Nga Gladiola Busulla

DURRËS, 20 shkurt 2014 – Udhëtimet janë një ndër kënaqësitë më të mëdha të jetës, një e vërtetë kjo, e lashtë sa bota. Njeriu është kurioz nga natyra dhe që nga gjeneza ka qenë i prirur të shkojë, në kërkim të asaj që i mungon. Dëshira për të udhëtuar lind vazhdimisht brenda nesh dhe është një trashëgimi shpirtërore që përcillet nga njëri mijëvjeçar tek tjetri, nga njëra gjeneratë tek tjetra.

Udhëtimet shërbejnë për t’u relaksuar, për t’u bërë më mendjehapur, më vizionarë, më produktivë. Planifikimi i udhëtimit, organizimi, përgatitjet zhvillojnë imagjinatën dhe veprimtaria e shqisave tona duket se intensifikohet më tepër.

Gjithashtu pushimi dhe shkëputja me realitetin tënd, vizitimi i vendeve të reja, kurioziteti për të prekur nga afër kultura të panjohura, perceptimi i ndryshëm i kohës janë faktorë stimulues. Tashmë jetën e sheh nën një këndvështrim të ri, dita të duket më e gjatë dhe ti resht së qeni thjesht një spektator.

Në epokën e globalizimit, kur mundësitë për të udhëtuar janë të pafundme, madje dhe  në vendet që dikur ishin pjesë vetëm e imagjinatës sonë; të udhëtuarit është një mundësi reale për të kuptuar veten e pasionet. Çdo motiv përbën një arsye të mirë për të udhëtuar; oraret e tejzgjatura të punës, stresi, sforcimi, studimi apo jeta e vrullshme.Veri, Jug, Lindje, Perëndim, cilido qoftë drejtimi, ai do të na ndërlidhë, me çka është e alienuar për ne. Do të na mundësojë të mposhtim kufizimet që i kemi imponuar vetes dhe ndrojtjen që na pengon të ecim përpara.

Duke observuar me kujdes do të zbulojmë vazhdimisht dukuri të reja, pa u influencuar nga rutina dhe trysnitë e përditshme. Siç shprehet nobelisti amerikan John Steinbeck “Nuk janë njerëzit ata që i bëjnë udhëtimet, por udhëtimet i bëjnë njerëzit”. Dhe kjo nënkupton ndikimin absolut, peizazhet e bukuritë natyrore, dhuratat simbolike, kujtimet, njerëzit që takon, mbresat e pashlyeshme, pra gjithçka të re që has, me të cilën ti mund të operosh për të përmirësuar cilësinë e jetës sate.

Në thelb, suveniret e vërteta nuk janë objektet e kushtueshme ose jo që mund të blejmë gjatë udhëtimit, nuk janë fotografitë e shkrepura çdo çast, nuk janë fjalët kumbuese të gjuhës së panjohur, por reagimet emocionale që ke përjetuar, të cilat substancialisht përbëjnë esencën e arratisjes nga përditshmëria drejt aventurës. Proust thotë se “Udhëtimi i vërtetë nuk konsiston në gjetjen e tokave të reja, por në gjetjen e syve të rinj".

Çdo udhëtim, sado i shkurtër në kohë apo i afërt në distancë është një zbulim që i sjell pozitivitet gjendjes shpirtërore. Fjala udhëtim derivon nga latinishtja viaticum dhe përmbledh gjithçka merr me vete kur nisesh për rrugë. Vallë, ç’marrin me vete njerëzit kur udhëtojnë? Me siguri udhërrëfyesin turistik, ndonjë fjalorth, valixhet, por jo vetëm. Mbi të gjitha, ata marrin me vete adrenalinën dhe misterin e së panjohurës.

Në fund duhet të nënvizojmë një fakt: udhëtimet kushtojnë, por teksa shpenzojmë paratë, vetvetishëm ndodh procesi i pasurimit të brendshëm. Ndaj rrofshin udhëtimet!