Nga Gladiola  BUSULLA

18 Shkurt 2014 – Fëmijët e sotëm po lindin në mes të një teknologjie që s’resht së avancuari. Problemi është se ata po i përmbahen modelit të të rriturit që ofron televizori, apo çfarëdolloj mekanizmi tjetër teknologjik, në vend që t’i referohen prindit apo edukatorit. Pediatrit theksojnë se fëmijët e sotëm kanë një metabolizëm të ndryshëm dhe procese të reja imunologjike. Gjinekologët janë të befasuar nga të porsalindurit që lindin me sy hapur dhe vëzhgojnë sikur po të pyesin me sy. Ata kanë një kontakt shumë të fortë vizual me nënën, që në momentet e para të jetës.

Fëmijët e sotëm rrethohen nga stimuj të ndryshëm; lëvizin vazhdimisht me veturë, avion, traget, kanë qasje ndaj Tv e kompjuterit dhe përparësi të tjera, për të cilat s’jemi të sigurtë, se sa do të favorizojnë mirërritjen e tyre.

Në shikim të parë, ata mund të duken më kompetentë, se sa fëmijët në të kaluarën. Por këtu fillon gabimi ynë. Nuk duhet ngatërruar kurrsesi informacioni, me dashamirësinë, inteligjencën dhe pjekurinë. Edhe në moshën e teknologjisë, për t’u rritur të qetë dhe të sigurtë, nevojat e fëmijëve vazhdojnë të mbeten të njëjtat: dashuri, mbështetje, rregulla, shkollim, lojra.

Fëmijët kanë nevojë për dikë që t’i inkurajojë dhe të dëgjojë me të vërtetë kërkesat e tyre. Në fakt, "efekti i internetit" i shqetëson prindërit të cilët kalojnë dhe vetë shumë kohë, duke  shfletuar ose këmbyer informacione, emaile, mesazhe para kompjuterit; për motive pune, studimi apo personale, gjatë kohës që janë në shtëpi.

 Përveç internetit, mungesa e kohës, e hapësirave dedikuar fëmijëve dhe faktorë të tjerë bëjnë që destinacioni klasik i tyre të jetë shpeshherë lokali, aty ku prindërit kanë lënë takime me miqtë, të afërmit, kolegët etj. Kështu “lokali” shndërrohet në një strehë për fëmijët e sotëm, ku ata mund të thithin pa fund tymin e cigares, mund të asistojnë në biseda familjare, bashkëbisedime serioze apo  situata të tjera për të cilat, ata janë ende emocionalisht dhe psikologjikisht të papërgatitur.

Pra të rriturit janë të pranishëm mes fëmijëve, në mungesë të plotë.

Vlerat e reja konfliktohen me parametrat etikë, tashmë të konsoliduara nga brezat e mëparshëm, duke sjellë ndryshime, pse jo të panevojshme, në mënyrën e të jetuarit. Hedhim sytë në lokale, në cilëndo orë të ditës dhe shohim fëmijë me gjyshërit, me prindërit, me dajat, hallat etj. A i bën mirë fëmijës kjo? Sot ata janë vërtet në qendër të vëmendjes, janë të ndriçuar nga prozhektorët, por  në thelb fshehin protagonizmin dhe egoizmin e prindërve. Fëmijët kanë nevojë të luajnë në hapësira të krijuara enkas për ta, mundësisht të gjelbëruara dhe jo për një kujdes spontan apo “kënaqësinë e të shoqëruarit” me të rriturit, në lokale e restorante. Rregullat e të jetuarit në shoqëri, klima e lojës, mbështetja prindërore, përballja me problemet nuk mësohen në lokale, ku gjen fëmijë  të moshave të ndryshme, madje dhe bebe qumështi.

Na ka marrë malli të shohim fëmijë që bëhen pis, që luajnë topagropthi, topaluftash, me peta, me litar, botash etj.

Lokali duket se po zëvendëson dukshëm rolin e lojrave dhe të  librave, të cilët janë strukturuar enkas për të mësuar fëmijën, të përshtatet me botën dhe shoqërinë. Këta fëmijë nuk po jetojnë një fëmijëri të plotë, nuk po shijojnë pafajësinë e moshës; por veç po rriten me hapa galopantë, duke u bërë shpeshherë të dhunshëm e asocialë. Vetë shoqëria bashkëkohore po ia imponon këtë, me gjithçka të gabuar që i ofron pa kriter. Ndaj unë vë në pikëpyetje të madhe, mënyrën e re të të menduarit dhe të të sjellurit të prindit modern. 

Është një brez i tërë që rrezikon të zhvishet nga naiviteti fëminor dhe përgjegjësinë e kemi ne. Pikërisht ne që kujtojmë se i argëtojmë këta fëmijë në lokale, me iphone në duar, por  në fakt ky brez shfaqet kaq i llastuar, kaq i pangopur dhe kërkues; brez i pamundur që ta kënaqësh.

Jemi fajtorë? Patjetër ! Njëlloj fajtorë sa interneti, sa televizioni, sa iphoni, sa playstationi e gjithçka tjetër. Sepse ky brez po rritet në lokal! As që guxoj ta imagjinoj, se cili mund të jetë feedback