Jeta me plot tmerr e vuajtje e kësaj vajze pakistaneze filloi kur ajo ishte vetëm 12-vjeçare, kur në vend se të shkonte në shkollë, ajo u detyrua që të martohet me një burrë mjaftueshëm të vjetër për të qenë gjyshi i saj.

Ai e ka rrahur për çdo ditë, ndërsa ajo i ishte lutur që të mos e bënte një gjë të tillë, por ai kishte vazhduar, duke i injoruar lotët e saj. Kur Gul i tregoi familjes së saj se çfarë ishte duke ndodhur, ata reaguan në një mënyrë që e tronditi krejtësisht atë. “Edhe në familje më rrihnin kur ankohesha”, ka thënë ajo për ‘CNN’-në. “Ata më thoshin se i takoj shtëpisë së bashkëshortit, ajo është jeta jote”. Pas pesë vjetësh abuzimi, Gul Mina e takoi një të ri afgan dhe në fund mblodhi guximin për t’u larguar nga bashkëshorti i saj në Pakistan. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, ajo i paketoi disa gjëra personale dhe ata e kaluan kufirin dhe shkuan në qytetin Xhalalabad të Afganistanit.

“Kam provuar disa herë ta vras veten me helm”

Gul e dinte se ishte duke e bërë një krim të madh sipas zakoneve të ashpra islamike, ikjen nga bashkëshorti me një burrë tjetër, por ajo gjithashtu e dinte se nuk donte më që të vazhdojë ta jetojë jetën që e kishte që nga dita kur ishte martuar. “Kam provuar disa herë që ta vras veten me helm, por pa sukses”, ka thënë ajo. “E urreja jetën time dhe më duhej që të ikja”. “Kur ika, e kam ditur që ikja do të jetë e rrezikshme. E dija që bashkëshorti dhe familja do të më kërkonin, por kurrë nuk kam menduar se do të më ndodhte kjo. Kam menduar që e ardhmja ime do të jetë më e ndritshme”. Pas pesë vjetësh në martesë, ajo iku në Xhalalabad të Afganistanit. Por, vetëm pas disa ditëve, vëllai i saj e gjeti vendndodhjen e çiftit. Ai e vrau me sëpatë të dashurin e saj, ndërsa e goditi motrën e tij pesëmbëdhjetë herë me të. Ai iku dhe u kthye te familja e tij, duke menduar se e kishte vrarë motrën, pasi që e kishte lënë në një pus gjaku në shtratin e saj me një pjesë të trurit të saj të dalë nga kafka e saj e çarë. Kirurgët në Qendrën Rajonale Mjekësore ‘Nangarhar’, ia shpëtuan jetën, përkundër faktit që ajo kishte humbur aq shumë gjak. Por, familja ishte distancuar nga ajo, ndërsa autoritetet e Pakistanit nuk kanë dashur që ta përkrahin atë në ato rrethana, njofton ‘CNN’-ja.

“Jam shumë e turpëruar”

Mjekët në spital kanë paguar për mjekimin e saj për dy muaj para se organizata bamirëse ‘Gratë për Gratë e Afganistanit’ ta dërgonin atë në një vendstrehim në Kabul. Manizha Naderi, drejtoreshë ekzekutive e organizatës bamirëse, ka thënë për ‘CNN’-në se ajo nuk ka qenë në gjendje ta ushqejë veten dhe se i është dashur që të mbajë pelena. Ajo tha se kishte frikë në lidhje me faktin se çfarë do t’u ndodhë grave afgane në katërmbëdhjetë vendstrehimet në shtet, kur forcat ndërkombëtare të tërhiqen në vitin e ardhshëm, të cilat do t’i marrin edhe financimet e tyre me vete. Gul ka thënë për ‘CNN’-në: “Kam provuar ta vras veten disa herë, pasi që kam ardhur në vendstrehim, por nuk më kanë lënë. Kur e shikoj veten në pasqyrë, e vendosi njërën dorë në njërën anë të fytyrës sime. Njerëzit më thonë që të mos e bëj një gjë të tillë, por jam aq shumë e turpëruar”.