Tiranë, 2 prill 2014 – Qeveria ka miratuar sot vendimin për paketën shëndetësore bazë, që ofron kontroll mjekësor një herë në vit falas për grupmoshën 40-65 vjeç. Në një deklaratë për media nga kryeministria, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka ftuar gjithë shqiptarët të ndërgjegjësohen për të bërë kontrollin falas.
“Qeveria mori sot vendimin për përcaktimin e kontrollit mjekësor bazë 40-65 vjeç. Ky është hapi i parë konkret drejt kalimit të sistemit të kujdesit në vend në mbulim universal. Sistemi ynë ka qenë i ndërtuar rreth sëmundjes, ne synojmë të shkojmë drejt shëndetit, ftojmë shqiptarët në këtë grupmoshë të bëjnë një kontroll bazë shëndetësor pa pagesë. Ftohen të gjithë pa dallim nëse janë apo jo të siguruar.Kontrolli bazë për të gjithë shqiptarët të moshës 40-65 vjeç do të jetë falas në çdo Qendër Shëndetësore në vend. Vendimi i qeverisë ka përcaktuar çfarë do të përmbajë ky kontroll”, -tha ministri.
Sipas Beqajt, falë këtyre kontrolleve do të jetë i mundur evidentimi në kohë i sëmundjeve të ndryshme.
“Me këtë kontroll bazë do të jemi në gjendje të zbulojmë në stade shumë të hershme dhe të reagojmë në mënyrë shumë të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë për kujdesin shëndetësor të qytetarëve”, tha ministri i Shëndetësisë.
Sipas tij, vizitat do përmbajnë vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje të faktorit të stilit të jetës; të parametrave fiziologjikë dhe atyre biokimikë. Ministri Beqaj theksoi se VKM ka përcaktuar se si do bëhet identifikimi i personave që janë rezidentë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, do të njoftohen me mjekun e familjes dhe çfarë do të përballojë ky kontroll bazë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





