Intervistoi Mila Ballhysa
Partia Socialiste arriti një fitore të rëndësishme në qarkun Durrës duke përsëritur rezultatin e 4 viteve më parë, marrjen e 8 mandateve. Për koordinatorin Adrian Çela kjo është një fitore e të gjitha strukturave, anëtarësisë, patronazhistëve dhe të gjithë mbështetësve. Ai deklaron me bindje se të gjithë ishin të sigurtë për fitimin e 8 mandateve.
“Nuk e kemi vënë asnjëherë në dyshim marrjen e 8 mandateve. Ndoshta ju duket çudi, ju duket mendjemadhësi, por objektivi ynë dhe fakti që kryeministri Edi Rama u vendos i teti tregon që ne e kishim objektiv plotësisht të realizueshëm”,– thotë ai në një intervistë për “DurrësLajm”.
Tashmë që adrenalina dhe stresi i fushatës ka mbetur pas, koordinatori Çela ndihet i lumtur.
“Ndihem i lumtur, jo vetëm për vete, por për të gjithë anëtarësinë e PS-së që ka kontribuuar në këtë sukses, njëkohësisht për të gjithë qytetarët dhe votuesit që na mbështetën”.
Për të, momentet më emocionuese të pas fitores ishin videot nga festimet që i dërgonin mbështetësit dhe qindra urime nga qytetarë të ndryshëm gjatë ecjeve nëpër rrugët e Durrësit
“Festimet e tyre më kujtonin festimet pas fitores së skuadrës së zemrës në një kampionat botëror”,– thotë Çela.
Por çfarë e bënin koordinatorin Çela dhe PS të kishin siguri të plotë se objektivi 8 mandate ishte plotësisht i arritshëm?
Sipas tij, fushata masive e vaksinimit dhe rindërtimi mbeten dy nga pikat më forta të qeverisë Rama dhe një nga elementët kryesorë që përcaktoi fitoren e mandatit të tretë.
Por edhe pse sapo ka fituar mandatin e tretë, PS e qarkut Durrës do të nisë që nga dita e hënë analizën e thellë të rezultateve në terren, për të kuptuar në zona të caktuara se çfarë mund të përmirësojë, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për betejën e ardhshme elektorale.
Nga kampi opozitar janë adresuar në drejtim të tij dhe PS-së akuza të ndryshme të cilat lidhen me procesin zgjedhor (fletët e shpallura të pavlefshme dhe të llogaritura si vota për PS siç pretendon LSI) apo për lidhjet e tij me elementë kriminalë, akuzë e ngritur nga kreu i PD Durrës Ferdinand Xhaferaj, apo dërgimi i shumë emrave të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste në SPAK nga drejtuesi politik i PD, Edi Paloka. I pyetur për një reagim të tij mbi këto akuza, koordinatori Çela shprehet:
“Unë gjatë të gjithë fushatës nuk kam përmendur asnjë emër, nuk kam sulmuar askënd dhe s’kam përmendur asgjë, as për PD dhe as për LSI. Ata personazhe që më kanë akuzuar, do të përballen që nga java tjetër me mua në prokurori dhe gjykatë, për akuzat e ngritura pa fakte. Ata kanë bërë akuza, por nuk kanë asnjë fakt. Unë kam plot fakte dhe dëshmi për këta persona që ju përmendët dhe do t’i çoj në gjykatë”.
Duke u ndalur tek humbja e PD-së dhe LSI-së, ai thotë se të vetmet qendra votimi ku opozita ka rezultuar forcë e parë janë ato të ngritura në burgun e Durrësit dhe të Fushë Krujës, si dhe 10 qendra në zonën e qytetit.
“Por dhe aty me rezultat minimal”,- thotë Çela.
“Kanë fituar vetëm në zonën e ish-Kënetës, në zonën e Katundit të Ri, që njihen si bastione të së djathtës”,- vijon më tej ai.
Pretendimet e opozitës për fletët e pavlefshme të llogaritura për PS, Çela i konsideron lehtësisht të verifikueshme, pasi çdo subjekt politik ka të drejtën të kërkojë në KQZ hapjen e kutive për të vërtetuar pretendimet e veta.
Prej rreth 6 vitesh e gjysëm në krye të OSHEE, por a ka koordinatori politik i PS në qarkun e Durrësit objektiva të reja në angazhimet e tij profesionale?
Ndërsa buzëqesh, para se t’i përgjigjet pyetjes, Adrian Çela thotë më pas se:
“Unë kam një pozicion menaxherial në administratë, që nuk lidhet fare me rezultatin politik. Ajo lidhet me rezultatet që unë kam në atë kompani, të cilat flasin vetë gjatë kësaj periudhe që unë e drejtoj. Është një gjë që është jashtë kësaj teme”.





