TIRANË- Vendimi i qeverisë për ndërrimin e fotos së Presidentit Bujar Nishani me atë të Ismail Qemalit ka sjellë dhe reagimin e kreut të shtetit. 
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Samitin e Presidentëve të Rajonit të mbajtur në Durrës, Presidenti Bujar Nishani e cilësoi veprimin e Ramës si gjest jo serioz, duke theksuar se është hera e parë që një kryeministër e nis ditën e punës me një gjest që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 

“Është hera e parë që një kryeministër të nisë punën me heqjen e fotos. Nuk është serioze! Heqja e fotos nuk është punë, por gjest dhe si i tillë nuk kërkon angazhime. Është e kollajtë, nuk kërkon lodhje dhe fantazi dhe as inteligjencë. Presidenti i Republikës pret nga kryeministri të bëjë punën dhe jo gjeste. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton se Presidentit i Republikës është kreu i i shtetit dhe i jep të drejtën atij të përfaqësimit të unitetit të popullit”, iu përgjigj Nishani interesit të gazetarëve, për vendimin e parë të qeverisë ‘Rama’. 

Presidenti Nishani teksa ka vlerësuar kontributin dhe veprën e Ismail Qemalit, nënvizoi se historia i takon historisë, ndërkohë që Kushtetuta do mbrohet në cdo rast. Nishani tha se sforcimet për të pozicionuar kreun e shtetit si ‘kundërshtar’ nuk janë të shëndetshme pasi shqiptarët kanë nevojë për bashkim. 

“Ismail Qemali është kontribuues i madh në historinë e Shqipërisë, por historia është histori dhe Kushtetuta duhet të mbrohet në cdo rast. Sforcimet për të vendosur presidentin si kundërshtar nuk janë të shëndetshme. Shqiptarët kanë nevojë për bashkim dhe kontribute, për punë dhe zhvillim ekonomik. Presidenti i Republikës do jetë në mbrojtje të Kushtetutës”, përfundoi Nishani. 

Vendimi i Ramës 
Në mbledhjen e parë të qeverisë së tij, Edi Rama mori tri vendime, dy prej të cilave i kishte premtuar që gjatë fushatës zgjedhore. Qeveria vendosi ndalimin e importit të plehrave dhe miratoi heqjen e portretit të presidentit nga institucionet shtetërore dhe zëvendësimin e tij me portretin e Ismail Qemalit.