Festa zikaltër për titullin e 19-të kampion është afër. Interi mposht 2-0 Crotonen në transfertë dhe tani titullin nuk mund t’ia heq askush nga duart dhe i nevojitet vetëm 1 pikë në ndeshjen e ardhshme ndaj Sampdorias. Por ka edhe një mundësi tjetër, që nëse Atalanta nuk fiton të dielën ndaj Sassuolos, automatikisht Interi shpallet kampion pa luajtur ndeshjen tjetër në “San Siro”.
Për të kaluar te ndeshja, skuadra e Contes bëri detyrën dhe u tregua shumë e kujdesshme ndaj Crotones, ku pjesa e parë përfundoi pa gola ndërsa në të dytën u desh aktivizimi i Sanchez me Eriksen për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Ishte pikërisht fantazisti danez që pas një kombinimi me Lukakun, me të djathtën mposhti portierin duke lehtësuar zikaltërit.
Lukaku gjeti golin e dytë me një kundërsulm, por u anulua me VAR për pozicion të parregullt në aksion teksa vulën e vuri Hakimi me një kundërsulm në 92’ duke e mbyllur ndeshjen 2-0. Gjithsesi Interi mund të quhet kampion me meritë dhe diferenca me vendin e dytë është plot 14 pikë.





