Tiranë, 10 nëntor 2013 – Armët kimike prej ditësh janë shndërruar në ankth për shumë shqiptarë, të cilët shikojnë me frikë fatin e tyre, të fëmijëve të tyre dhe të vendit ku ata kanë ngritur çerdhen e jetesës. Nga problem i Sirisë dhe i popullsisë që prej kohësh është duke u masakruar në një luftë të tmerrshme civile, ku janë përdorur armët kimike që kanë bërë vrasje masive, nga tani e tutje shkatërrimi i tyre  importohet brenda kufijve shqiptarë. Politika shqiptare si një produkt servil i fuqive të mëdha, por edhe shërbëtore e bindur e agjenturave të ndryshme, greke, serbe, italiane, maqedonase, bullgare, kineze, ruse, ku padyshim edhe atyre amerikane ka luajtur rolin e memecit duke mos bërë as më minimalen transparencë për këtë problem që i intereson shqiptarëve dhe jo një grushti njerëzish që kanë në dorë vendimmarrjen. Nëse nuk do ishte media, për qeverinë shqiptare ne sot do kishim të magazinuar 1300 tonë armë kimike në uzinën e Mjekësit, por amplifikimi i bërë nga mediet dhe shoqëria civile ka vënë me shpatulla për muri vendimmarrjen shqiptare, e cila ka filluar të zbardhë pak e nga pak rebusin e problemit në fjalë. Në rastin konkret problemi kryesor është mungesa e transparencës sesa vendimi që do të merret. Pa dashur të bëjmë disfatistin, nisur nga roli që SHBA ka ndërmarrë në botë për Shqipërinë, në zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull që nga copëtimi i kufijve dhe ristrukturimin e rolit gjeopolitik të kombit shqiptar, si dhe  patronati i heshtur i SHBA mbi Shqipërinë, futja e armëve kimike është cështje ditësh. Nëse SHBA kanë vendosur që këto armë do demontohen në Shqipëri, roli  ynë dhe i shoqërisë civile është i papërfillshëm. Nisur nga detyrimet partneriale që lindin nga aderimi në NATO dhe ridimensionimi i rolit shqiptar në rajon, ky detyrim do të përmbushet pa pasur dyshimin më të vogël. Problemi që ngrihet në rastin konkret, është keqpërdorimi që po i bëhet këtij veprimi nga forca të ndryshme politike. Nëse kryetari i opozitës, Lulzim Basha e kontestoi këtë proces si mungesë transparence të qeverisë pa goditur thelbin, nëse duhet të futen apo jo armët kimike në Shqipëri, aleati i Ramës, Ilir Meta, e shfrytëzoi këtë moment për ti futur thikën pas shpine Edi Ramës. Jo më larg se dy ditë më parë ai u deklarua kundër futjes së armëve kimike në Shqipëri, duke kontestuar në një farë mënyre aleatin e tij. Nëpërmjet medieve të tij ai trumbetoi si qëndrim radikal antiramë kundërshtinë kategorike ndaj futjes së armëve kimike. Ndërkohë që, ditën e diel i thirrur nga ambasadori amerikan, në një takim me Edi Ramën dhe Mimi Kodhelin,  Ilir Meta ndryshon qëndrim duke deklaruar përmbushjen e detyrimeve ndaj Amerikës, por sipas kapaciteteve. Nuk zgjati as dy ditë kreshpërimi antiimperialist i Ilir Metës. Tani problem na doli sasia, pasi këto armë do hyjnë në Shqipëri edhe me dëshirën e Kryetarit të Parlamentit. Më në fund edhe kreu i LSI e kuptoi se me SHBA nuk bëhet shaka, packa se gjeti momentin jo të përshtatshëm për t’i futur thikën aleatit të tij në koalicion. Të dy së bashku, Luli edhe Iliri pas takimeve me ambasadorin amerikan kanë dalë të qeshur dhe kanë deklaruar me lumturi të pashoqe përmbushjen e detyrimeve që lindin në raport me SHBA. Të kuptohemi: Nuk mund të bënin më shumë. Faji i tyre ishte shkëputja nga realiteti, të cilin patën fatin e mirë ta korrigjonin me urgjencë. Armët kimike janë një fatkeqësi në gjithë botën, por fati i shqiptarëve paska qenë një bashkëjetesë mes të mirës dhe së keqes. Mesa duket çdo çmim e ka një haraç.  Nëse Luli është i zhytur kokë e këmbë në detyrime personale që nuk e lejojnë të kalojë caqet në raport me pozicionin e tij politik, Ilir Meta e ka të pamundur të lëvizë nga trajektorja që duhet të ndjekë.

 

http://www.sot.com.al/politike/meta-pro-dhe-kund%C3%ABr-shba-p%C3%ABr-arm%C3%ABt-kimike-shfryhet-roli-antiimperialist-pas-takimit-me