SHKODER,16 shtator 2013- Një sasi e konsiderueshme eksplozivi i është vendosur brenda në makinë efektivit të policisë rrugore të qarkut të Lezhës, Kujtim Cardhakut.Shpërthimi u shënua rreth orës 18:30 minuta në qendër të qytetit të Shkodrës, afër sheshit “Luigj Gurakuqi”. Sipas policisë, e cila ka shkuar menjeherë në vendngjarje, eksplozivi mund të ketë qenë i telekomanduar në makinën tip “Alpha Romeo” e policit Cardhaku. Sipas dëshmitarëve, makina ka qenë e parkuar dhe në momentin që ai ka tentuar ta ndezë ajo ka shpërthyer.
Menjëherë është bërë transportimi i Kujtim Cardhakut në spital, nga ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekëve gjendja e tij e ka kaluar rrezikun për jetën.
Shtetasi Kujtim Cardhaku ka ushtruar detyrën e policit gjyqësor të qarkut të Shkodrës, por para 1 viti ai u pezullua nga puna për shkak të një incidenti që polici kishte pasur.
Sipas informacioneve, Cardhaku ka pak muaj që është rikthyer në detyrë, por këtë herë si efektiv i policisë rrugore të Lezhës. Pista ku po heton policia për zbardhjen e shkaqeve të atentatit duket se janë ato që kanë të bëjnë me detyrën e Kujtim Cardhakut.
/BalkanWeb/





