Është shoqëruar me tensione fitorja në Durrës, menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave, ku rezultoi fituese PS me 8 mandate, ndërsa PD mori 6. Burime nga zyra e PD në Manëz bëjnë të ditur se një grup me 15-20 simpatizantë të PS kanë shkuar pranë zyrave të shtabit elektoral të PD në këtë zonë, duke brohoritur e plasur fishekzjarrë.

Burime pranë PD thonë se në zyrë ndodhej vetëm kreu i PD në këtë zonë, Gazment Luku, me bashkëshorten e tij, Manjola Luku, që është dhe kandidate për deputete në zonë, si dhe disa familjarë. Siç pretendojnë demokratët, simpatizantët e PS janë përplasur verbalisht me kreun e PD në Manzë dhe familjarët dhe më pas janë larguar. Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila ka shoqëruar kreun e PD në Manëz, Gazment Luku dhe familjarët e tij për t’i pyetur rreth ngjarjes.

Ndërkohë, policia e Durrësit ka thënë se ka pasur konflikt mes dy palëve, ku për rrjedhojë, janë shoqëruar në komisariat persona nga të dyja palët, të cilët për merren në pyetje për zbardhjen e ngjarjes.