Tiranë, 5 prill 2014– Viti 2014 nuk do të ketë asnjë ndryshim të taksave, por Ministria e Financave është duke studiuar variantet që mund të sjellin më shumë të ardhura në buxhet, kryesisht përmes fomalizimit, por tek-tuk edhe ndonjë rritjeje. Burime pranë kësaj ministrie thanë se aktualisht janë tri pika ku po rrihet diskutimi mes shumë të tjerave dhe që në vetvete nuk përfaqësojnë rritje të drejtpërdrejtë.
Taksat
Një ndër këto ndryshime që do të sjellë më shumë të ardhura në buxhet, në rast se përfshihet në ndryshimet fiskale, është ajo e formalizmit të tregut të celularëve. Aktualisht ky treg është vetëm i gjysmëformalizuar ndërsa pjesa tjetër nuk paguan asnjë detyrim. Kjo në vetvete, sipas Financave, synon vendosjen në një regjim të rregullt të tregut. Kjo do të mundësojë që çdo celular që kalon, të regjistrohet në Doganë përmes kodit të tij unik të fabrikës dhe nëse ky kod nuk është i regjistruar, shërbimi me kartë SIM nuk do të ofrohet. Një tjetër ndryshim i pritshëm është ai për pasuritë e paluajtshme. Qeveria ka deklaruar se do të bëhet një formalizim i plotë i këtij tregu, duke vendosur çmime reale tregu, të cilat sot deklarohen me diferenca të theksuara. Vlerësimi i pasurive sipas çmimeve reale të tregut do të bëjë të mundur që edhe taksat të paguhen në bazë të çmimeve reale dhe jo sipas deklarimeve të ulura për efekt të “transaksioneve” të kryera. Një taksë tjetër ku rritja është e paevitueshme dhe që Financat e pranojnë që do të rishihet, është ajo për makinat e përdorura. Kjo taksë është kërkuar me forcë nga koncesionarët që shesin makina të reja, pasi sipas tyre ndikimi që ka pasur heqja e taksës për makinat e përdorura ka qenë jashtëzakonisht negativ për investimet e tyre miliona euro.
Energjia
“Thembra e Akilit” në ekonomi për momentin duket të jetë sektori energjetik, i cili përveç krizës financiare, nuk u ndihmua as nga reshjet që do të përmirësonin disi situatën në kaskadën e Drinit. Kjo e fundit, për shkak të motot të thatë që ka shoqëruar muajt e fundit, ka arritur në nivele kritike. Duke parë kushtet aktuale, qeveria shqiptare ka menduar zgjidhjet alternative për të siguruar energji nga importi, por për këtë nevojiten para. Institucioni i parë i konsultimeve ka qenë Banka Botërore, me të cilën negociatat zgjasin prej një muaji. Po kështu, një tjetër variant për qeverinë është ai i lëshimit të një garancie për KESH. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka marrë borxh nga tregu vendës për të paguar importet. Varianti i tretë që është paramenduar është ai i financimit të nevojave të KESH direkt nga buxheti i shtetit. Edhe kjo si praktikë njihet prej vitesh pasi performaca e ulët e sektorit jo pak herë e ka vënë qeverinë në vështirësi duke e detyruar të sakrifikojë zëra të tjerë në buxhet për hir të furnizimit me energji. Aktualisht kompanitë po bëjnë netimin e bilanceve të tyre, duke rakorduar borxhet që kanë ndaj njëra-tjetrës dhe rakordimin me institucionet. Nga ky netim rezulton që KESH të jetë edhe kompania, e cila duhet të marrë 45 milionë dollarë.
Tri taksat
Celularët
Aktualisht ky treg është 50% i formalizuar. Do të vendoset pagesë takse në Doganë për të evituar futjen dhe tregtimin në tregun e zi, ku asnjë përfitim nuk derdhet në buxhet.
Pasuritë e paluajtshme
Mendohet që të bëhet një rifreskim i hartës së çmimeve, duke përcaktuar kështu çmime reale për taksat që paguhen. Deklarimet janë dukshëm më të ulëta.
Makinat e përdorura
Kjo taksë është deklaruar edhe më herët që do të vendoset për të frenuar dëmin që i shkaktohet koncesionarëve dhe për të rinuar parkun e mjeteve që qarkullojnë në vend.
/gazeta “Panorama”/





