Pakistan, 5 prill 2014 – Një fëmijë pakistanez, i cili sapo ka mbushur 9 muaj është paraqitur para një gjykate në Lahore, i akuzuar për tentativë vrasje, së bashku me të atin, gjyshin dhe të afërm të tjerë. Kjo është një ngjarje që ka shkaktuar zemërim edhe në një vend si Pakistani, ku abuzimet ligjore janë konsideruar një ‘plagë’ normale.

I vogli, Mohammad Mussa u dërgua për gjykim pavarësisht moshës së tij. Ai është fajësuar vetëm sepse ka qenë i pranishëm gjatë një konflikti të familjarëve të tij me punonjësit e bashkisë.

Para disa ditësh këta të fundit kishin shkuar t’i prisnin gazin familjarëve të vogëlushit, dhe ata në shenjë proteste kanë filluar të qëllojnë me gurë.

Në vendngjarje erdhi menjëherë policia, e cila arrestoi të gjithë agresorët, mbi të cilët rëndon tashmë akuza e tentativës së vrasjes së funksionarëve publikë. Bashkë me ta policët nuk kursyen as vogëlushin, që sapo ka nisur të ecë.

Me të parë që fëmija ende nuk kishte filluar të fliste, dhe ushqehej me biberon nga gjyshi, gjykatësi ka dhënë urdhër të lirohet, me kusht që të paguajë një depozitë sigurie, ndërsa ka detyrim të paraqitet në seancën e ardhshme.

Ndërsa inspektori i policisë që firmosi arrestimin, u pushua nga puna.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/