekën saqë e ftoi atë në zyrën e tij dhe i dha atij disa raporte që nuk ua kishte dhënë anglezëve. Kukiçi, pasi u mor vesh me Hoxhën, ia nisi ato menjëherë Fulcit.

Një nga synimet e Hoxhës gjatë gjithë luftës ishte të jepte përshtypjen që lëvizja partizane ishte bërë e tillë nga njerëz me pikëpamje të ndryshme politike, jo vetëm nga komunistët. Kjo pikëpamje duket se ishte pikasur nga Kukiçi. Në raportin e tij të 19 gushtit për Fulcin, Kukiçi shtonte: “Unë kam biseduar me shumë ptz. (partizanë) dhe mendimi im është që ata nuk janë të gjithë të kuq, sikurse kanë thënë njerëz të tjerë. Nëse një person përshëndet me grusht, ai nuk duhet konsideruar se është me doemos i kuq. Ata thonë se përshëndetja me grusht është diçka që tregon se ata janë të bashkuar. Me kohë ata mendojnë ta zëvendësojnë këtë përshëndetje me atë ushtarake. Unë kam pyetur ca nga studentët tuaj dhe përqindja e atyre që janë komunistë më del se nuk është më shumë se 6-7 për qind. Disa nga udhëheqësit Ptz. janë të kuq, por shumica duan një qeveri demokratike.”

“Dreka” e Kukiçit për partizanët nuk ishte drekë në kuptimin tradicional amerikan. Dreka shqiptare, e cila ka kuptimin e vaktit të drekës, ishte një angazhim katër orësh me mish të bollshëm qingji që servirej me bukë, pilaf orizi, patate, djathë, ullinj dhe sallatë. Mysafirët pinë rakinë vendase, uiski nëse ndodhet, gjithashtu verë dhe birrë. Cigaret e konsumuara nuk llogariten pasi shqiptarët janë pirës të mëdhenj të duhanit. Megjithëse ushqimet ishin të garantuara, ca monedha floriri duheshin mbajtur me vete për çdo rast. Pas ngrënies gjithsekush merrte një sy gjumë.

Enveri kërkon dëbimin e anglezëve

Përse Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk i donin, madje i urrenin anglezët? Lukasi thotë se ne (amerikanëve) Enveri nuk na donte, por anglezët i urrente. Cilat ishin arsyet? Lukasi e shpjegon dhe këtë:

Ndërkohë që mbërritja e rusëve nuk ishte ndonjë befasi për Aleatët, ajo solli ndryshime në lëvizjet e ardhshme të Hoxhës. Një javë pas drekës, Hoxha thirri Kukiçin, Majorin Llajën dhe Majorin rus Ivanov në zyrën e tij. Hoxha këmbënguli në largimin nga Shqipëria të tre oficerëve anglezë që ishin me armikun e Hoxhës, Abaz Kupin. Ata tre ishin togeri i SOE-s Billi Maklin, kreu i misionit anglez pranë Kupit, Majori Dejvid Smajli dhe Majori Xhorxh Sejmur (George Seymour).

Në një mesazh të 26 gushtit për Fullcin, në të cilin citonte Hoxhën drejtpërdrejt, Kukiçi njoftonte se Hoxha kishte thënë: “Iu është bërë e qartë [nënkolonelit Alan] Palmerit dhe [Majorit Filip] Likut që ne nuk mund të njohim asnjë anëtar të misioneve Aleate që është në kontakt me kuislingët. Ne kemi ndihmuar një numër të këtyre njerëzve jashtë territoreve armike por një pjesë vazhdon të mbetet me Kupin, i cili po lufton tok me gjermanët kundër nesh. Këta oficerë, Maklini, Smajli dhe Sejmuri [të cilët janë gati duke u larguar nga vendi] janë duke organizuar reaksionarët kundër nesh. Oficerët Aleatë nuk mund dhe nuk duhet të punojnë me kuislingët. Këta njerëz nuk mund të quhen më Aleatë dhe ne do t’u japim atyre pesë ditë afat për të ikur nga Shqipëria, ose ata t’u bashkohen anglezëve të tjerë për t’u larguar. Nëqoftëse këta oficerë nuk tërhiqen brenda këtij afati që u kemi dhënë, do të dërgojmë patrulla partizane t’i kapin dhe ata do të gjykohen nga një gjykatë ushtarake partizane. Kjo nuk është shaka dhe ne do të dimë të mbrojmë veten tonë”. Kukiçi shtonte: “Kjo është deklarata e saktë e Gjen. Hoxhës në natën e 25 gushtit 1944″.

Peter Lucas: Pse e shkrova këtë libër

Unë ndesha me historinë e OSS-it shqiptar krejt rastësisht. Siç ndodh shpesh në jetë, unë u nisa me dëshirë për diçka tjetër, dhe ndesha një tjetër. Unë doja të shkruaja një libër për Enver Hoxhën nga pikëpamja e ushtarëve partizanë që luftuan për të më 1943 dhe 1944. Unë doja të gjeja se ç’njeri ishte ai në atë kohë. Ç’mendonin njerëzit për të? Nga fundi, bashkë me shoqëruesin tim shqiptar Agim Prodani në krah, intervistuam nja një gjysmë duzine nga këta partizanë të moshuar në Tiranë më 2002. Unë i takova ata në klubin e tyre të veteranëve plot me tym në Tiranë, në restorante dhe kafene ose në shtëpitë e tyre.

Ndërsa unë intervistoja këta luftëtarë të vjetër, zbulova që ata, përveçse kishin bërë një luftë të ndershme kundër fashistëve dhe nazistëve me Enver Hoxhën – dhe çliruan vendin e tyre – dhe, megjithëse ishin krenarë për arritjet e tyre, e kishin të vështirë të kujtonin njeriun Hoxha. Ata ishin shumë të rinj në atë kohë, djem gjithë-gjithë katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeç. Hoxha, komandanti, atëherë ishte tridhjetë e pesë vjeç. Ai ishte një figurë e largët, gati mitologjike për këta djem të rinj. Ata dinin për të, por nuk e njihnin atë. Ata kurrë nuk kishin biseduar me të dhe ai kurrë nuk kishte biseduar me ta. Ata tepër rrallë vetëm e kishin parë. Ai ishte gjeneral-hero i Shqipërisë, shpëtimtari i kohës së tij, një njeri shumë lart mbi vendin e tyre modest në jetë. Ata e adhuronin, por nuk e njihnin atë.

Unë u përballa me një fotografi të Hoxhës dhe shokëve të tij duke parakaluar në paradën e fitores në Tiranë më 28 nëntor 1944. Ishte në librin e Hibertit. Në foto në radhën e tretë ishte një njeri i identifikuar si Kapiteni Tom Stefan, një oficer amerikan i ndërlidhjes.

Duke përjashtuar Kapitenin Llojd Smith, i cili kishte ndihmuar në shpëtimin e infermiereve amerikane, unë nuk e dija që OSS-i kishte qenë në Shqipëri. Kush ishte ky Kapiten Tomas Stefan? Dhe çfarë kishte bërë OSS-i në Shqipëri? Shqiptarët nuk dinin gjë. Shumica e amerikanëve nuk dinin. Anglezët nuk i kishin kushtuar vëmendje. Hoxha kishte shkruar historinë e asaj periudhe, por në një mënyrë jo të sinqertë. Ai e kishte shkruar historinë ashtu siç e donte ai të ishte. Anglezët ishin pjesë e historisë, por Hoxha i konsideronte gjithnjë anglezët tradhtarë. Amerikanët zinin një vend krejt të parëndësishëm. Kur Hoxha i referohej Fulcit apo Stefanit, i tallte ata dhe i quante spiunë dhe lakej të anglezëve.

/gazeta "Dita"/