Piktorja e re Kristel Kasaj është prezantuar këto ditë para bashkëmoshatarëve të saj me rreth 40 punime kryesisht në akuarel dhe pastel. Ekspozita me titull “Harmoni”, e hapur në Studio Cultural Bar, ka tërhequr interesimin e dhjetëra shikuesve të moshave të ndryshme, të cilët bashkë me pasionin, vlerësojnë edhe talentin e maturantes që përgatitet nga mësuesi Franc Priska.
Organizatorët thanë se 18-vjeçarja durrsake ka fituar çmimin e parë në ekspozitën e hapur disa muaj më parë në të njëjtën studio me nxënësit më të mirë të degës së pikturës në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit.
Në tablotë me përmasa të vogla, punuar shpeshherë edhe me laps nga piktorja Kasaj, vijnë motive nga qyteti i Durrësit, portrete bashkëqytetarësh, peizazhe dhe natyra të qeta.
Që prej një viti, në Studio Cultural organizohen ekspozita të autorëve të rinj, si dhe koncerte me artistë të talentuar.