Diktatori Enver Hoxha në vitin 1975: Kur vendosëm ne për t’i shfrytëzuar tokat e asaj kënete, unë i kisha flokët të zinj, tani mua këta më janë zbardhur, por akoma tokat nuk janë shkripëzuar!

DURRËS, 13 gusht 2013 – Këneta e Durrësit, dhe pse e tharë tashmë, ka mbetur si toponim, pasi ajo është mbi një mijë e vjetër, e krijuar pas një cunami. Në vitet 1300 Durrësi ndodhej nën sundimin e Republikës së Venedikut. Banorët e saj ndërmorën një aksion për tharjen e saj, gjë që nuk ia arritën. Për shkak të mushkonjave, konsullatat e huaja të Durrësit, në kohën e perandorisë otomane, u zhvendosën në Kavajë. Në vitet 1930 erdhën amerikanë për bonifikimin, por dështuan. Në fillim të viteve 1940, pas pushtimit, italianët filluan punimet e para për bonifikimin (shih foton). Veçse ndërprerja e punimeve për shkak të luftës, rikthyen gjendjen e mëparshme. Por bonifikimi i vërtetë filloi në vitin 1961 dhe përfundoi në vitin 1967, Se ç’telashe ka sjellë ky investim, mjafton të kujtojmë diktatorin Enver Hoxha, i cili më19 gusht 1975 ka deklaruar mes të tjerave: “… të marrim problemin e shkripëzimit të kënetës së Durrësit. U morën shumë masa për këtë qëllim, u bënë kanalizime, stacione pompimi e punime të tjera, duke na u thënë se nxjerrja e shpenzimeve do të bëhet në kaq e aq vjet etj. Ndërmarrjes Bujqësore në Sukth i janë dhënë në administrim tokat e kënetës së Durrësit. Kur vendosëm ne për t’i shfrytëzuar tokat e asaj kënete, unë i kisha flokët të zinj, tani mua këta më janë zbardhur, por akoma tokat nuk janë shkripëzuar! Po pse? Sepse këtë tokë e mori Ndërmarrja Bujqësore e Sukthit, e cila nuk e trajtoi mirë. Kjo tokë patjetër duhet shkripëzuar”.

Disa shifra

Sipas Kryeinxhinierit të ish-Ndërmarrjes së Bonifikimit Durrës, Shaban Karruli, për tharjen e kënetës janë bërë studime nga specialistë italianë dhe sovjetikë. Studimi i plotë i bonifikimit të kësaj kënete si projekt-ide dhe projekt-zbatim është bërë nga Instituti i Projektimit, dega e bonifikimeve pranë Ministrisë së Ndërtimit në Tiranë. Punimet për bonifikimin e kësaj kënete filluan në vitin 1961 dhe përfunduan në vitin 1967. Objektet kryesore që u ndërtuan në bazë të projekt idesë janë: hidrovori i Porto Romanos me ka 7 copë motopompa me kapacitet rreth 24 m3/ sek; kanali i ujërave të larta Spitallë, që mbledh ujërat e kodrave dhe i derdh me rrjedhje të lirë në Porto Romano; me gjatësi 7200 ml; kanali i ujërave të larta Shënavlash që mbledh ujërat e shirave te kodrave dhe i derdh me rrjedhje të lirë afër Shtëpisë së Pushimit te Ushtrisë në Plazhin e Durrësit me gjatësi 7800 m; mbrojtja e kënetës nga deti me argjinature me gjatësi 9200 ml; mbrojtja e kënetës nga lumi Erzen me argjinature (krahu i majtë) me gjatësi 4700 ml; kolektori kryesor kullues i kënetës që sjell ujërat e kullimit në hidrovorin e Porto Romanos me gjatësi 7883.60 ml; 26 kanale kulluese sekondare me gjatësi totale prej 39 164 ml. Me përfundimin e të gjitha objekteve të mësipërme për kullimin e kësaj fushe u përfituan 3050 ha tokë.

Laguna

Një rrip i ngushtë toke, pak a shumë në drejtimin veri-jug, që nga Porto Romano deri tek Ura e Dalanit dhe i shtrirë mes kodrave të Durrësit dhe kodrave të Shënavlashit, shekuj më parë u shndërrua në kënetë detare. Uji i detit e përmbyti këtë rrip toke, i cili u fundos, si pasojë e lëvizjes së pllakave të ndryshme tektonike, që formojnë bregdetin e Durrësit. Qyteti i Durrësit gjendej si në një ishull dhe lidhej me pjesën tjetër të vendit për një ure, e njohur si Ura e Dalanit (vendi ku uji i detit hyn në tokë). Durrësi jetoi për shekuj me radhë me kënetën pranë tij, u mësua të bashkëjetojë me të, madje edhe përfitonte prej saj. Aq e pandashme ishte bërë këneta nga panorama e qytetit, sa tharja e saj nuk qe menduar asnjëherë. Përkundrazi, u hartuan projekte për thellimin dhe shndërrimin e saj në kanal, duke e bërë edhe të lundrueshëm. Në vitin 1926, Durrësi dëmtohet ndjeshëm nga një tërmet shumë i fortë. Nisur nga nevoja e punimeve rindërtuese, qeveria e Ahmet Zogut kërkoi që ato të bëheshin në bazë të një plani të ri rregullues për qytetin, dhe kjo detyrë iu caktua arkitektit italian Leone Carmignani, i cili hodhi piketat e para pamjes që do të merrte Durrësi, pamje të cilën ai e ruan edhe sot, të paktën në pjesën e vjetër të tij. Arkitekti Leone Carmignani e përfundoi plotësisht Planin Rregullues Gjeneral të Durrësit në vitin 1942. Pikërisht aty parashikoheshin edhe zhvillimet e tij në të ardhmen, ku ravijëzohej ideja e thellimit të kënetës dhe shndërrimi i saj në kanal të lundrueshëm, duke i dhënë Durrësit formën e një qytet-ishulli. Por një ndërmarrje e tillë nuk u konkretizua kurrë. Në fakt, pas vitit 1944, nisi hartimi i planeve për tharjen e saj. Në vitin 1962, këneta nuk ishte më: tek Ura e Dajlanit u ndërtua një argjinaturë e fuqishme, që pengonte hyrjen e detit. Mbi argjinaturë u ndërtua rruga, që ekziston sot e kësaj dite. Njerëzit ende e njohin atë vend si Ura e Dajlanit, për tani atje nuk ka më urë. Një argjinaturë e njëjtë u ndërtua edhe në Porto Romano, duke bllokuar hyrjen e detit nga veriu. Uji u largua dhe u përftua një sipërfaqe e gjerë toke. Qëllimi ishte të përdorej për grurë, por rezultoi aq e kripur sa vetëm bathët rriteshin aty.

Nga kënetë në qytet

Deri në mesin e viteve ’90-të, ajo që dikur ishte kënetë, mbeti një sipërfaqe e madhe toke bosh, gati e papërdorshme për asgjë. Në fakt, as për ndërtim nuk konsiderohej e përshtatshme, pasi është nën nivelin e detit dhe mban ujë. Pa funksionimin e hidrovorit në Porto Romano, ajo sipërfaqe toke mund të përmbytet fare lehtë edhe nga ujërat e reshjeve që, në rrugë natyrale, rrjedhin nga kodrat anash saj. E megjithatë, lëvizjet e pakontrolluara demografike bënë që brenda pak viteve realiteti i saj të ndryshojë plotësisht: atje ku dikur shtrihej këneta, tashmë gjendet “Durrësi i Ri”. Dhjetëra mijëra njerëz, nga veriu e jugu i vendit, u ngulën aty dhe ndërtuan banesat e tyre. Zona vazhdon të njihet si “këneta e Durrësit”, por tashmë nuk ka më as tokë të lirë. Brenda disa dekadave, panorama e qytetit të Durrësit ndryshoi rrënjësisht dhe këneta, me të mirat e të këqijat e saj, gjendet vetëm në librat e historisë.

Integrimi urban i komuniteteve në Kënetë, Durrës

Ky projekt u zbatua në lagjen e Kënetës, lagja më e madhe informale në qytetin e Durrësit, aktualisht vendbanim i më shumë se 30,000 banorëve me afërsisht 350 hektarë. Projekti u fokusua në një zonë të përzgjedhur pilot prej 50ha dhe synonte të integronte komunitetin informal të krijuar rishtas brenda strukturave formale të bashkisë së Durrësit duke mbështetur procesin e legalizimit. Qeveria Austriake e financoi këtë projekt me një buxhet prej 351,748 eurosh, ndërsa Bashkia bashkëfinancoi me një shumë prej 52,000 Eurosh. Në bashkëpunim me Bashkinë, Co-PLAN kreu një proces planifikimi të zonës dhe përmirësime të infrastrukturës bazë së bashku me komunitetin lokal. Në 2005, aktiviteti i projektit u fokusua në këta komponentë: Përgatitja e planit të detajuar urban për zonën. Hartimi i këtij plani bazë nëpërmjet metodës së re të përfshirjes së komunitetit ishte një ndër qëllimet parësore të projektit. Në vitin 2005 u përfunduan me sukses Termat e Referencës, përpilimi i të cilave ishte një fazë e rëndësishme e përgatitjes së planit. Plani do të shërbente si një instrument për komunitetet dhe bashkinë e Durrësit përgjatë procesit të formalizimit dhe legalizimit të lagjes së Kënetës. Ofrimi i asistencës teknike në procesin e legalizimit të zonës. Projekti pati një ecuri të mirë në vitin 2005 për sa i përket fazës përgatitore të vetëdeklarimit të shtëpive nga banorët për legalizim. Kushtëzuar nga dinamikat politike në vend lidhur me çështjen e legalizimit, projekti realizoi 75% të fazës së vetëdeklarimit, përkundrejt 50% që u realizua në nivel kombëtar. Asistenca teknike konsistoi në krijimin e një banke të dhënash mbi deklaratat e banorëve. Projekti asistoi gjithashtu në diskutimin e rëndësishëm për përvijimin e kufijve që ka qenë një tjetër çështje delikate për këtë zonë. Përfshirja e komunitetit në zhvillimin e zonës ishte një komponent i kudoshtrirë i projektit. Ky komponent qe vendimtar jo vetëm për hartimin e një plani realist për lagjen që u përgjigjej aspekteve sociale dhe nevojave të komunitetit, zbatuar nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve të organizatave me bazë komunitare dhe të grupeve të cenueshme; në thelb, nëpërmjet punës së komunitetit, impakti i projektit u bë edhe më i rëndësishëm për organizimin e komunitetit në struktura përfaqësuese që do të ndërvepronin me projektin dhe do të paraqisnin interesat e tyre përballë autoriteteve lokale.

/m. b. dhe th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/