Durrës, 1 prill 2014 – 12 të shoqëruar në komisariat, por asnjë i ndaluar për plagosjen e biznesmenit Ilir Hoxha, mbrëmjen e së hënës në Shijak. Burime policore bëjnë të ditur se megjithëse kanë shoqëruar një numër të konsiderueshem personash, ende nuk mund të thonë se cilët ishin atentatorët, që një natë më parë i kishin zënë pritë biznesmenit afër shtëpisë së tij. Ngjarja e rëndë u regjistruar një natë më parë në “4 rrugët e Shijakut”, në kohën kur biznesmeni 42 vjeçar po dilte nga shtëpia e tij. Ai është qëlluar me breshëri automatiku nga një distancë e afërt, rreth 30-40 metra (siç ka pohuar vetë ai në dëshminë e dhënë para grupit hetimor), por fatmirësisht është prekur nga vetëm një plumb dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale është jashtë rrezikut për jetën. Hoxha ka qenë duke u drejtuar për tek makina e tij kur është goditur nga një plumb.

Në dëshminë e tij para efektivëve të rendit, biznesmeni Hoxha mësohet të ketë thënë se nuk ka mundur t’i shohë personat që qëlluan ndaj tij, pasi ishte shumë errësirë. Duket se pikërisht ky fakt është shfrytëzuar nga atentatorët, që kanë përzgjedhur që më parë vendin nga ku do t’i shtinin 42 vjeçarit, për t’u larguar më pas pa u vënë re.

I pyetur se cilët mund të kenë qenë personat që kanë qëlluar ndaj tij, Hoxha ka pohuar para hetuesve se nuk kishte asnjë konflikt të hapur dhe prandaj nuk di të thotë se kush mund të ketë ndërmarrë këtë veprim ndaj tij. Njëkohësisht ai ka pohuar se atetatorët mund të kenë gabuar objektiv, një gjë kjo pak e besueshme. Përveç dëshmisë së Hoxhës, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe familjarë, të afërm dhe miq të tij që mund të kenë dijeni për ndonjë konflikt të biznesmenit me persona të tjerë.

Ilir Hoxha njihet si pronar i një sërë biznesesh në qytetin e Durrësit dhe në Shijak. Njëkohësisht ai është një person i njohur për forcat e rendit pasi rezulton të jetë me precedentë penalë për trafik lëndësh narkotike. Pistat e hetimit të policisë janë përqendruar tek larja e hesapeve për shkak të konflikteve në të kaluarën e biznesmenit, si dhe tek konkurenca në biznes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/