Tiranë 16 shkurt 2014 –  Lisen Bashkurti, ish-sekretari i Parë i KQBRSH, në intervistën për gazetën “SOT” zbardh prapaskenat dhe detajet e negociatave që u bënë me studentët grevistë në ditët e shkurtit 1991, dhe pohon se këtë grevë nuk e organizoi as PD-ja dhe as Sali Berisha. Madje, z. Bashkurti pohon se në negociatat që zhvilloi me studentët nuk ka marrë asnjë udhëzim nga Ramiz Alia. Radio Tirana dhe jo televizioni shqiptar përcollën popullit frymën e grevës së studentëve, ndërsa partitë  politike nuk ndikuan  te grevistët studentë. Ramiz Alia u detyrua të tërhiqej, thotë Bashkurti, jo se ishte liberal, por u tremb mos pësonte fundin e Çausheskut.  Sot nuk duhet asnjë parti politike ta përvetësojë rëndësinë historike të grevës të studentëve në shkurtin e 1991, por edhe nuk duhet ta injorojë me shpërfillje.   

-Z. Bashkurti, kush ju dha orientime nga KQPPSH dhe çfarë misioni ju ngarkuan juve që të negocionit me studentët grevistë në shkurtin e 1991-it?

Nga 20 dhjetori i vitit 1990 Organizata e Rinisë merrte orientime vetëm nga Komiteti Qendror i Rinisë dhe udhëheqja e tij qendrore, të cilën prej vitesh e drejtoja unë. Kështu që, lidhur me organizimin, qëllimet, objektivat dhe procedimin e grevës së urisë së studentëve në Qytetin Studenti, të shkurtit të vitit 1991, askush përveç meje nuk orientonte Komitetin Qendror të Rinisë në shkallë vendi. Komiteti Qendror në mënyrë të vullnetshme mbështeste qëndrimet e mia personale. Kishte disa rrethe, ku Komitetet e Rinisë lokale kishin rebeluar dhe nuk i bindeshin orientimeve të mia në krye të Komitetit Qendror të Rinisë, por Komiteteve të Partisë në rrethe. Kështu, në Devoll, në Përmet, në Gjirokastër e në ndonjë rreth tjetër strukturat e mia më dolën jashtë kontrollit. Ndërkohë, që në Shkodër, në Korçë, në Fier, në Lezhe, në Durrës e në shumë rrethe të tjera më mbështesnin fuqishëm, pavarësisht presionit politik të Partisë së Punës në rrethe.     

– Ju me kë nga organizatorët e grevës së studentëve kontaktonit ato ditë të shkurtit 1991?  

Grevën e rinisë të 20 shkurtit të vitit 1991 nuk e organizoi Komiteti Qendror i Rinisë. Por, këtë grevë nuk e organizoi as opozita e asaj kohe, pra Partia Demokratike. Dua të theksoj me shkronja të mëdha: GREVËN E RINISË TË SHKURTIT TË 1991 NUK E ORGANIZOI PARTIA DEMOKRATIKE. GREVA  U ORGANIZUA NGA NJË KOMITET RINOR. As ne në Komitetin Qendror dhe as Partia Demokratike nuk ishin në Komisionin e Grevës. Ishin thjeshtë të rinjtë e Universitetit të Tiranës. Synimi i tyre ishte heqja e emrit “Enver Hoxha” universitetit të Tiranës. Asnjë synim tjetër nuk kishte në mënyrë afatshkurtër.      

– Mendonit se kishte prapaskena politike për organizimin e grevës, apo ishte vetëm revoltë e studentëve?   

Mendoj se nuk kishte prapaskenë politike, por nuk mund të them që nuk kishte synime politike. Them që nuk kishte prapaskenë, sepse Komisioni i Grevës u pajtua me vendimin e brendshëm që të drejtën për të hyrë brenda në grevë ta kishin vetëm Kryetari i Komitetit të Helsinkit, z. Abdi Baleta dhe Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë, Lisen Bashkurti. Kështu, që unë e Abdiu ishim të vetmit që hynim në grevë. Unë e kam takuar Sali Berishën atë ditë shkurti në hyrje të Qytetit Studenti. Nuk i ishte dhenë e drejta nga Komisioni i Grevës të futej brenda. Komisioni i Grevës donte të shmangte politizimin. Kur u takuam së bashku me Berishën në hyrje të Qytetit Studenti, më pyeti se ku po shkoja. I thashë se do futesha të takoja grevistët. I kërkova që të vinte me mua. Më tha se nuk mundej. Por, mu shpreh ekzaktësisht: “Lisen, bën mirë të shkosh, sepse në kësisoj kohësh secili bën të vetën”. E mora qartë mesazhin. Opozita politikisht ishte brenda grevës. Por institucionalisht ishte jashtë saj.   

-Ju me kë udhëheqës të lartë të PPSH, qeverisë keni biseduar asokohe dhe çfarë keni biseduar?  

Nga 20 dhjetori i vitit 1990, sikundër e thashë më lart, komunikimi im me udhëheqësit e Komitetit Qendror të Partisë u kufizua jashtëzakonisht shumë. Ramiz Alinë e takoja gjithnjë e më pak dhe gjithnjë e më larg. I vetmi person i lartë, me shumë dije e kulturë, gjithashtu me shumë frymë liberale e dashamirëse për rininë e kohës ishte Foto Çami. Ai gjente mënyrën  për të komunikuar me mua, por me shumë ndrojtje dhe në mënyrë informale. Ishte ndër udhëheqësit e lartë më progresiv për kohën. Ishte edhe ndër më kulturuarit.       

-Cilët faktorë ndikuan në realizimin e objektivave të grevës të studentëve?  

Mendoj se janë tre faktorë. Së pari, greva e urisë ishte e para e këtij lloji në historinë politike publike të Shqipërisë. Unë, por si unë vetëm pak vetë, e dinin që greva të tilla ishin bërë në burgjet politike, por tërësisht të izoluara publikisht e politikisht. Sensibiliteti i grevës së urisë te rinia ishte një ndjesi shumë e lartë për mbarë opinionin publik e politik shqiptar. Por, greva e parë publike e politike ishte thuajse një perceptim tragjik për mbarë popullin shqiptar. Unë që kisha miratimin e Komisionit të Grevës për të hyrë në çdo kohë brenda, mbushesha me lot kur shihja afro 700-800 studentë, djem e vajza, në një mjedis shumë të ngushtë, pa vend për të shtrirë këmbët, pa ujë, pa tualete të mjaftueshme, pa shtroje e mbuloje, pa kurrfarë higjiene, pa asnjë mundësi jetese. Më dukej sikur nga momenti në moment jetët e tyre do shuheshin, e përse: për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti.  Së dyti, i jam shumë mirënjohës Radios Shqiptare, jo Televizionit Shqiptar të kohës. Radio Tirana solli brenda në grevë mikrofonin e vet. Dhe, mbasi ia drejtoi Abdi Baletës, i cili mbështeti rininë në kërkesat e veta, ma drejtoi edhe mua. Mbaj mënd që kam thënë këto fjalë: “Jeta e një studenti, kushdo qoftë, është më e shtrenjtë sesa emri i universitetit”. Aludova qartë dhe thjeshtë se emri i Enver Hoxhës duhej hequr, që të shpëtohej çdo jetë rinore. Pati ovacione të përlotura të paimagjinueshme. Ato çaste janë të pashlyeshme në kujtesën time. Ndoshta mbeten edhe sot e kësaj ditë çastet më kulmore.   Së treti, mirënjohje të lartë duhet t’i shprehim qytetarëve të kryeqytetit, Tiranës. Atë ditë, përpara rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës hyra për së fundit herë në Grevën Studentore. Ishte ora rreth 11.00 e mëngjesit. Një grup studentësh që bënin roje te porta qendrore e Pallatit të Rinisë ku bëhej greva më kapën në supe, më ngritën lart, shumë lart me qëllim që të më shihnin qindra mijëra qytetarë  të Tiranës që ishin mbledhur instiktivisht te sheshi i Qytetit Studenti. Të gjithë donim t’i jepnim zemër njëri-tjetrit. Ndjeheshim të braktisur nga regjimi.       

-Ju kontaktuat ndonjëherë drejtpërdrejt me Ramiz Alinë për grevën e studentëve?  

Jo, asnjë takim direkt, asnjë bisedë telefonike dhe me asnjë përfaqësues të Ramiz Alisë nuk kam pasur kontakt nga fillimi deri në përfundim të grevës dhe rrëzimit të monumentit. Dua të theksoj një fakt, se përpara rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, udhëheqja e Rinisë së Fierit, me drejtues Koço Kokëdhimën hoqën bustin e Enver Hoxhës në Fier dhe e hodhën në Gjanicë. Për Koço Kokëdhimën, Kryehetuesi i Republikës lëshoi urdhër arresti. Koço erdhi në mes të natës në shtëpinë time te ish Parku i Autobusëve dhe unë i dhashë leje dy muaj që të shkonte të njerëzit e gruas, diku nga Elbasani, me qëllim që t’i largohej arrestimit. Kështu veproi Kokëdhima me porosinë time. Kaluam thuajse në ilegalitet.      

– Cilët nga organizatorët e asaj greve që ju patët kontakte, ju bëri përshtypje? 

  Nuk di çfarë të them e kë të përmend. Ishin si një familje e madhe e gatshme për t’u flijuar. I shihja me sy të përlotur e më shihnin në gojë se çfarë flisja. Për mua nuk kishte individ të veçantë, por një qenie unike, një grup shoqëror, një moral i përbashkët, një filozofi të njësuar, një shpresë e pathyeshme, një guxim i papërmbajtur, por edhe një mbështjellëse emocionale e paimagjinueshme që e bënte grevën shumë prekëse, sakrifikuese e sublime.    

– Çfarë negocimesh bëtë ju, si sekretar i parë i Rinisë me organizatorët e asaj greve?  

Thjeshtë, mund t’ju them se hymë me Abdi Baletën për të biseduar, dialoguar e negociuar me grevistët e dolëm duke i mbështetur plotësisht ato. Grevistët kishin të drejtë, grevistët po sublimoheshin. Nuk kishte vend për negociata, por vetëm e vetëm për mbështetje. Ne e bëmë atë. U njësuam me grevistët. Radio Tirana i ka në arkivat e veta intervistat tona, të Abdiut dhe të miat. Kushdo le t’i kërkojë e do i dëgjojë. Këto intervista që vinin nga brenda greve, përmes valëve radiofonike ngritën në këmbë tërë kryeqytetasit, të cilët avancuan kërkesën e studentëve për heqjen e emrit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës, tek heqja e Monumentit të Diktatorit nga Kryeqyteti.  

– Ju nga i kishit marrë udhëzimet, për çfarë duhet t’u propozonit studentëve?  

Asnjëri nga ne. Unë, Abdi Baletën e takova në hyrje të Pallatit të Kulturës. Ishim miq e u përshëndetëm. Por, ishim të mpirë e nuk biseduam asgjë. Hymë brenda. Pamë e dëgjuam shumë. E për konseguencë mbajtëm të njëjtin qëndrim nga situata, rrethanat, impresioni rinor dhe nga ndërgjegjja jonë e brendshme.   

– Kishin fushëveprimit që të vetëvepronit, apo ishit të detyruar të përcillnit ato që ju thoshin nga PPSH e qeveria?  

Ishim njerëz të lirë, për aq sa mund të ishin gjithë studentët që kishin hyrë në grevë. Jashtë ndjenim një presion të jashtëzakonshëm. Mbaj mënd si sot, se mbasi dhamë intervistën në Radio Tirana direkt nga greva shkova në zyrë. Një zile telefoni tingëlloi. E ngrita . Dëgjova fjalët…”o reaksionar e prift i Shkodrës, e tradhtove gjakun e Qemal Stafës…” Ishte një nga kolegët e mi të ngushtë, që më telefononte nga një prej qyteteve më patriotike të Shqipërisë, por që kishte sentiment të veçantë për Enver Hoxhën. U përpoqa të kuptoja se edhe ai ishte nën një presion akoma më të madh se unë. Zëri vinte nga Gjirokastra…   

– Po sot, si duhet kremtuar 20 shkurti i 1991-shit?  

Është një ngjarje tejet emblematike. Më vjen keq kur politizohet. Akoma më keq më vjen kur një krah politik do ta përvetësojë në mënyrë të pamoralshme e një krah tjetër do ta injorojë në mënyrë të padrejtë. Ajo grevë është ngjarja më kulmore dhe njëkohësisht më popullore në historinë e përmbysjes së komunizmit në Shqipëri. Për këtë arsye atë ditë nuk u gjakos askush, nuk u arrestua askush, nuk u ndoq askush. Ishte i gjithë populli i kryeqytetit që rrëzonte monumentin e diktatorit në shesh, ishte gjithë rinia e Shqipërisë që hiqte emrin diktatorit në Universitet. Pra, ishte vullneti i mbarë popullit shqiptar, i lirë, demokratik e paqësor.    

-Protesta që do të organizojë PD-ja në 20 shkurt 2014, a kanë rezonancë me idealet e grevës së urisë të 20 shkurtit 1991?  

Çdo parti politike, të gjitha së bashku e mbarë populli shqiptar kanë legjitimitetin që ta përkujtojnë Grevën e Rinisë së Studentëve të shkurtit 1991 për rrëzimin e monumentit të diktatorit Hoxha nga sheshi i Tiranës dhe heqjen emrin të tij nga Universiteti Kombëtar. Është në të drejtën e çdo grupi politik, shoqëror apo individi të lirë ta përkujtojë këtë moment historik të papërsëritshëm në historinë moderne të popullit shqiptar.  

Intervistoi Jakup B.Gjoça   – / Gazeta Sot /