Krujë, 5 prill 2014 – Një fëmijë 2 vjeçar, E.SH., ka rënë aksidentalisht mbrëmjen e së premtes, nga kati i gjashtë i një ballkoni në lagjen “Zim Zeneli” në Krujë. Sipas policisë, fëmija ka marrë dëmtime të rënda nga rënia nga lartësia e madhe dhe aktualisht është në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Policia po heton për ngjarjen në fjalë, por paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale si pasojë e pakujdesisë së treguar nga prindërit e të miturit 2 vjeçar.
Në fund të muajit mars një incident i ngjashëm u regjistrua po në Krujë, por këtë herë në një nga fshatrat e rrethit malor. Një 2 vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike, pasi u mbyt në një pusetë. I mituri ka rënë në pusetën e hapur rreth orës 20.30 të mbrëmjes së 29 marsit. Ora e vonë bëri që rënia e fëmijës në pusetë të mos konstatohet menjëherë nga prindërit e tij. 2 vjeçari S.U. u gjet i mbytur vetëm pak minuta më vonë nga familjarët. Megjithë dërgimin e menjëhershëm në spital, ka qenë e pamundur për mjekët ta rikthenin në jetë vogëlushin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





