Itali, 5 prill 2014 – Hasan Bibi, 29 vjeç, nga Durrësi por banor me dokumenta të rregullta në qytezën e Konversanos, u arrestua nga roja e financës. Ai po udhëtonte me një automjet tip Fiat 500, kur u ndalua nga financierët. Makina e vjetër, që përdorej për të mos rënë në sy, nuk i mjaftoi kësaj rradhe Hasanit. Financierët kishin sinjalizim paraprak, prandaj dhe i bënë kontroll të detajuar veturës.
Nga kontrolli i ushtruar në makinë, u gjet fshehur poshtë sediljes së prapme një pako me heroinë më peshë 500 gramë. 30 000 euro ishte vlera e drogës sipas çmimit të shitjes me pakicë. Pas arrestimit Hasani u dërgua në burgun “Borgo San Nikola” të qytetit të Leces.
Në celularin e Hasanit finacierët gjetën të dhëna interesante për kontaktet e tij me trafikantët durrsakë të drogës. Financierët po hetojnë, që të zbulojnë cilët ishin pritësit e kësaj sasie droge.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





