Tiranë 19, shkurt 2014 – Virgjil Kule, Drejtor i TVSH deri në fund të shkurtit të 1991-it, në intervistën për gazetën “SOT”, zbardh prapaskenat që u zhvilluan pas ekranit të TVSH-së në 20 shkurtin e 1991-it, ditën e grevës së urisë të studentëve dhe rrëzimit të bustit të Enverit. Për vetë pozicionin që kishte, Virgjil Kule ka luajtur një rol kyç atë ditë, por nuk e kemi dëgjuar të prononcohej deri më tani.
– Z. Kule, si e përjetuat ditën e 20 shkurtit 1991?
Atë ditë, që në mëngjes ndihej një atmosferë pak më ndryshe se ditët e tjera. Intuita më thoshte se diçka e veçantë do të ndodhte. Sapo vajta në zyrë, bisedova me Tomor Toporen, shefin e redaksisë së informacionit, që të ishin në gatishmëri të veçantë. Gatishmëri do të thoshte pasja gati e disa grupeve të xhirimit dhe e makinave përkatëse. Intuita nuk më kishte gabuar. Nga ora 10 morëm njoftim se një përfaqësi e studentëve do të shkonte për takim në Presidencë. Tomori dërgoi një grup xhirimi, por grupi u kthye duarbosh, sepse takimi nuk u realizua. Ndërkohë, turma po mbushte sheshin “Skënderbej”. Tomori më njoftoi se për aty u nisën jo pak, por 5-6 grupe xhirimi. Unë prisja në zyrën time.
– Çfarë ndodhi më pas?
Për t'i rënë shkurt, rreth orës 14 gjithçka mbaroi me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Lajmin e mora aty për aty nga një punonjës i Ministrisë së Brendshme, që kishte radiomarrëse. Pra, kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme! Ajo duhej transmetuar doemos. Ndihesha i qetë, sepse grupet e xhirimit ndodheshin atje, në krye të detyrës. Pak kohë më parë ishte bërë akti zyrtar i depolitizimit të televizionit dhe nga pikëpamja profesionale dhe ligjore, ne e kishim për detyre të pasqyronim ngjarjet ashtu sikundër ndodhnin, por pa kaluar në ekstreme favorizuese të njërës ose tjetrës palë. Dola poshtë te hyrja dhe prisja të vinin grupet e xhirimit me materialin e filmuar. Filluan të vinin. Njëri pas tjetrit. Por ç'të dëgjoja? Asnjë nuk e kishte filmuar momentin e rrëzimit të bustit të Enverit. Kush më shumë e kush më pak kishin mundur të filmonin vetëm aspekte nga zvarritjet që iu bënë monumentit. Pra, fakti historik nuk qe filmuar i plotë, por gjysmak. U mërzita shumë.
– Si u justifikuan gazetarët dhe operatorët për mos filmimin e rrëzimit të bustit?
Përgjithësisht justifikoheshin pa i pyetur. Thoshin se e kishin pasur të pamundur të filmonin në atë situatë të rrezikshme, se luhej me jetën, etj, etj. Nuk u zgjata me asnjërin për të kërkuar shpjegime. Ishte e qartë se frika kishte dominuar mbi detyrimin profesional.
– Si u mbush kjo mangësi në pasqyrimin e atij evenimenti nga RTSH-ja?
Fillova të vrisja mendjen se si do të mund të sajonim një kronikë sa më realiste, edhe duke mos e pasur momentin kryesor. Dhashë urdhër që të mblidheshin materialet e filmuara dhe të fillonte montazhi për të zgjedhur planet më domethënëse. Diçka filloi të merrte formë, por sa më shumë viheshin plane, aq më shumë kërciste mungesa e ngjarjes kryesore. Shqetësimi im arriti kulmin. Kishim tashmë disa javë që flisnim për transparencë dhe qëndrime objektive ndaj ngjarjeve dhe ja ku jemi: para një objektiviteti të cunguar rëndë… Spekulimet do ishin të papërmbajtura… Ndërkohë, nëpër korridoret e TV-së u hap lajmi se së shpejti, ndoshta të nesërmen, monumenti do të rivendosej nga ushtria. Dikush, madje më tha që të mos mërzitesha për kronikën e cunguar se nesër monumenti do vendosej në vend. Shumë mirë, i thashë, le të vendoset, por sot nuk është aty…dhe ne s'jemi në rregull!
– Çfarë kontakte kishit me Drejtorinë e Përgjithshme dhe me KQPPSH-në?
Asnjë kontakt me Drejtorinë e Përgjithshme, ku bëhej procedura e ndërrimit të drejtorëve, pasi Sefedin Çela ishte zëvendësuar atë mëngjes. Në fakt, prej ditësh më rrethonte një heshtje zyrtare e mbushur vetëm me thashethemnaja nga më të ndryshmet, që qarkullonin nëpër korridore, nëpër shkallë e nëpër zyra. Por megjithatë, prezenca e shtetit ishte e fortë, imponuese, kërcënuese. Njerëzit e sigurimit që ndodheshin ngado, të përcillnin me ca vështrime të zymta, e të heshtura. Pak nga punonjësit kishin mbetur në TV, por prodhohej vërtet shumë thashethemnajë. Gjithë ato ditë kisha pritur grupe e përfaqësi të të dy kaheve politike që ishin formuar tashmë. Vinin me forma të ndryshme, herë normale, herë kërcënuese. Kërkonin që gjithsecili ta kishte televizionin ekskluzivisht në anën e vet. Për secilin, pala tjetër konsiderohej armik. As donte të dëgjonte njeri për balancim informacioni, për faktin se qenë transmetuar mitingje kundër qeverisë, po aq edhe sa anti mitingje nga rrethet e ndryshme. Të dyja palët ishin të pakënaqura. Dhe, në një farë mënyre kishin të drejtë. Televizioni Shqiptar po kalonte në një fazë të re të balancimit të informacionit, por militantët nuk ishin gati për ta pranuar këtë situatë të re politike. Sot është krejt normale të flitet dhe të kërkohet asnjanësi e medias, por asokohe asnjanësia ishte koncept krejt i pakuptueshëm. Mendimi mbizotërues ishte "O me ne, o kundër nesh. Rrugë të mesme s'ka!"
– Si rrodhën ngjarjet më pas?
Shkova në zyrën time dhe u përqendrova në mendim. Ngado që e rrotulloja mendimin, më rezultonte se po bënim një fiasko të madhe profesionale. Si ka mundësi që nga pesë a gjashtë grupe xhirimi, asnjë s'kish mundur të filmonte, qoftë edhe nga larg?! Këtë pyetje e kam në kokë edhe sot e kësaj dite. Nejse, rrjedhën e mendimeve të zymta ma ndërpreu operatori Fatmir Çepani, i cili hyri në zyrë pa trokitur. “Drejtor, më tha, unë e kam filmuar rënien e monumentit!”. Nuk po u besoja veshëve. Ç'ishte ky lajm në këtë moment të pashpresë? Fatmiri nuk qe caktuar me grupet e xhirimit, por kishte dalë me iniciativën e vet dhe ishte pozicionuar brenda në kafenenë e Pallatit të Kulturës. Pra, nuk e dinte kush që po filmonte edhe një kamera tjetër. As unë vetë. Rastësia kishte krijuar një qark të mbyllur midis meje dhe operatorit Çepani! "Ku e ke", e pyeta. "Ja!" Ai shtrëngonte bobinën e filmit, të mbështjellë me letër të zezë. I zbritëm shkallët të dy me vrap e drejt e në laborator. Qëndrova vetë aty, derisa u la filmi dhe mora bobinën në dorë. Nuk i besoja askujt në ato çaste. Në televizion qarkullonin simpatizantë, madje militantë, të të dyja kaheve dhe ishte e vështirë të bëje dallimin e të gjeje të depolitizuarin, sidomos në ato momente politikisht aq të nxehta. Filmin e çova, pastaj vete në telekinema, ku u konvertua në sistemin elektronik, për t'ju bashkuar pjesës tjetër që e kishim montuar. Kronika u bë gati-gati, krejt e plotë, krejt objektive. Edhe sot po ta shohësh, dallohet ndryshimi i formateve midis dy pjesëve të asaj kronike. Momenti i rrëzimit është xhiruar me film 16 mm, kurse pjesët e tjera me kamera elektronike, që kishin figurë më të mirë e me ngjyra.
-Çfarë ndodhi pas transmetimit të kronikës në TV? Qarkullojnë variante se nga udhëheqja e PPSH ju kanë urdhëruar që të mos e transmetoni atë kronikë. Cila është e vërteta?
Ndërkohë, kishte kaluar ora pesë pasdite dhe po afrohej orari i lajmeve të para, të orës 18. Tek shkëmbenim ndonjë cigare me kolegët e informacionit, ndihesha i lehtësuar. Për ta lexuar kronikën me zë jashtë kamerës, caktova Alfons Gurashin. Ai më tha se vetëm se do të përshkruante figurën, pa bërë ndonjë koment. "Dakord" i thashë, "bëje si të mundesh”. Rëndësi ka që të pasqyrohet realiteti i plotë". Në këto e sipër, më njoftojnë nga sekretaria se më kërkonin në telefon "nga lart". Shkova në zyrë. Pas meje, erdhën të gjithë ata që ndodheshin në montazh, Tomorr Topore, Amalia Dhamo, Bujar Kore, Fatmir Çepani, Alfons Gurashi, Gazmir Shtino, Fiqiri Sejdia, Timo Luto…(të më fali ndokush, që nuk po e kujtoj në këto çaste). Në telefon ishte vetë Ramiz Alia. Biseda më të qe e shkurtër, por shumë e tensionuar. Fillimisht, u interesua të dinte nëse vërtet e kishim kroniken të plotë. Pasi u sqarua për këtë, më "këshilloi" me ton të prerë që kronika të mos transmetohej, duke nxjerrë si arsyetim faktin se së shpejti, ndoshta që atë natë, monumenti do të rivendosej. Ndaj, sipas tij, ngjarja e dytë do anulonte të parën. Tek më thoshte këto fjalë, u kujtova për thashethemet që qarkullonin nëpër korridore se monumenti do të rivihej përsëri. Tani po e dëgjoja nga vetë Ramiz Alia.
– Ju kishit ndonjë informacion për prapaskenat politike që zhvilloheshin në PPSH?
Duhet thënë këtu se në ato momente, nuk kisha informacion për prapaskenat politike, që zhvilloheshin nën rrogoz. Ramiz Alisë iu përgjigja me takt, duke i thënë se faktin e ditës nuk mund ta mbanim fshehur, aq më tepër që publikisht flitej për transparencë dhe objektivitet nga ana e televizionit. Nuk e zgjati, por mbylli telefonin, teksa shtoi nja dy fjali të shpejta, gati si nëpër dhëmbë.
– Çfarë ju mbeti juve nga biseda me Ramiz Alinë?
Nga ajo bisedë më mbeti në mendje mesazhi i qartë se transmetimi i kronikës do më armiqësonte keqas me partinë "time", me shtetin dhe me popullin dhe se do mbaja mbi supe pasojat.
– Përballë kësaj frike, ndaj pasojave, cili ishte reagimi juaj?
Por nuk pata kohë dhe as nuk desha të mendoja për pasojat personale. Ishte ora 6 pa dy-tre minuta. “Transmetojeni urgjentisht kronikën”, – u thashë kolegëve, që ndodheshin në zyrën time dhe që e kishin ndjekur me ankth bisedën. Zëri më doli i fortë dhe pa asnjë pikë mëdyshje. Te fytyrat e tyre pashë një shprehje çlirimi dhe kënaqësie. Teksa shikoja nga zyra kronikën që transmetohej, më kujtohet se fillova të qesh hidhur me veten për pozicionin aq ters ku u ndodha në atë periudhë përmbysjesh. Por e mora me sportivitet atë pozicion. E dija mirë që do të kisha presione. (Në fakt, ato filluan që atë natë, me telefonata anonime, kërcënime me jetë etj, dhe e keqja ishte se s'kisha kujt t'i ankohesha), por tashme ndihesha i qetë në ndërgjegjen time. I qetë para profesionit dhe para historisë (për aq histori sa i takon TVSH). Intuita më thoshte se monumenti nuk do të vihej kurrë më dhe se i gjithë sistemi do te merrte fund shpejt. Madje, duke ndjekur atë mbrëmje kronikën, fantazia prej gazetari më bëri të përfytyroja festimet e ardhshme të përvjetorëve të ndryshimeve demokratike dhe ndihesha i qetë se Televizioni, nën drejtimin tim, e kishte kryer me sukses detyrën e vet. "Tani bëj edhe tjetrën", – i thashë vetes. "Përdor (ndoshta i pari asokohe) institucionin e demokratik të dorëheqjes si drejtor. Ti je krijues dhe mund të bësh emisione shumë të mira…" E dhashë zyrtarisht dorëheqjen, dy tre ditë më vonë, në një atmosferë kërcënimesh ndaj meje dhe familjes, në indiferencë totale nga pushteti i kohës dhe nën sytë që shprehnin keqardhje të kolegëve të mi, prej gati 30 vjetësh. Fakt është se pas dorëheqjes sime, kontrolli i partisë në pushtet u vendos i plotë mbi RTSH- në edhe për ca kohë akoma.
Intervistoi Jakup B. GJOÇA –





