Tiranë, 8 mars 2014 – Kuvendi i Shqipërisë ka pritur sot gratë deputete të të gjitha trevave shqiptare. Në një seancë të veçantë në kuadër të Ditës së Gruas, në Kuvend janë mbledhur deputete të Parlamentit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. 

Seanca e Kuvendit u çel nga kryetarja e Aleancës së Grave deputete shqiptare, Mesila Doda e cila theksoi se sfidat e grave janë të shumta, por asgjë nuk mund të përballohet nëse nuk ka një bashkëpunim konstant mes deputeteve shqiptare. 

“Pabarazinë ne e lindim dhe shpesh e rrisim vetë. Unë kam një vajzë dhe nuk mundem të pranoj që e kam sjellë në një botë të pabarabartë, ku ajo ka më pak shanse se vëllai i vet. Sot ne kemi në dorë të bëjmë diçka, kemi në dorë të nisim një lëvizje të gruas shqiptare dhe të krijojmë një forum të përhershëm mes nesh, në funksion të krijimit të një pozicioni të ri të gruas.” – u shpreh Doda. 

Ndërkohë zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri pasi përshëndeti të gjithë gratë e trevave shqiptarë, vlerësoi iniciativën e Aleancës së Grave të Parlamentit të Shqipërisë për këtë bashkim. Sipas saj ideali i grave shqiptare është ai i fuqizimit të kombit. 

“Sot po e shënojmë 8 Marsin me arritje të rëndësishme por kaq nuk është e mjaftueshme, ka shumë punë për të bërë, që gratë shqiptare të zënë vendin e merituar. Sot jemi në shekullin e 21 ndërsa mentaliteti mashkullor mbetet i shekullit të kaluar. Përpjekjet tona dhanë rezultate, por kemi një rrugë të gjatë për të bërë atë demokraci që duhet të vlejë njësoj për të dyja gjinitë dhe në radhë të parë në vendimmarrje. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/