Tiranë, 8 mars 2014 – Drejtues të shteteve dhe qeverive anëtare të BE dhe institucioneve të BE kanë shprehur shqetësimin për veprimet antidemokratike të ndërmarra nga qeveria në këto 6 muaj. Kështu thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike, pas takimeve që kryetari Lulzim Basha ka patur gjatë punimeve të Kongresit të PPE, ku personalitete të larta të politikës vendimmarrëse të BE kanë dhënë alarmin për përkeqësimin e standardeve demokratike në vend.
“Mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe drejtuesve të institucioneve europiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. Me frymën e saj antikushtetuese, me goditjet e njëpasnjëshme kundër institucioneve të pavarura dhe tentativës për t’i kapur ato, me goditjet ndaj administratës publike dhe në tërësi frymën e konfliktualitetit që ka injektuar në marrëdhëniet me opozitën, qeveria rrezikon seriozisht statusin në qershor. Jo vetëm kaq, por kjo sjellje e cila konsiderohet se po zhbën disa standarde të arritura tashmë në Shqipëri po rrezikon imazhin e Shqipërisë dhe progresin e gjithanshëm të Shqipërisë në raport me aspiratën e saj për integrim ne BE “ u shpreh Basha pas takimit me drejtues të qeverive anëtare të BE dhe institucioneve europiane.
Joseph Daul, kryetari i PPE, partisë më të madhe parlamentare të Bashkimit Europian, ka përgëzuar kreun e PD-së, Basha për përpjekjet e drejta të Partisë Demokratike në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit ligjor, thuhet më tej në deklaratë. Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë edhe në konferencën “Ballkani Perëndimor në BE, perspektiva dhe sfida “ ku theksoi nevojën për angazhim dhe fokus të vazhdueshëm për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu angazhimin dhe përkushtimin e PD ashtu si dje në qeverisje të vendit edhe sot në opozitë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





