Tiranë, 3 maj 2014 – Është padyshim njëra ndër këngëtaret më të dashura të skenës sonë. Bëhet fjalë për këngëtaren Aurela Gaçe të cilës edhe një herë iu dëshmua se sa e dashur është ajo për publikun.
Ditën e djeshme (e premte), vetë këngëtarja ka publikuar në faqen e saj zyrtare në ‘Facebook’ një pjesë të një letre nga një djalë i cili është i burgosur.
Në këtë letër ai i shkruan familjes së vetë, ndërkohë që i tregon se mërzinë dhe adrenalinën e gjen tek kënga e Aurela Gaces. “Kur dua më shumë ta rris adrenalinën dëgjoj këngën e Aurela Gaces, ‘Boom, brom, boom’. Kjo këngë të bën të ndihesh më i fuqishëm në momente të vështira”, ishte kjo një pjesë prej fjalive që ai kishte shkruar. E kjo letër si duket e ka prekur këngëtaren e cila e ka postuar në ‘Facebook’, ndërsa pranë fotos ka lënë edhe mbishkrimin.
“E falënderoj shume këdo që e dërgoi këtu …dhe falënderoj djalin i cili gjen adrenalinën e mirë në një nga këngët e mija … ishte prekëse kur e lexova”, ishte mbishkrimi i këngëtares, e cila me këngët e saj duket se i jep forcë edhe atyre që janë në pozicione të vështira të jetës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





