TIRANË, 26 prill 2013 – Lufta me krimin do të jetë prioritet i qeverisë socialiste Rama në 300 ditët e para të mandatit të saj. Kështu ka premtuar kreu socialist Edi Rama ndërsa prezantonte programin “Për një Rilindje Shqiptare”.

Sipas Ramës qëllimi i qeverisë së të majtës do të jetë kthimi i policisë së shtetit në shërbim të qytetarëve dhe largimi i saj nga kthetrat e krimit.

“Kemi marrë një angazhim. Brenda 300 ditëve të para të qeverisjes do të zhvillojmë një ‘luftë’ të paparë me krimin. Do e kthejmë policinë e shtetit në krye të detyrës dhe do i japim shqiptarëve një polici shteti si asnjëherë më serioze dhe më të gatshme për t’ju përgjigjur sfidave të kohës që jetojmë dhe do shënojmë një fitore të rëndësishme në betejën me krimin. Ne nuk besojmë se lufta me krimin është ‘luftë’ që mund të zhvillohet dhe përfundojë brenda 300 ditësh, por ne besojmë se mund të largojmë krimin, të rimarrin në dorë kontrollin mbi territorin dhe të vendosim një ekuilibër të ri në raportin e forcave ku krimi ka epërsi të papërballueshme” , theksoi Rama, ndërsa prezantonte kapitullin e programit “Rilindje Kombëtare” i cili i kushtohet "Luftës kundër krimit".

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/