Tiranë, 5 prill 2014 – Sopranoja Ermonela Jaho është nderuar nga kryeministri Edi Rama me medalje. Kryeministri është shprehur se nuk gjente medalje më të lartë, për të nderuar sopranon, veçse atë që ju jep kryeministrave të botës.

“Kemi fatin ta kemi sot mes nesh. Diva e skenave të botës së sotme operistike është një shqiptare, që bën të përpëliten penat e kritikës operistike, një shqiptare që rikthehet dhe qëndron ulur në skenën e vrazhdë të Shqipërisë”,- tha ai. 

Kryeministri theksoi gjithashtu se beson tek forca që ka arti për të përmirësuar imazhin e një vendi. 

“Si politikan besoj tek forca e kulturës për të përmirësuar imazhin e një vendi. Mos të harrojmë që ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata me kostumin e diplomatit, çdo kush që jeton dhe punon jashtë shtetit është një ambasador”,- shtoi ai. 

Ndërkohë sopranoja e famshme shqiptare, Ermonela Jaho, gjatë fjalës së saj tha se publiku nuk erdhi për të dëgjuar atë, por për të ndjerë bashkimin e zemrave të artistëve shqiptarë. Ajo theksoise artistët shqiptarë bëjnë mrekullira kur gjejnë çelësin e zemrës. 

Kjo ishte një surprizë që nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. Ndjehem shumë e nderuar. Nuk ka emocion më të madh se sa kur rrethohesh me dashuri dhe vlerësim. Vlerësimi është çelësi i suksesit në çdo ndërmarrje.E kemi shumë të vështirë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por në momentin që gjejmë çelësin e zemrës, ne shqiptarët bëjmë mrekullira. Me ‘Madam Butterfly’ njerëzit erdhën të shihnin diçka të vërtetë që vinte nga ky bashkim. Faleminderit, pa ju nuk do të mund ta kisha bërë këtë gjë”,- u shpreh ajo. 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/