17 shtator 2013-Futbollisti shqiptar Ergys Kaçe ka kërkuar falje për postimin në FB, të fotos ku ai mbante veshur bluzën me logon e UÇK-së. 

Në një intervistë, Kaçe ka treguar se çfarë dëshmoi dje para bordit drejtues të klubit dhe kërkoi ndjesë për veprimin që shkaktoi aq shumë reagime. 
“Më vjen keq për këtë veprim, që iu dha të drejtën disa njerëzve të flasin keq për PAOK-un dhe tifozët e tij. PAOK ka bërë shumë për mua, më ndryshoi jetën mua dhe familjes sime dhe për këtë arsye nuk dua që të komentohet negativisht”, është shprehur mesfushori 20 vjeçar. 
"Unë e kuptoj se s’mund të jem më në ekip. Kjo varet nga presidenti zoti Savidis dhe administrata e klubit, por shpresoj që PAOK do marrë për mua vendimin më të mirë”, ka thënë Kaçe. 
Referuar dëshmisë së tij dje para bordit drejtues të ekipit, Kaçe tha se ka pohuar se nuk e dinte se çfarë ishte UÇK. “E vesha bluzën sepse pashë flamurin e Shqipërisë dhe nuk më shkoi në mendje se çfarë do të shkaktojë kjo çështje në Greqi. Nëse do ta dija, në asnjë mënyrë nuk do ta vishja. Unë jetoj këtu, këtu jam rritur, këtu kam shkuar në shkollë. Këtu është atdheu im i dytë". 
I pyetur nëse e njeh historinë e UÇK-së, futbollisti shqiptar është përgjigjur: “Nuk e di, sepse kam ardhur 2 vjeç dhe jam rritur në Greqi. Edhe kur grumbullohem me Kombëtaren Shqiptare shokët e mi qeshin me mua, për shkak se nuk e flas gjuhën si duhet. Tani po mësoj edhe himnin kombëtar të Shqipërisë". 
Lidhur me postimin e fotos në profilin e tij në FB, Kaçe pohoi se nuk ishte ai që e postoi atë, por një shok tij 
Në përfundim ai tha: "Dua t’i kërkoj falje ekipit tim, që e vura në pozitë të vështirë dhe gjithashtu edhe grekëve. Unë e respektoj Greqinë, sepse u rrita këtu dhe shumica e miqve të mi janë grekë. Nuk do të doja që të mendojnë negativisht për mua". 
Ndërkohë mesfushori shqiptar mbetet i pezulluar nga veprimtaritë e ekipit, në pritje të vendimit përfundimtar të krerëve të klubit. 


/Balkanweb/