Belgjikë, 2 prill 2014 – Në kuadër të axhendës zyrtare, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Bruksel me Stefan Fylen, Komisionerin për Zgjerimin. Fyle mirëpriti angazhimin e vazhdueshem të Shqipërisë për reforma që kanë të bëjnë me integrimin europian dhe përgëzoi veprimet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

“Jam i bindur se vendi ka kapacitetin për të zgjidhur sfidat e integrimit europian me vendosmëri” –bëri me dije komisioneri Fyle, i cili gjithashtu mirëpriti qëndrimin e qeverisë në Shqipëri për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj reformave bazuar në dialogun konstruktiv dhe përfshirjen e opozitës për qendrueshmërinë dhe suksesin e reformave. 

Komisioneri theksoi se të gjitha energjitë vitale të vendit, duke përfshirë edhe ato të shoqërisë civile, duhet të përdoret për të cuar përpara axhendën e BE-së. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e Dialogut të Nivelit të Lartë në prioritetet kryesore dhe ra dakord me kryeministrin Rama për të mbajtur mbledhjen e ardhshme në fillim të qershorit. 

Në një postim në rrjetin social Twitter, kryeministri Edi Rama bën të ditur se takimi me Fyen është zhvilluar “për një këmbim pikëpamjesh mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe punët e mëdha në vazhdim.”  

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/