TIRANË, 17 shtator 2013 – Tronditje të lehta toke në zonën malore të Bërzhitës, në kufi me Elbasanin. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar lëkundje toke në mesnatën e 16 dhe 17 shtatorit, ora 23:48:34 GMT të datës 16 shtator ose ora 1:48:34 (koha verore e Shqipërisë +2) të datës 17 shtator 2013. Tërmeti ka pasur një forcë M=2.6, me epiqendër në thellësinë 6 km. Ngjarja sizmike ka ndodhur në largësinë 7 km në vijë ajrore në verilindje të Krrabës, Tiranë në koordinatat 41.27°V, 20.01°L (shih hartën nr. 1, pika e kuqe të departamentit të sizmologjisë). Më saktësisht, dukuria tektonike ka ndodhur në lartësinë 550 metra mbi nivelin e detit, 1 km në perëndim të fshatit Kllojkë të komunës së Bërzhitës (shih hartën nr. 2, pika e gjelbër, që lidhet më një vijë bezhë me Krrabën dhe foton satelitore, shigjeta e gjelbër). Për shkak të intensitetit të ulët dhe thellësisë së tërmetit, fatmirësisht nuk ka njoftime zyrtare për viktima apo dëme materiale.

Info

Komuna Bërzhitë si njësi administrative i përket rrethit Tiranë. Ajo shtrihet në dy anët e rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan, 16 km në juglindje të kryeqytetit të Shqipërisë, me një sipërfaqe territoriale prej 5793.8776 ha. Komuna e Bërzhitës kufizohet në veri me komunën Shëngjergj; në juglindje me komunën Krrabë; në jug me komunën Baldushk; në perëndim e veriperëndim me komunën Petrelë. Komuna e Bërzhitës është krijuar si njësi administrative nga bashkimi i territoreve të ish-kooperativave bujqësore të Bërzhitës, Kllojkës dhe Myshqetasë, më 10 shtator 1992. Territori i komunës fillon te kthesa në kalanë e Petrelës, përshkon fushën e Dobreshit e të Bërzhitës, ngjitet në kthesat e Ibës, vazhdon me kthesat e Qafë Krrabës dhe përfundon në kilometrin e 29-të të rrugës kombëtare. Relievi i Bërzhitës përbëhet nga 2 zona malore dhe një luginë ku shtrihen të 12 fshatrat e saj. Pjesa qendrore e saj shtrihet në luginën e lumit Erzen dhe në dy pjesë malore atë të malit të Pashkasheshit dhe të malit të Cirmës. Zona malore e lindjes përfshin fshatrat Kllojkë, Fravesh, Pashkashesh dhe Rozavere. Zona malore e jugut përfshin fshatrat Mihajas-Cirmë, Kusë, Lugë-Shalqizë. Zona kodrinore fushore e luginës përfshin fshatrat Pëllumbas, Ibë e Poshtme, Ibë e Sipërme, Bërzhitë dhe Dobresh.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/