Nga Artan Hoxha
Ekzekutimi mafioz i Gjin Nikës dhe i një personi që e shoqëronte është interpretuar si vrasja e një biznesmeni nga media,dhe si vrasje për hakmarrje apo larje hesapesh nga Policia. (Nuk po them që media, pasi i ka marrë gjithë fotot publike të viktimës në ‘Facebook’, ka vendosur dhe logon e ekskluzivitetit sipër tyre). Gjin Nika nuk ishte dhe nuk ka qenë kurrë biznesmen, por ka zhvatur biznesmenë, u ka vendosur gjoba, i ka kërcënuar, u ka bërë presion, madje u është futur dhe si aksioner, pasi në të kundërt ata nuk mund të ushtronin aktivitetin e tyre. Dyshohet dhe akuzohet si autor i disa vrasjeve të bujshme, përfshirë konfliktin e vrasjeve me grupin e Qerim Markut në Bulqizë. Është e turpshme që një person me kaq shumë precedentë penalë, sidomos vrasje, të etiketohet si biznesmen, kur deri dje mediat mundoheshin të mos ia përmendnin emrin. Është e turpshme që policia dhe sistemi i dështuar i drejtësisë në Shqipëri kanë lejuar një maskaradë të tillë, e cila tashmë është kthyer në një masakër me mbi 12 persona të vrarë. Policia për vite me radhë nuk arrinte ta arrestonte dhe të merrte në mbrojtje bizneset e zhvatura dhe gjobitura prej tij në të famshmen Zona D, zona më e pasur me mineral kromi në Bulqizë. Pasi u arrestua më datë 19 janar 2014, në disa emisione kam deklaruar se arrestimi i tij ishte suksesi më i madh i policisë nga shtatori i kaluar deri në janarin e këtij viti. Në datën 21 janar gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë të “arrestit me burg pa afat”, pasi dyshohej si autor i vrasjes së një biznesmeni dhe për plagosjen e një shtetasi tjetër. Vetëm tri javë më vonë, më 10 shkurt 2014, Gjykata e Apelit, që lë në burg pa afat qindra xhepistë e hajdutë pulash, e liroi nga burgu me pretendimin se nuk përputheshin deklarimet e dëshmitarëve. Tani policia dhe prokuroria, në vend që të hetonin krimet që kishte bërë Gjin Nika dhe grupi i tij (të cilat mesa duket s’kanë për t’u zbardhur kurrë), duhet të hetojnë autorët që vranë vetë Gjin Nikën. Ndërsa e njëjta treshe e gjyqtarëve të Apelit, pasi shijoi dhuratën e vendimit të 10 shkurtit, sot ka dhënë një tjetër vendim po aq të pabesueshëm. U ka lënë afat autoriteteve italiane vetëm 5 ditë kohë për të sjellë dosjen e ekstradimit për Arben Isufajn (Ben Qimja), ndryshe ditën e martë, më datë 8 prill, Ben Qimja do të jetë i lirë. Policia e cilësoi arrestimin e tij, për arsye ekstradimi drejt Italisë, si një nga sukseset më të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar. Gjykata e Tiranes kishte vendosur masën e sigurisë të “arrestit me burg pa afat” deri në ekstradimin e Isufajt, por treshja e Apelit sot e ndryshoi këtë vendim duke lënë vetëm 30 ditë kohë, pra edhe 5 ditë. Në një mungesë totale të autoritetit të shtetit, i cili ka mbetur i shpartalluar krejtësisht prej korrupsionit dhe inkriminimit të sistemit të drejtësisë, i bie më mirë të lash hesapet vetë, sesa të presësh që këtë punë ta bëjë ligji.
http://gazetadita.al/biznesmeni-gjin-nika-dhe-drejtesia-shqiptare/





