TIRANË,17 shtator 2013 – Partia Demokratike vlerëson se Brukseli i ka dhënë një mesazh të qartë kryeministrit Rama në vizitën e tij të parë jashtë vendit pas betimit, duke i bërë apel atij të bashkëpunojë me opozitën, nëse do që vendit ti hapet dritën jeshile për BE. 

Numri 1 i demokratëve, Lulzim Basha gjatë një konference për shtyp shprehu qëndrimin se PD do jetë promotor ashtu sic ka bërë në mandatin qeverisës, për të përmbushur kriteret e Brukselit, teksa i ka uruar Ramës të kthehet ‘me mend në kohë dhe këmbë në kokë” për të mos vijuar me gjuhën e urrejtjes. 
“Dua të siguroj përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel, sikurse kemi siguruar qytetarët dhe Kuvendin e Shqipërisë këto ditë, se opozita e re shqiptare nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit në BE, se do të jemi promotorë, siç kemi qenë në qeveri, se do të votojmë çdo ligj dhe akt shkon në përmbushje të kritereve të integrimit”, theksoi Basha, teksa kërkoi nga rivali i tij politik që 'ta lexojë këtë mesazh jo si rutinë, por para së gjithash si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përçarëse e konfliktuale të zotit Rama në detyrën e tij si kryetar i këshillit të Ministrave'. 
Kryetari Basha, ndër të tjera theksoi se zoti Rama e thelloi më tej luftëshpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij papreçedent se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende. “Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës”, tha ai. 
Kreu i demokratëve komentoi dhe vendimin e kryeministrit për heqjen e fotos së Presidentit Bujar Nishani nga institucionet si dhe bojkotin që i bënë ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës. 
"Zoti Rama i shpalli luftë opozitës në daljen e tij të parë në foltoren e Kuvendit, duke provokuar largimin e saj nga seanca. Një ditë më pas provokoi braktisjen e Kuvendit të Kosovës nga opozita e Kosovës me qëndrimet e tij ideologjike përçarëse të stampës së vjetër ndaj figurës së ndritur të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova. Në harkun e njëzet e katër orëve provokoi braktisje nga dy opozita kombëtare, një rekord që nuk e ka asnjë kryeministër. Në vrapin e tij drejt godinës së qeverisë, akoma pa u tharë boja e firmës së betimit para Presidentit të Republikës, nxitoi të hiqte portretin e tij në shkelje flagrante dhe përçarëse të Kushtetutës, etikës, dhe bonsensit. Kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë", theksoi Basha duke "i uruar Ramës të kthehet me mend në kokë dhe këmbë në tokë dhe të heqë dorë nga fryma e përçarjes dhe e urrejtjes".