TIRANË – Një prej drejtuesve kryesorë të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, thotë se, Partia Demokratike e ka humbur identitetin e saj si forcë politike e djathtë. I ftuar në studion e A1Report, sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Oketa ka folur edhe për mungesën e tij dhe të përfaqësuesve të FRD-së në Kuvend, duke ia hedhur fajin kodit zgjedhor pasi, nuk i përkthen votat në mandate.
“Sigurisht që një lloj keqardhje është pasi ishin jo të pakët ata që besonin se FRD do kishte përfaqësuesit e saj në Kuvend”, tha Oketa përballë gazetares, Mira Kazhani. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të FRDsë, “sistemi aktual, kodi zgjedhor është i pandershëm. Kod për të krijuar një skemë dy polare, por këtë rradhë ky sistem krijoi tre pole. Për shkak të kodit, 30 mijë votat e FRD-së nuk u kthyen në mandate. Ne qëndruam korrekt parimeve mbi të cilat u ngrit FRD dhe për një parti që ka 1 vit jetë votat e marra janë një rezultat i vlerësuar”.
STRATEGJITË E FRD PËR TË ARDHMEN
Sipas Oketës, Kuvendi është institucioni ku partitë zhvillojnë debatin politik ku me votë shprehin vullnetin politik. Por sipas tij, politikë bëhet edhe jashtë parlamentit, nëpërmjet mediumeve dhe debateve televizive. Oketa ka bërë folur edhe për Bashën që si kreu i opozitës ndodhet jashtë Kuvendit dhe kujton kohën kur kryeministri i sotëm ishte kreu i opozitës, duke mos qenë deputet. “Të mos harrojmë që përsëritet e njëjta histori, kur opozita e mëparshme nuk kishte kryetarin në Kuvend, kur zoti Rama nuk ishte deputet dhe tani opozita aktuale nuk ka kryetarin brenda Kuvendit, zoti Basha”. Pë Oketën, PD-ja e ka humbur identitetin e saj si forcë e djathtë politike. “FRD-ja është krijuar si forcë e qendrës së djathtë dhe do respektojë parimet e saj. Tani është e vështirë të thuash se kush e përfaqëson të djathtën në Shqipëri. PD e ka humbur tërësisht identitetin e saj politik. Dhe akoma më keq janë deklarimet se fajin ja hedhin popullit. Të dëgjosh kryeministrin që ka drejtuar për 8 vite qeverinë të thotë se, keni ardhur në pushtet me paratë e drogës, e krimit përgjegjësi e parë është e qeverisë së kaluar. Të deklarosh se ka deputetë me dosje apo precedentë penalë atëherë përgjegjësia është e qeverisë që ishte në detyrë. Nuk kam informacione për deputetë të tillë”, – deklaroi Oketa për A1Report.
PËR QEVERINË E RE
Oketa flet edhe për qeverinë e re të drejtuar nga Edi Rama, po për të është ende herët për të folur, por sipas tij, Rama është një kryeministër me energji të reja. “Është ende herë për të folur pasi ne si FRD nuk e ndërtojmë suksesin tonë në kurriz të dështimit të të tjerëve. Do të uroja shumë që qeveria shqiptare e reja, apo një tjetër të nesërmen, të punojë për interesat e qytetarëve shqiptarë. Bëj pjesë në ata politikanë që nuk e ndërtoj suksesin tim, duke u lutur që të dështojë qeveria në punë. Duket një kryeministër që vjen me energji, pasi është hera e parë që ulet në atë pozicion. Mendime pozitive edhe për mënyrën se si e ka kompozuar kabinetin qeveritar. Për hirë të së vërtetës, brenda grupit parlamentar ka deputetë që kanë mbajtur poste të mëparshme dhe mund të jepnin kontributin e tyre. Por përsësish sërish dhe do të uroja që qeveria të punojë mirë në funksion të interesave të vendit dhe mazhoranca e opozita të bashkëpunojë në kuvendin e Shqipërisë e të rregullojnë ato gabime që Rama dhe Berisha i bënë kur ndryshuan Kushtetutën”.
PËR ILIR METËN
Për sekretarin e Përgjithshëm të FRD-së, Ilir Metës i shkon për shtat posti i kryetarit të Kuvendit. “Besoj që është ajo që pritej, pasi Meta është brenda formatit të tij konstruktiv, pasi mendoj se ja ka ndjerë lezetin këtij konstruktiviteti. Por është herët për të folur për punën e kryetarit të Kuvendit, pasi ka dhe shumë gjëra të tjera për të cilat gjykohet kryetari, jo vetëm drejtimi i seancave”, tha Oketa në studion e A1Report.
PËR MINISTRINË E MBROJTJES
Për Oketën, emërimi i Mimi Kodhelit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes është risi. “Përbën një risi që këtë ministri tani do ta drejtojë një zonjë. Në periudhën time ka pasur një zëvëndësministre. Ashtu siç i kam uruar suksese pasardhësit tim, i uroj suksese edhe ministres së re dhe uroj që atë punë që të gjithë ministrat kanë bërë në atë ministri ta çojë përpara dhe nuk më mbetet asgjë tjetër veç se ti uroj suksese”, ka përfunduar bashkëbisedimin e tij në A1Report, përballë gazetares Mira Kazhani, sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa.
/shqiptarja.com/





