Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi ka thyer herësin edhe pse renditej i 7 në listë dhe demokratët morën 6 mandate në këtë qark.
Boçi mund të jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm pasi ka arritur të mbledhë 11076 vota, ndonëse mbeten edhe dy kuti për t’u numëruar.
Pas këtij rezultati, ai shpreh falënderimet përmes një postimi në rrjete sociale për të gjithë qytetarët elbasanas që e votuan.
POSTIMI I PLOTË
Shumë pak të shprehësh vetëm falenderime për qytetarët e qarkut Elbasan, të cilët më votëbesuan ndershmërisht, me ideal e vërtetësi, pa u ndikuar as nga paratë e pushtetit, as nga dhuna e tij, as nga joshjet e miklimet për favore!
Nuk mjafton vetëm mirënjohja për strukturat e Partisë Demokratike të qarkut e drejtuesit e tyre, komisionerët, vëshguesit, grupet mbështetëse, përfaqësuesit e ZAZ-ve, numëruesit, të gjithë anëtarët e PD, të cilët më përkrahën pa bujë e zhurmë, po me shpirt e zemër, nē këtë betejë të pabarabartë me të keqen!
Përulje respekti për ekipin tim të mrekullueshëm e të palodhur, plot jetë, vlera e vizion, me vajza e djem të mençur, entuziastë e me shumë dëshirë për të ardhmen!
Nderime pa fund për shokët e miqtë e mi të shumë brezave e shtresave e bashkëpunëtorët e kaq viteve politikë, të cilët nuk u shkëputën as një minutë e centimetër nga lufta krah meje!
Vlerësime të sinqerta e të vërteta për Kryetarin e PD, zotin Basha që me besoi kandidimin, për Gazin që drejtoi me dinjitet fushatën e qarkut, për grupin cilësor të deputetëve që me diferencat e qëndrimeve e opinioneve kalimtare, më motivuan më shumë.
Në fund, familja ime tashmë e rritur në numër, jam vetë unë!
Megjithatë nuk mund të bërtas dot FITORE, sepse kjo e imja është thjesht një rreshtim i ri pranë të gjithëve ju!
Beteja për të çnjërrosor të keqen që ka pushtuar vendin vazhdon…





