Durrës, 3 maj 2014 – Skenarët europianë intrigojnë Superligën Shqiptare. Me sigurimin e titullit të katërt nga Skënderbeu dhe vendit të dytë pothuajse të blinduar nga Kukësi, lufta për dy biletat e mbetura të Europa League bëhet edhe më e ashpër ku disa kombinacione të ndryshme mbajnë në lojë Partizanin e vendit të tretë dhe Teutën e Laçin. Fati i biletës për në Europa League varet shumë edhe nga finalja e Kupës së Shqipërisë, pasi nëse Flamurtari arrin të mundë Kukësin, do të çojë në Vlorë jo vetëm trofeun, por edhe biletën për në Europë.

Në këtë rast, vendet vakante do të jenë dy dhe duke marrë të mirëqenë faktin se Kukësi ndodhet më pranë zonës europiane, atëherë tre skuadrat e tjera mund të luftojnë për një vend.

Në javën e 32-të Teuta e ka tre pikëshin e sigurt për shkak të fitores në tavolinë 3-0 ndaj Bylisit, ndërsa Partizani i vendit të tretë me 2 pikë më shumë se Laçi, pret në shtëpi Skënderbeun që takimin e radhës mund ta konsiderojë edhe si miqësore pasi siguroi matematikisht titullin kampion.

Në këtë rast, suksesi i mundshëm i Laçit në sfidën me Kastriotin do ta mbante të pandryshuar klasifikimin duke e shtyrë çështjen europiane për në javën e fundit ku Kurbinasit dhe Teuta do të shkonin me pikë të barabarta.

Në sfidën mbyllëse të këtij sezoni, bardhezinjtë e Stavri Nicës udhëtojnë drejt Korçës, ndërsa Teuta viziton Shkodrën. Dy transferta të vështira ku me shumë mundësi do të gatuhet edhe fati i këtij sezoni për dy skuadrat në fjalë pasi Partizani udhëton drejt Lushnjes pa objektiva.

Një kampionat që do të mbajë në ankth tifozeritë respektive deri në minutën e fundit, sepse Europa është e vetmja dritare prestigji për klubet e kampionatit shqiptar. Të gjitha ndeshjet do të luhen në 4 maj të dielën në orën 17.00.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/