Lajmi / Zbulim i ri në Gjirin e Durrësit i ekspeditës së të Institutit të Arkeologjisë me fondacionin amerikan RPN-NF sapo kanë bërë një zbulim me rëndësi në detin Adriatik. Ata kanë gjetur në Kepin e Palit dhe në zonën përballë Durrësit amfora dhe ngarkesat e një anijeje tregtare të shekullit II dhe I para erës së re, të cilat japin dëshmi të rralla të lidhjeve ekonomike që kishte bregdeti adriatiko-jonian me atë spanjoll dhe afrikan. Pranë reliktit Dyrrachium 3 u gjet edhe një element i anijes, që mund të ketë shërbyer për të bllokuar ngarkesën gjatë lundrimit. Krahas materialit arkeologjik këtë vit janë zbuluar edhe dy spiranca, më saktë elementët e plumbit të një spirance me përdorim gati mijëvjeçar, duke nisur nga shek. 6-të para erës sonë, si dhe një krah spirance 2300-vjeçare. Ky fakt ka tërhequr dhe vëmendjen e radio-televizionit “Zëri i Amerikës” (VOA), që transmetoi edhe një tele-reportazh, të ripublikuar dhe nga “Dyrrah”-u. Gazetari i njohur durrsak Gëzim Kabashi, që ka bashkëpunuar dhe me VOA-n, na dërgoi një speciale.
Nga Gëzim Kabashi
DURRËS, 19 gusht 2013 – Arkeologët nënujorë kanë zbuluar kohët e fundit në gjirin e Durrësit një relikt anije të periudhës antike. Ngarkesa me amfora të transportit të verës dhe të vajit është tregues i shkëmbimeve intensive tregtare në brigjet mesdhetare, duke vërtetuar gjithnjë e më shumë praninë konstante të flotës së anijeve tregtare të Ilirisë së jugut. Dr. Adrian Anastasi, drejtues i projektit të Institutit të Arkeologjisë, tha se relikti i zbuluar së fundi është emërtuar për motive studimore me emrin Dyrrachium 3, pas dy relikteve të parë që janë gjetur në zonën e Kepit të Palit dhe brigjeve përballë Durrësit gjatë periudhës 2004-2007. Sipas dr. Adrian Anastasit, ngarkesa me amfora adriatikase të tipit Lamboglia 2, (nga emri i arkeologut italian, që i zbuloi i pari) e daton edhe reliktin në periudhën nga fundi i shekullit të 2-të – fillimi i shekullit të 1-rë para erës sonë. Janë zbulime të rëndësishme dhe entuziaste, pasi në të gjithë Mesdheun janë gjetur 18 relikte gjithsej, ndërsa tipi i ngarkesave të zbuluara vërteton gjithnjë e më tepër raportet e qëndrueshme ekonomike të Ilirisë së Jugut me brigjet italiane si dhe me qendrat kontinentale dhe ishullore të Greqisë. Sigurisht, gjeopolitika përcaktonte këto marrëdhënie ekonomike, dhe pas qetësisë së krijuar nga Pax Romana në shekullin e parë pas erës sonë edhe shkëmbimet tregtare ishin mjaft intensive dhe të stabilizuara, – nënvizon dr. Anastasi. Vektorët ekonomikë të Ilirisë janë shtrirë kështu përtej Mesdheut, i cili në këtë periudhë të historisë kthehet në një treg të përbashkët me stampë romake.
Blofi i “piraterisë ilire”
Dr. Adrian Anastasi, i cili edhe më parë ka mbrojtur me ngulm idenë e pranisë konstante të flotës tregtare ilire në ujërat e Mesdheut, shprehet se zbulimet e kohëve të fundit, në të gjithë bregdetin shqiptar, por veçanërisht këto të Durrësit, hedhin poshtë tezat e “piraterisë ilire”, me të cilat vishej padrejtësisht lundrimi i anijeve ilire gati 2 mijë vjet më parë. “Në respekt të këtij realiteti që sjellin zbulimet e fundit, rezulton se teza e “piraterisë ilire” është blof dhe ka pasur një synim politik të dominimit, – vlerëson arkeologu nënujor. – Siç e dimë, qytet-shtetet e Greqisë së lashtë, por edhe senati romak kërkonin shpesh herë casus belli, pra pretekste, për ndërhyrje ushtarake. Krijimi i termit të piraterisë është i pavlefshëm, sidomos në kushtet kur në antikitet mungonte legjislacioni detar ndërkombëtar, pra edhe pirateria nuk kishte sens”. Veprimtaria e pandërprerë dhe intensive tregtare në të gjithë periudhën tashmë vërtetohet nga gjetjet e fundit, në të cilat nuk ka asnjë shenjë ndërhyrjeje piratësh, me djegie, apo me armë në bord, – sqaron arkeologu me përvojë. Burimet e shkruara antike, të cilat nuk japin të dhëna mbi veprimtarinë tregtare të lundrimit në Ilirinë e jugut, vijnë kryesisht nga autorë të lashtësisë me përkatësi greke dhe romake, por gjetjet e relikteve të anijeve me mallra, që dilnin nga porti i Durrësit, apo shkonin drejt tij janë vërtetimi konkret i shkëmbimeve ekonomike intensive mesdhetare mes porteve të Ilirisë dhe vendeve të tjera të pellgut mesdhetar, përfshi edhe Afrikën e veriut.
Element pak i njohur
Pas periudhës 5-vjeçare të kërkimeve deri në vitin 2007, arkeologu nënujor dhe ndihmësit e tij i janë rikthyer përsëri gjirit të Durrësit me një zbulim të ri, atë të Dyrrachium 3. Ekspeditat e përbashkëta të Institutit të Arkeologjisë në Tiranë me fondacionin amerikan RPN-NF, ku dr. Anastasi është bashkëdrejtor për palën shqiptare, gjatë këtij viti janë mjaftuar për motive të karakterit teknik me 10 ditë skanime nënujore në gjirin detar të Vlorës. Kjo i ka dhënë mundësinë dr. Adrianit t’i kushtohet plotësisht projektit të Institutit të Arkeologjisë, ku ai drejton sektorin e arkeologjisë nënujore. “Pranë reliktit Dyrrachium 3 zbuluam edhe një objekt shumë pak të gjetur edhe në zbulimet e tjera mesdhetare, – dëshmon dr. Adrian Anastasi. – Bëhet fjalë për një element të anijes, që mund të ketë shërbyer për të bllokuar ngarkesën gjatë lundrimit. Krahas materialit arkeologjik këtë vit janë zbuluar edhe dy spiranca, më saktë elementët e plumbit të një spirance detare me përdorim gati mijëvjeçar, duke nisur nga shek. 6-të para erës sonë, si dhe një krah spirance 2300-vjeçare”.
Pesë spirancat
Vetëm në periudhën 2004-2013 në bregdet, falë bashkëpunimit të peshkatarëve dhe qytetarëve të tjerë durrsakë, janë zbuluar pesë spiranca që mbulojnë një periudhë 1000-vjeçare të lundrimit. Këta elementë përcaktojnë madhësinë e anijeve që lundronin pranë brigjeve shqiptare dhe mund të them me kënaqësi se tipologjitë e spirancave të zbuluara deri tani në Mesdhe janë gjetur tashmë edhe në bregdetin shqiptar”. Dr. Adrian Anastasi thotë se spirancat e dimensioneve të mëdha për anijet e periudhës 6-3 para erës sonë janë dëshmi e pranisë së anijeve mbi 300 tonë, mjaft të mëdha për kohën, por edhe të vëllimit të shkëmbimeve ekonomike mes Ilirisë dhe vendeve të tjera të pellgut adriatiko-jonian. Porti i Durrësit dallohej pikërisht për vëllimet e mëdha. Reliktet e gjetura vërtetojnë se këto anije i drejtoheshin ose po niseshin nga qyteti bregdetar.
Nevoja për mbrojtje
Për arkeologun sitet arkeologjike nënujore të Durrësit duhet të vendosen nën mbrojtje shtetërore-shprehet, duke sjellë shembullin pozitiv të vendeve fqinje si Mali i Zi, Kroacia, Greqi apo Italia. Për shkencëtarin durrsak “dëmet e shkaktuara nga “arkeo-mafia” nënujore mund të rrezikojnë edhe zbulimet e reja, të cilat përveç mbrojtjes, duhet t’i nënshtrohen një procesi të mirëfilltë studimor, çka kërkon vëmendje dhe financime”.
Deformimi i shkencës
Instituti i Arkeologjisë (IA) duhet të rikthehet në formën dhe strukturat që kishte në vitin 2007, para se të niste reforma në sistemin shkencor shqiptar, thotë Dr. Adrian Anastasi. IA-ja në këto vite humbi autonominë shkencore dhe, për shkak të deformimeve të reformës, nga një institut lider u kthye në një departament primitiv. I emëruar vite më parë si drejtor i departamentit të arkeologjisë nënujore në IA, dr. Adrian Anastasi, i formuar në universitetet e specializuara të Italisë, shprehet se gjatë periudhës së gjatë 23-vjeçare të tranzicionit institutet kërkimore shkencore kanë marrë goditje permanente nga politika dhe specialistët shkencorë nuk janë dëgjuar fare. “Kemi mbetur në rrethin vicioz të akuzave, që vijnë nga zhurmuesit e politikës-nënvizon dr. Anastasi, duke theksuar se “kërkuesit shkencorë duhet t’i rikthehen punës”. “Arroganca me të cilën politika ndërhyri në institucionet shkencore dhe shkurtimet buxhetore që i pasuan ato, i kthyen specialistët e vërtetë në subjekte vulnerabël, të kërcënuar deri me pushim nga puna-thotë Adrian Anastasi, arkeoloogu i vetëm nënujor në vendin tonë. Ai thotë se politika duhet të mbështesë financiarisht kërkimin shkencor dhe t’u rijapë institucioneve autonominë shkencore. “Vetëm duke larguar sharlatanët jokompetentë dhe duke nxitur mendimin akademik mund të shërohet gjendja e krijuar në institucione”.
Vullnetarizmi
Gjatë këtyre viteve dr. Adrian Anastasi ka afruar pranë vetes një grup të rinjsh, të cilët janë specializuar dhe certifikuar nga entet përkatëse evropiane për zhytjet me destinacion arkeologjik, por ky grup vazhdon të punojë në mënyrë vullnetare, ashtu siç bëjnë në mënyrë qytetare mjaft zhytës apo peshkatarë të tjerë të cilët sinjalizojnë praninë e objekteve arkeologjike në zonat nënujore, pranë ose larg bregut. “Ka ardhur koha të kemi pika shqiptare referimi edhe në këtë sektor, ku siç dihet ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme edhe fondacioni amerikan RPN-NF, me anijen e specializuar “Herkules”, specialistët shqiptarë dhe amerikanë të së cilës po përgatisin edhe hartën nënujore arkeologjike të brigjeve tona. Duke folur posaçërisht për situatën e arkeologjisë nënujore, specialisti Adrian Anastasi shprehet se ndryshimi do të fillojë atëherë kur të kuptohet se ky sektor i ka të gjitha potencialet njerëzore, duke u formësuar dhe duke përparuar me specialistë shqiptarë.
/redaktimi dhe ilustrimi fotografik: th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





