Ahmetaj e Gjiknuri në godinën e Ministrisë së Energjetikës. Haxhinasto e Gjermeni te Ministria e Transporteve. Administrata në panik.
16 shtator 2013- Dy ministra në një derë. Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka ndarë ditën e parë të punës në një godinë me ministren tjetër të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. E njëjta situatë paraqitej dje edhe në Ministrinë tjetër përballë, atë të ish-Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Në këtë godinë përkohësisht do të ushtrojnë detyrën e tyre ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
BRENDA ZYRAVE
Ora 08:30 i ka gjetur ministrat në ministri, ku së bashku me stafin e tyre politik kanë bërë edhe prezantimin zyrtar me administratën në këto institucione. Ministrja për Zhvillimin Urban dhe Turizmin, Eglantina Gjermeni, është vendosur në zyrën e ish-ministrit Ernest Noka, ndërkohë që ministri Edmond Haxhinasto është vendosur në zyrën që ka lënë ish-ministri Olldashi. Stafet politike të ministrave janë vendosur në dy salla të mëdha, respektivisht ajo e mbledhjeve me kabinetin dhe ajo e pritjeve. Puna kryesore ka qenë e përqendruar në logjistikën e brendshme, kryesisht sistemimi i kompjuterëve për punonjësit e rinj. Specialistët e brendshëm të IT-së janë kërkuar për të zgjidhur edhe “ngërçet” teknike të sistemit. Nga ana tjetër, dy ministrat, Arben Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, kanë lënë që ditën e parë të jenë shefat e kabineteve të tyre që të diskutojnë rreth ndarjeve të drejtorive dhe dokumentacionit që do të marrë në menaxhim secili. Vetë ministrat kanë ndarë gjithashtu ish-zyrat e ministrit dhe zv.ministrit dhe kanë lënë stafet e tyre politike në zyrën ku deri dje zhvilloheshin mbledhjet e Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe salla e madhe e mbledhjeve.
TAKIMET
Në ditën e parë të punës, ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të tre operatorëve të energjisë në vend. Përfaqësues të Korporatës Elektroenergjetike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe atij të CEZ Shpërndarjes. Në një deklaratë për shtyp të kësaj ministrie thuhet se Gjiknuri ka kërkuar nga tre drejtuesit informacion lidhur me situatën aktuale energjetike në vend dhe ka kërkuar që të merren të gjitha masat për të siguruar furnizim të pandërprerë në muajt në vijim. Edhe pse kërkoi që energjia të sigurohet me çdo çmim dhe kusht, Gjiknuri e ka vënë theksin në situatën financiare të kompanive, ku kërkoi filtrim më të mirë të shpenzimeve, duke evituar ato të panevojshme.
PROBLEMET
Në ditën e parë të punës janë vërejtur edhe problemet e para me të cilat është ndeshur stafi i ri i ministrive. Duke dashur të marrin në dorëzim dokumentacionin e lënë nga paraardhësit, ka pasur edhe konstatime për mungesë. Rast i tillë ishte ai i hasur pranë ish-Ministrisë së Punëve Publike, ku kompjuterit të ish-koordinatorit për legalizimet i mungonte hard disku, çka bënte të pamundur përfitimin e informacionit që ishte mbajtur apo punuar në të.
/PANORAMA/





