Nga Ardian Vehbiu
Të gjithë e kanë pasur nga një opinion për ta shprehur, në lidhje me krushqinë e re PS-LSI; zakonisht për ta dënuar, si moralisht të papranueshme.
Kështu lloj dënimesh i dënon zakonisht të shqiptohen kur një çift ribashkohet, pasi është ndarë me gjyq të bujshëm dhe akuza të ndërsjella nga më të përbindshmet.
Natyrisht, koalicioni i ri i së majtës përbën lajm me rëndësi kritike, sidomos sa kohë që zgjedhjet e tanishme janë me rëndësi kritike për Shqipërinë.
Përkundrazi, reagimet e opinionistëve, të analistëve, të komentatorëve dhe të moderatorëve televizivë, për këtë ribashkim, nuk janë as me rëndësi, as lajme.
E megjithatë, sheh t’u jepet kryet e vendit, në mediat e Tiranës.
Njeriu nuk mund të mos pyesë veten se që kur mori kaq peshë mendimi i filanit, ose i fëstekut; aq sa të errësojë, për nga hapësira që zë, lajmet për koalicionin vetë?
Pa folur pastaj për të gjitha ato raste, kur aksh analist shkon i ftuar në televizion te ky apo ai mikpritës, jep një mendim vetëshërbyes atje; dhe të nesërmen e sheh atë mendim të përcjellë nga gjithfarë mediesh të tjera.
Po bëhet shumë zhurmë për këtë ribashkim; zhurmë që meriton vëmendje më vete.
Le ta sqaroj menjëherë që edhe unë u neverita me çfarë ndodhi dhe me mënyrën si ndodhi.
Edhe pse nuk jetoj në Shqipëri, dija për Metën dhe për qëndrimin e PS-së ndaj Metës çfarë më kishin thënë mediet e afërta me të opozitën; sikurse dija që 21 janari ndodhi edhe si pasojë e zemëratës së pakufi, në popullin e së majtës, për korrupsionin e kreut të LSI-së.
Figurën e Ilir Metës si politikanin post-modern, që e përdor pushtetin për mbivlera klienteliste, e krijoi para së gjithash opozita vetë; njëlloj siç krijoi opinionin për LSI-në, si parti pa programe, skrupuj dhe besnikëri.
Edhe proçkat e njëpasnjëshme të regjimit, këto vitet e fundit, nuk i ndan dot nga LSI-ja dhe njerëzit e saj në ekzekutiv; çka do të thotë se, me krushqinë e papritur të tanishme brenda së majtës, bie një nga kolonat e retorikës parazgjedhore të PS-së, ose kritika radikale ndaj mënyrës si e ka qeverisur vendin Berisha (the moral high ground).
Prandaj jam edhe unë i neveritur, për aq sa vlen kjo, nga çifti i lumturuar sërish. Vërtet morali dhe politika duan mbajtur veç, por edhe politika e ka një moral të vetin, që në këtë rast është shkelur.
Mirëpo – dhe këtu ka një mirëpo të madhe – problemi i madh i Shqipërisë, i shoqërisë shqiptare, dhe i politikës shqiptare është Sali Berisha me të vetët, jo opozita dhe aleancat e saj të pambrojtshme.
Dhe zgjedhjet që po afrohen janë shansi i vetëm për ta larguar Sali Berishën dhe grupin e tij, me mjete demokratike, nga monopoli që ka vendosur ndaj të gjitha pushteteve në Tiranë.
Nga kjo perspektivë, kam përshtypjen se indinjata për aleancën Rama-Meta e ka zhvendosur disi fokusin nga çfarë duhej të ishte, sidomos për të majtën, synimi kryesor i propagandës parazgjedhore: fitorja e zgjedhjeve që po afrohen.
Është e natyrshme të indinjohesh; por është e nevojshme që të ruhet një perspektivë në opinionet.
Këtu vjen në vështrim edhe një propozim, që po rimerret nga shumë anë, për të votuar me fletë të bardhë këtë herë, për të shprehur refuzimin total ndaj një sistemi, i cili pjell shëmti të tilla si monopoli berishian në pushtet, ose aleanca e paparim Rama-Meta.
Më duhet të them se ideja më pat shkuar në mendje edhe mua kohë më parë, sidomos në kontekstin e ankthit të së majtës se PD-ja do t’i vidhte zgjedhjet edhe këtë herë.
Dhe më pat shkuar në mendje si pjesë e një arsyetimi, të cilin e pata ndarë edhe me ju në blog, për partitokracinë (këtu, këtu dhe këtu).
Në mendjen time, PS-ja duhej të refuzonte të merrte pjesë në këto zgjedhje dhe t’i ftonte zgjedhësit e vet të votonin me fletë të bardhë, e cila do të ishte votë jo aq kundër PD-së, sesa kundër sistemit si të tillë: një lloj “demokracie” e importuar nga Perëndimi, e cila në Shqipëri nuk ka arritur të prodhojë vlera demokratike, por vetëm alibi për grykësitë e pushtetarëve.
Votimi me fletë të bardhë, i ngjashëm me atë sciopero del voto (“greva e votës”) të cilën e përsiatte dikur Partia Radikale në Itali, është megjithatë gjest politik tepër i vetëdijshëm – ose i kundërt, në thelb, me votimin në kopé, që praktikohet sot anembanë Shqipërisë.
Ftesa e tanishme nga shoqëria civile dhe nga disa analistë, për të votuar me fletë të bardhë, nuk e ka fuqinë, as pretendimin, për t’u bërë masive; por veç mund të arrijë dhe të bindë ata pak njerëz të angazhuar përnjëmend në politikë, që janë neveritur nga lëvizja e tanishme PS-LSI.
Siç e shoh unë, ky publik target i nismës në fjalë përbëhet, kryesisht, nga zgjedhës të majtë, që normalisht do të votonin për PS-në.
Kjo edhe thjesht ngaqë askush nuk pret që zgjedhës të PD-së ose me bindje të djathta, të merakosen aq shumë për cirkun e së majtës në Tiranë, sa të refuzojnë normalitetin e votës.
Prandaj ftesa për të votuar me fletë të bardhë, siç po ofrohet në momentin e tanishëm, është objektivisht pjesë e fushatës elektorale të PD-së; meqë synon të pakësojë elektoratin e majtë, t’i heqë koalicionit të majtë zgjedhësit e lëkundur, ose të gjithë ata qytetarë të majtë, që ende shpresojnë se politika mund ta ruajë, të paktën, moralitetin e vet.
Me këtë nuk dua të paragjykoj nismëtarët e kësaj ideje dhe qëllimet e tyre; por vetëm t’u tregoj se çfarë pasojash do të kishte suksesi i nismës së tyre, sipas mendimit tim prej qytetari të zakonshëm.
Përndryshe, edhe pse mediat nuk kanë bërë punë të mirë, për të sqaruar arsyet e ri-krushqisë brenda së majtës (të cilat nuk duhen ngatërruar me opinionet e opinionistëve), publikut nuk i lejohet të harrojë se e gjithë kjo bëhet në një fushatë që i paraprin atij momenti kyç të jetës politike që quhet zgjedhje; dhe që quhet zgjedhje pikërisht pse qytetari ftohet të zgjedhë, mes kandidatëve A, B dhe C, më të përshtatshmin për ta përfaqësuar në pushtet; dhe zgjedhjet kërkojnë prej nesh të gjithëve që të jemi zgjedhës jo vetëm para kutisë së votimit, por edhe në përparësitë.
Dhe përparësia në këtë moment mbetet, e kotë ta shtoj, ripërmasimi i kapjes së shtetit nga PD-ja dhe grupi i Berishës, i cili nuk mund të realizohet kurrë, po të vazhdohet me këtë demonizim të një gjesti taktik, kushedi të dëshpëruar, të Ramës; të cilit nuk ia njohim as premisat, as shkaqet.
Prandaj, në rrethanat kur sistemi nuk mund të refuzohet me grevën e votës, as me ndonjë formë tjetër të mosbindjes civile – meqë asnjë forcë politike madhore nuk e kërkon këtë – atëherë zgjedhja duhet bërë midis konsakrimit të grupit Berisha edhe katër vjet të tjera në pushtet dhe alternativës për të sjellë në pushtet dikë tjetër; qoftë edhe çiftin e shumëpërfolur Rema, në krye të një koalicioni që, për fat të keq të moralitetit politik si të tillë, mbetet i vetmi që mund të largojë, nga institucionet, shkaktarët e dështimeve të shtetit shqiptar në këto tetë vjet.
http://xhaxhai.wordpress.com/2013/04/10/krushqi-te-zeza-vota-te-bardha/





