Spanjë, 3 maj 2014 – Barcelona duket se nuk do ta arrijë Atletico Madridin në garën për titullin e La Ligas. Katalunasit barazuan me rezultat 2-2 kundër Getafes në Camp Nou.
Daniel Alves pranoi një top dhe sulmoi nga e djathta para se të pasonte te Lionel Messi në zonë dhe argjentinasi realizoi (23’).
Mirëpo, Angel Lafita e barazoi rezultatin (37’). Edhe pse asistenti e çoi flamurin për ndërhyrje të palejueshme, arbitri kryesor e pranoi golin.
Përkundër rasteve të shumta në gjysmën e dytë, Blaugranët nuk arritën ta rikthenin epërsinë deri në minutën e 67-të.
Mbrojtja mysafire nuk arriti ta pastrojë si duhet një krosim nga e djathta dhe aty ishte Alexis Sanchez për ta shfrytëzuar momentin (67’).
Mirëpo, në fund të ndeshjes ishte përsëri Angel Lafita që nxori një pikë të artë për ekipin e tij, duke i lënë Blaugranët thuajse jashtë garës për titullin e Spanjës (90’).
Barcelona ka tri pikë më pak se lideri Atletico Madrid që këtë javë luan në shtëpi të Levantes.
Real Madridi gjendet tri pikë prapa Blaugranëve, por ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. Këtë javë luan kundër Valencias në Bernabeu.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





