Ukrainë, 3 maj 2014 – Qeveria e Ukrainës ka rinisur aksionin ushtarak për të frenuar protestuesit pro-rusë në lindje të vendit, një ditë pas akteve të rënda të dhunës në Odesa. Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov konfirmoi se faza aktive e operacionit vazhdoi në agim, me sulme përreth qytetit Kramatorsk. Ministri Avakov deklaroi se trupat ukrainase të shtunën kanë marrë nën kontroll kullën televizive në Kramatorsk, që ndodhet pranë bastionit të pro-rusëve të Slovianskut.
“Ne nuk do të ndalemi”, deklaroi Avakov në një postim në faqen e tij në Facebook. Sipas tij, pro-rusët kishin sulmuar forcat e armatosura dhe dy ushtarë ukrainas janë vrarë. Ndërsa vetë separatistët deklaruan se viktimat në radhët e civilëve ishin tre. Operacionet vijnë një ditë pas betejës mes grupeve pro-Kievit dhe separatistëve në Odesa, që kulmuan me zjarrin në selinë e Sindikatës së Tregtisë.
Ditën e premte, dhjetëra persona humbën jetën nga zjarri që përfshiu ndërtesën e marrë nën kontroll nga separatistët pro-rusë në Odesa, në jug-perëndim të vendit. Autoritetet deklaruan se shumica e njerëzve që ndodheshin brenda humbën jetën të asfiksuar nga tymi, ndërsa të tjerët u hodhën nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





