16 shtator 2013-Përmes një ceremonie të organizuar në ambientet e Ministrisë së Punës, Spiro Ksera i ka dorëzuar sot zyrtarisht detyrën pasardhësit të tij, ministrit të ri të Mirëqënies dhe Rinisë, Erjon Veliaj.
Ish-ministri Ksera renditi disa nga arritjet e kësaj ministrie gjatë viteve që është drejtuar prej tij, ndërsa u shpreh i gatshëm të japë kontributin e tij në rast se ministri i ri do të ketë nevojë. “I uroj zotit Erjon Veliaj punë të mbarë, suksese, të jetë i palodhur dhe në shërbim të qytetarëve shqiptarë, sidomos të atyre që jetojnë në varfëri ekstreme, që kanë probleme të familjes, të dhunës. Do jem i gatshëm për të dhënë kontributin tim”- deklaroi Ksera.Ndërsa bëhet me dije se rreth orës 12.30, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, do të vizitojë komunitetin rom, në zonën e ish-Dekorit në rrugën e Kavajës. Gjatë kësaj vizite, Veliaj do të ndjekë nga afër situatën e krijuar gjatë pesë javëve të fundit, si dhe do të njihet me problematikat dhe sfidat e këtij komuniteti. Më pas, ministri Veliaj do të bashkëbisedojë me përfaqësinë e komunitetit rom, përfaqësues të organizatave rome, të rinj dhe organizata të ndryshme që po ndihmojnë këtë komunitet.





