Nga Gjon BRUÇI
Nëntëdhjetë përqind e intervistës së ambasadorit amerikan Arvizu, dhënë për Revistën “JAVA” në prag të largimit nga vendi ynë, ishte një ligjëratë diplomatike, e cila, edhe po të dëgjohej në origjinal (anglisht), zor se do të kuptohej, qoftë edhe nga bashkëatdhetari i tij. Madje jo vetëm diplomatike, por edhe tjetër për tjetër ishin disa nga përgjigjet e pyetjeve të përsëritura të gazetarit tonë. Kjo dukuria e fundit i ngjante “stilit” të Berishës, çka tregon se ndikimi i liderit tonë karizmatik për përgjigjet “hane Shan, hane Bagdat” ka qenë i efektshëm edhe tek miqtë, të cilët kanë patur “fatin” të bashkëpunonin me të, gjatë kohës kur ai ishte majë fikut.
E megjithatë, tri çështje ishin të kuptueshme në fjalët e zotit Arvizu: “Miqësia 100 vjeçare amerikano-shqiptare”, “Loja me letra” dhe “Shqipëria po ndryshon”- nëntituj që dalin nga intervista në fjalë.Le t’i marrim me radhë: Është e vërtetë se me SHBA si shtet e fuqi ekonomike e ushtarake shqiptarët njihen prej 100 vitesh. Por jo në të gjithë këta vite SHBA-ja ka qenë në krah të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Presidenti Uillson mbajti qëndrim të drejtë në vitin 1919 në mbrojtje të Shqipërisë, ashtu siç kishte bërë edhe Lenini dy vite para tij (1917) kur demaskoi faqe botës Traktatin e fshehtë të Londrës që e coptonte vendin tonë midis fqinjëve. Në Luftën e dytë Botërore Shqipëria me meritat e veta u radhit në Koalicionin e madh Anglo-Sovjeto-Amerikan kundër bishës fashiste, por në fund të luftës, në vitin 1945 Departamenti i Shtetit i SHBA projektonte plane për këmbime territoresh midis Jugosllavisë e Shqipërisë. Sipas këtij plani Shqipëria, për tokat shqiptare në Kosovë duhej të kompensonte sllavët me Shkodrën e rrethinat e saj. Një vit më vonë, në Konferencën e Paqes në Paris, kur Caldarisi u lëshua mbi Shqipërinë për ta konsideruar pjesëtare të humbësit të luftës e për të zhvatur në këtë mënyrë të ashtuquajturin “Vorioepir”, përfaqësuesi i SHBA-së nuk lëvizi as gishtin për aleatin e vogël, ndonëse kolegët e tij kishin qenë të paktën formalisht me partizanët e Enver Hoxhës në luftën e madhe Çlirimtare. Në vijim të kësaj date e gjer në vitin 1954, gati dhjetë vjet, SHBA-ja jo vetëm nuk ishte në krah të shqiptarëve e të Shqipërisë, por nuk la bandë e kriminel pa dërguar për të përmbysur me dhunë e më terror pushtetin popullor të sapo dalë nga lufta e përbashkët Antifashiste. Mercenarët e përgatitur nga CIA amerikane në misionin “Kompania 4000”, në bashkëpunim edhe me agjentura të tjera simotra, gjatë viteve 1945-1954 vranë rreth 650 shqiptarë, shumica ushtarë, punëtorë e fshatarë të thjeshtë, më synimin që të frikësonin e kundërvinin popullin kundër pushtetit të tij, gjë që nuk ndodhi. Shënoj këtu, se midis viktimave të këtij terrori e të këtyre bandave terroriste është edhe babai i artikullshkruesit, funksioni i vetëm i të cilit ishte ai i Këshilltarit vullnetar të katundit të tij.
Viti 1999 shënon një kthesë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Për fatin e shqiptarëve, interesat e Amerikanit të madh u puqën me ato të shqiptarit të vogël, gjë që solli lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar të Kosovës, liri e pavarësi të cilat kanë mbetur në gjysmë të rrugës, sepse interesat e mikut të madh nuk u shtynë më tutje. Madje duket se ato kanë ndërruar kahje, çka po vë në pikëpyetje edhe mëvetësinë e Kosovës të fituar me gjakun e djemve më të mirë të saj.
Në këto 23 vjet të të ashtuquajturës “demokraci perëndimore”, roli i SHBA-së në adresë të vendit tonë, Shqipërisë, ka qenë determinant. Opinioni i përgjithshëm i shqiptarëve, (shprehur në shifra: 95 % e tyre), e konsideron Amerikën kampione të demokracisë dhe shpëtimtare të Shqipërisë. Madje dhe emrin Amerikë shumë prej bashkëatdhetarëve të mi e përkthyen në fillim në “ha – mer – ikë”, çka nuk u vërtetua dhe nuk kishte si të vërtetohej. Sqaroj se unë që shkruaj këto radhë nuk bëj pjesë në atë 95 përqindëshin e mësipërm, por jam i sigurtë që kjo shifër do të zvogëlohet. Do të zvogëlohet sepse gjatë këtyre 23 viteve, duke qenë afër e “krah për krah” me mikun e përtej oqeanit, patëm mundësinë të përjetojmë edhe miradinat, edhe kusuret që na afroi miku. Shqiptari beson në miqësinë e sinqertë dhe jo në atë të interesit. Ndërsa miku i përtejoqeanit e deklaron hapur se “Nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përkohshme”. Pikërisht në këtë ndryshim esencial qëndron edhe kontradikta midis nesh dhe amerikanëve. Kjo “sëmundje” ne na ka shoqëruar gjatë gjithë historisë sonë shekullore. Dhe më e keqja, megjithëse jemi djegur disa herë (me grekët, me italianët, me rusët, me kinezët), përsëri besojmë në mënyrë naive tek miqësia e sinqertë dhe kur nuk kemi Zot shtëpie të vërtetë, si në këta 23 vjet, i jepemi mikut me gjithçka. Dhe miku, siç rezultoi në këta 23 vjet na zhveshi e na la cupllak, pa ekonomi, pa kulturë, pa pasuri, pa ushtri, pa pavarësi, pa dinjitet, pa palcë kurrizore, duke na kthyer si shkop arixhofke, e duke na përdorur si mercenarë në Irak, Afganistan e gjetkë, e gjer punëtorë e shërbëtorë në çmontimin e armëve kimike të Asadit.
“Periudha e fundit, – thotë ambasadori Arvizu në intervistën e tij, – ka qenë periudhë shumë intensive. Ndoshta është thjeshtë fat, siç thashë, ndonjëherë është si lojë me letra. Të bien në dorë disa letra të caktuara dhe duhet të luash me to sa më mirë të mundësh”. Kjo frazë, e bukur në formë, na rrënqeth. Na rrënqeth sepse na kujton historinë e vendit tonë, i cili, përveç periudhës së socializmit kur “Ustai kishte biçak”, gjithë periudhat e tjera të kohës moderne është përdorur si letër bixhozi në tavolinat e fuqive të mëdha. Por dhe këtu brenda, kur na kujtojnë “letrat”, ne alarmohemi. Janë pikërisht këto “letra” të cilat na prunë mënxyrën e ‘97-tës, bombën e Gërdecit, vrasjet e 21 janarit, tri “veprat” më të “spikatura” të historisë sonë “demokratike”, të realizuara pikërisht kur në krah kishim e kemi mikun e përtejoqeanit, i cili na thotë se jo vetëm njëqind vitet që shkuan, por edhe 100 vjetët e ardhshëm do të na jetë “në krah”…
“Shqipëria po ndryshon”, – konkludon ambasadori amerikan Arvizu. Po, shumë e saktë. Njëzet e tre vjet kanë mjaftuar që shqiptarët të kuptojnë se demokracia borgjeze, perëndimore apo lindore qoftë, është vetëm një fasadë. Një fasadë e cila çdo ditë griset duke nxjerrë kokallat e saj të shëmtuara e të manipuluara me të gjitha hiletë e dhe të ligat e shoqërisë së konsumit. Nëse do të testonim pa hile e pa autoçensurë popullin e thjeshtë, do të konstatonim se për shumicën e aspekteve të jetës, shqiptarët do të riktheheshin tek sistemi që u përmbys në fund të viteve nëntëdhjetë. Socializmi, sigurisht nuk ishte sistem i përsosur, sepse si periudhë tranzitore midis Kapitalizmit e Komunizmit, kishte mangësitë, peripecitë e zigzaget e veta, të cilat lidheshin me kohën, me vendin dhe njerëzit që e aplikuan. Por demokracia që është aplikuar e aplikohet sot në vendin tonë, dhe jo vetëm, gjithçka mund të quhet, por jo demokraci. Asnjë shqiptar i ndershëm nuk mund ta përtypë faktin se megjithëse gjatë këtyre 23 viteve, kanë ndodhur krime e skandale monstruoze, faji ka mbetur gjithnjë jetim dhe “demokracia” borgjeze ka heshtur, ka manipuluar e madje ka mbrojtur hapur krimin dhe kriminelin. Askush nuk mund ta harrojë ‘97 -tën, e cila, jo vetëm përmbysi shtetin, por shkretoi e gjymtoi mijëra familje, pa llogaritur pasuritë dhe resurset kombëtare. Askush nuk mund të harrojë Gërdecin, kur ndërmarrja shqiptaro-amerikane që punonte për hesap të Pentagonit shkaktoi 26 viktima të pafajshme, qindra të tjerë të plagosur e mijëra shtëpi të shkatërruara. Askush nuk mund të nxjerrë nga memoria 21 janarin, kur junta qeveritare e “demokracisë” vrau në mes të bulevardit katër qytetarë që manifestonin për të drejtat e tyre demokratike. Të tria këto bidate, ashtu si dhjetra të tjera kësisoj, kanë ndodhur në prezencë të përfaqësuesit të “mikut të madh”, që në këta 100 vjet na paska qëndruar në krah. Për më keq, përfaqësuesi i “mikut” në fjalë jo vetëm ka heshtur, por ka dirigjuar edhe kompromisin e amnistinë me të cilat janë mbuluar e harruar krimet në fjalë. Ashtu siç ky përfaqësues nuk ka munguar tu thotë paradoksalisht “burrë shteti” e “Yll në ngjitje” autorëve të krimit monstruoz të 21 Janarit.
Në këta 23 vjet të të ashtuquajturës “demokraci” miku i madh amerikan, së bashku me kolegët europianë, kanë qëndruar e qëndrojnë jo në krah të popullit e të Shqipërisë, por në krah të politikanëve e pushtetarëve të radhës, të cilët rolin e servilit e të mercenarit e kanë realizuar në mënyrë shembullore. Po të kishte ndodhur ndryshe, ata nuk do ta kishin shtyrë kaq gjatë tranzicionin, me të cilin mbulojnë e justifikojnë dështimet e tyre. Miku Arvizu, thotë se “u zhgënjyem” kësaj radhë nga Shqipëria, e cila refuzoi një rast fatlum, apo siç thotë çuditërisht profesor Servet Pëllumbi, “shansin që vjen një herë në 100 vjet!!!”. Dhe ka të drejtë Arvizu me kolegët e tij të politikës amerikane që zhgënjehen me kundërshtimin e “ofertës”dhe protestat, që për të parën herë u bënë edhe përpara ambasadës së tyre. Prej 23 vjetësh politikanët dhe pushtetarët tanë kanë marrë e marrin frymë nga gurmazi i SHBA, vendi ku shumica e tyre kanë ngritur edhe çerdhet për strehim në rast rreziku. Me të drejtë në protestën e fundit kundër armëve kimike kishte dhe një parullë: “Duaje Atdheun si Kryeministri Amerikën”. Kjo parullë nuk ishte vetëm për kryeministrin e radhës, por për gjithë kryeministrat dhe ministrat tanë, të cilët nuk e fillojnë detyrën si pushtetarë, pa marrë bekimin moral e fizik të Uashingtonit. Ishin dhe këto, përveç çështjes së armëve, disa nga shkaqet që nxitën qytetarët për të dalë në protestën e madhe të fillim nëntorit.
Protesta masive e Nëntorit kundër demontimit në vendin tonë të armëve kimike të Asadit, nuk pritej as nga politikanët tanë e as nga miku ynë i madh. Aq më pak një protestë kundër ofertës amerikane. Çka ndodhur? Ka ndodhur e po ndodh ajo që pohon vetë ambasadori Arvizu, se Shqipëria po ndryshon. Po, shqiptarët kanë nisur të ndryshojnë. Ata më në fund e kanë kuptuar se forcat politike që kanë drejtuar jetën e vendit kanë degjeneruar në atë shkallë sa nuk kanë asnjë resurs moral të udhëheqin dhe menaxhojnë jetën dhe veprimtarinë e shoqërisë shqiptare. Ky mosbesim i shqiptarëve është shtrirë edhe tek sinqeriteti i mikut që na rri “në krah” duke na zgjatur kulaçin, pas të cilit gjendet edhe kërbaçi. Ndaj dhe u ngritën e zunë bulevardin duke nisur protestën më domethënëse të zhvilluar në vendin tonë gjatë këtij tranzicioni sa qesharak, aq dhe dramatik. Pretendimet e disa politikanëve dhe analistëve naivë, apo djallëzorë se protestat e rinisë shkollore e studentore ndodhën për faj të mosinformimit, apo se u nxitën e u manipuluan nga segmente politikë janë krejt pa baza. Protesta ishte sa spontane, aq dhe e “organizuar”. Jo e organizuar teknikisht, por shpirtërisht. Shpirti i të rinjve i përplasur me realitetin, i përplasur me padrejtësinë, i përplasur me papunësinë, i përplasur me dallkaukllëkun e politikanëve e pushtetarëve, i përplasur me mungesën e perspektivës për të ardhmen, ishte fryrë kaq shumë sa kërkonte vetëm një shkëndijë të shpërthente. Dhe shkëndija në këtë rast ishte “Oferta” poshtëruese e mikut të madh, i cili duke na konsideruar si një vend të humbur të Magrepit, na afroi dollarë e punë skllavi për zbërthimin dhe groposjen në vatrën tonë të helmeve që ata vetë kanë prodhuar, por që qytetarët e vendit të tyre nuk ua qasin.
Në protestë ishin nga të gjitha shtresat, por rinia përbënte shumicën. Kjo sepse ndërgjegjësimin më të shpejtë po e realizon brezi i ri. Të rinjtë nuk kanë komplekse për të kaluarën dhe as frikë për të ardhmen. Falë dijeve dhe aftësive që kanë fituar, ata e shohin realitetin në sy. Dhe realiteti jo vetëm nuk është rozë, por mund të themi pa frikë se nxin në çdo aspekt. Këtë realitet ajo kërkon ta ndryshojë. Rinia shqiptare, por dhe pjesa dërmuese e popullit, ka filluar të kuptojë se sistemi i ekonomisë së lirë të tregut dhe demokracia e shumëtrumbetuar borgjeze nuk është gjë tjetër, veçse një mantel fosforeshent që rreket të mbulojë thelbin kriminal të sistemit shfrytëzues kapitalist e të zgjasë jetën e këtij sistemi, i cili ndodhet në grahmat e fundit, në pamundësi për ta menaxhuar paqësisht shoqërinë njerëzore, përveçse me mashtrim e me dhunë. Pikërisht tek ky kuptim i realitetit dhe reagimi ndaj tij nis edhe ndryshimi që po ndodh. Ndryshim i cili do të thellohet, organizohet dhe do të sjellë një realitet të ri, ose më shkoqur, një sistem të ri shoqëror që të përfaqësojë denjësisht interesat e gjithë shoqërisë njerëzore. Dhe kjo nuk do të vonojë. Bota dhe e ardhmja është e rinisë. Ajo do t’i fitojë ato.
http://www.sot.com.al/opinione/po-zoti-arvizu-shqip%C3%ABria-po-ndryshon





