Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka thyer herësin duke fituar mandatin e deputetit edhe pse renditej i 23-ti në listën e PS-së në Tiranë.

Përmes një postimi në Twitter, Xhafaj falënderon të gjithë ata që e kanë votuar në zgjedhjet e 25 prillit, por edhe familjen e tij, që sipas tij, ishte pjesë e kësaj beteje.

“Në pamundësi për t’ju takuar dhe përshëndetur të gjithëve në këto momente dhe me dëshirën për tu parë e përqafuar së shpejti ju them: Faleminderit! Mirënjohje pafund! Familjes sime të mrekullueshme që ishte pjesë e kësaj beteje dhe miqve tanë të shumtë që si përherë ndër vite u gjendën pranë nesh dhe na mbështetën me zemër në rrugëtimin tonë. Shifrat tashmë publike konfirmojnë se e kam kaluar pragun minimal për të qënë deputet në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë. Së bashku me ekipin e fushatës jemi duke monitoruar përfundimin e procesit të numërimit për të respektuar çdo votë në kutitë e votimit”, shkruan Xhafaj.