15 shtator 2013- Rama: Kjo qeveri është e gjithë shqiptarëve
Kryeministri i ri Edi Rama, në fjalën e tij përshëndetëse në hyrje të godinës së Qeverisë premtoi se pushteti do të jetë i qytetarëve dhe se qeverisja e këtij vendi do të realizohet me njerëzit dhe për njerëzit.
“Mirënjohje qytetarëve nga Tropoja në Konispol që më 23 qershor votuan aleancën për Shqipërinë Europiane dhe respekt për ata që nuk e votuan”, u shpreh në fjalën e shkurtër para godinës së qeverisë, kryeministri i ri i vendit, z Edi Rama.
"Qeveria e re e sapobetuar është qeveria e të gjithë shqiptarëve, ne jemi zgjedhur për të bashkuar dhe jo për të ndarë dhe ne do bashkojmë dhe nuk do ndajmë. Me shumë përulje ju themi të gjithëve se Rilindja që ne duam nuk mund të vijë brenda natës. Për ne këtu mbaron koha e fjalëve në opozitë dhe fillon puna në qeveri", u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi më tej se “ëndrra që filloi në '90, "e duam Shqipërinë si Europa", do vazhdojë më e gjallë dhe fuqishme se asnjëherë.
Mbledhja e parë e qeverisë ‘Rama’ në kryeministri
Pak minuta ka zgjatur mbledhja e parë e qeverisë ‘Rama’ në selinë e qeverisë. Mbledhja u zhvillua pak pasi qeveria bëri betimin tek Presidenti i Republikës.
Pas kësaj mbledhje qeverie, Edi Rama, kryeministër i betuar dhe i votëbesuar do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Bruksel.
Ndryshon faqja në ueb e kryeministrisë
Nga sot Edi Rama do të drejtojë nga godina e re e qeverisë. Ndryshime brenda godinës nuk dihet nëse kanë ndodhur, por faqja në ueb ka ndërruar krejtësisht fytyrë. Në www.kryeministria.al, gjithsecili mund të shohë ndryshimet që ka pësuar faqja zyrtare e kryeministrisë.
/balkanweb/





