Paralajmërimi: Avokati i Popullit ka të drejtë të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike dhe i propozon çdo organi, si dhe Kuvendit, shkarkimin e funksionarëve që janë kompetencë e tyre

TIRANË, 7 prill 2013– Vëzhgimi, gjobitja dhe shoqërimi i katër ish-të përndjekurve “jo vetëm që shkel të drejtat kushtetuese e ligjore të shtetasve… por në të njëjtën kohë dëmton rëndë imazhin dhe besimin e organit të Policisë në komunitet”, kështu Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë Igli Totozani, ka reaguar ashpër ndaj uniformave blu të Sali Berishës, të cilat u bien në qafë atyre që dënoi Enver Hoxha për veprimtari antikomuniste.

Më 6 prill 2013, Igli Totozani, në emër të institucionit kushtetues që përfaqëson, i ka dërguar një kërkesë drejtorit të të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Tiranës, ku shkruan:

“Zoti drejtor! Ndonëse nga ana juaj nuk pranohet fakti që Skënder Tufa, Fatmir Lloçi, Petrit Lipo dhe Besim Valeri janë mbajtur në vëzhgim nga strukturat e organit që ju drejtoni, ju bëjmë me dije se ata janë mbajtur në vëzhgim 24 orë në 24 nga punonjësit e policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë.

Kjo gjë është provuar në tre raste nga stafi i Avokatit i Popullit, ndërsa në njërin prej këtyre rasteve edhe personalisht nga vetë Avokati i Popullit.

Ky rast ka ndodhur në datën 01.03.2013, në momentin që ankuesi dhe dy shokët e tij ishin paraqitur në institucionin tonë për të bërë ankesë për këtë shqetësim.

Nga verifikimi i bërë në këtë rast rezultoi se ata mbaheshin në vëzhgim nga dy punonjës të policisë kriminale, të cilët u identifikuan me saktësi nga ana jonë.

Ndërsa më datë 02.04.2013, Tufa erdhi në institucionin e Avokatit të Popullit për të bërë ankesë ndaj policisë, në lidhje me shkeljen e afateve të lejes për tubim, nga ana e ish-të dënuarve politikë.

Nga stafi ynë u konstatua se ankuesi mbahej në vëzhgim nga dy punonjës policie civilë, njëri prej të cilëve u afrua deri rreth 10-15m pranë zyrës tonë ku ankuesi hyri, ndërsa tjetri qëndronte në distancë më të largët.

Gjithashtu, punonjësit tanë konstatuan se vëzhguesit vazhduan ta shoqëronin në distancë ankuesin edhe pasi ai u largua nga zyrat tona. Ka edhe mjaft raste të tjera që janë faktuar prej nesh.

Ne vlerësojmë se, mbajtja në vëzhgim të hapur dhe në mënyrë të vazhdueshme e këtyre shtetasve është e kundërligjshme.

Gjithashtu, ekspertët tanë kanë arritur në konkluzionin se, shoqërimi në polici dhe në mënyrë të përsëritur i shtetasve Skënder Tufa dhe disa shtetasve të tjerë ish të dënuar politikë të regjimit komunist, është i kundërligjshëm

Ish-të përndjekurit politikë, nuk kanë shkelur asnjë rregull administrativ, për të cilën ata duhet të gjobiten apo të procedohen administrativisht.

Përndjekja e tyre, nga policia ka cenuar rëndë të drejtën për të lëvizur lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit të garantuar me ligj, duke monitoruar lëvizjet e tyre gjatë 24 orëve dhe shoqëruar ata herë pas here në ambientet e Komisariateve të Policisë Tiranë.

Të gjitha këto veprime kanë si qëllim ushtrimin e një presioni fizik e psikologjik ndaj tyre nga strukturat shtetërore me qëllim që ata të heqin dorë nga veprimet reaguese e kritike ndaj qeverisë për pakënaqësitë që kanë për moszbatimin prej saj të të drejtave të tyre të parashikuara në aktet normative për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë.

Ndërkohë, gjykojmë se ky qëndrim i policisë jo vetëm që shkel të drejtat kushtetuese e ligjore të shtetasve të përmendur më sipër, por në të njëjtën kohë dëmton rëndë imazhin dhe besimin e organit të Policisë në komunitet.

Më 1 mars, të këtij ju kam rekomanduar që të ndërprisni veprimet e kundërligjshme, të cilin nuk e keni zbatuar.

Ju bëj me dije se në bazë të disa neneve Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike.

Gjithashtu ai i propozon çdo organi, si dhe Kuvendit, shkarkimin e funksionarëve që janë kompetencë e tyre”.

/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/